1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grevat e urisë mjet proteste në burgje

14 Nëntor 2009

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut vazhdimisht tërheqin vëmendjen për gjendjen e vështirë të të burgosurve në strukturat e riedukimit. Ndaj menaxhimi të burgjeve në Maqedoni ka kritika.

https://p.dw.com/p/KX3I
Fotografi: DW

Të burgosurit në burgun e Tetovës ditë më parë kanë hyrë në grevë urie në shenjë pakënaqësie për kushtet elementare. Drejtori i burgut, Hasim Bajrami thotë se gjendja në burgun e Tetovës është normalizuar dhe se të burgosurit kanë ndërprerë grevën e urisë. Megjithë shtimin e masave të sigurisë, nga burgu i Manastirit është aratisur Azem Ibrahimovski i cili nuk është kapur ende. Të punësuarit në këtë burg theksojnë se në ambientet e brendshme mbretëron kaosi dhe se një numër i madh të burgosurish shumë lehtë fusin në duar lëndë narkotike. Lidhur me problemet në burgjet e Maqedonisë janë alarmuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë por edhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Komiteti i Helsinkit dhe Avokati i Popullit në raportet e tyre nuk kanë hezituar të adresojnë një sërë kritikash për gjendjen në burgjet e vendit. Këto vërejtje kanë rezultuar me përmirësimin sadopak të gjendjes në burgje.

"Kushtet nuk janë ashtu siç duhet të jenë, por kjo nuk do të thotë se mungojnë kushtet esenciale. Kushtet deri diku janë të mira sidomos tani me lëshimin në përdorim të objektit të ri", thotë Zenun Matjani, zëvendësdrejtor i burgut hetues të Shutkës në Shkup.

Sipas Matjanit, në burgun e Shutkës nuk ka pasur grevë urie sepse çdo herë bëhen përpjekje që kushtet të jenë në nivelin e duhur. Të drejtat e të burgosurve respektohen sipas normave të burgut dhe çdo shkelje eventuale e tyre regjistrohet nga gjykatat, të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për të burgosurit. "Sipas ligjit të ri, personat e paraburgosur kontaktojnë me avokatët e tyre pa praninë e askujt", shpjegon Matjani.

Por një ish i burgosur shpreh skepticizmin e tij për përmirësimin e kushteve në burgje. “Po flitet se i kanë përmirësuar kushtet në burgun e Idrizovës. Unë isha për vizitë tek një shok. Ata po ankohen si për ushqimin, pastërtinë, ka ankime edhe për sjelljen e policëve. Në stinën e dimrit ankohen më shumë për mungesën e ngrohjes”, thotë ish i burgosuri 23 vjeçar me inicialet K.M.

Një problem tjetër me të cilin ballafaqohen burgjet në Maqedoni ka të bëjë me personelin e kualifikuar. "Kemi mungesë të kuadrit por kemi shpallur konkurs për punësime të reja. Edhe me kapacitetin aktual mundohemi t'u vijmë në ndihmë të burgosurve", thotë Zenun Matjani.

Ish i burgosur K.M. vlerëson se shërbimet profesionale duhet t'i kushtojnë një vëmendje të veçantë pendimit të të burgosurve. "Pedagogët dhe psikologët duhet të punojnë më shumë me të burgosurit, ata duhet të pendohen që të mos e bëjnë të njëjtin gabim. Nuk është qëllimi të rrish brenda katër mureve. Duhet të punohet që i burgosuri të mos e përsërisë të njëjtin gabim", thotë K.M.

Drejtoria për rikonstruksionin e burgjeve pranë ministrisë së drejtësisë ka paralajmeruar se në burgjet e Maqedonisë do të bëhen investime të konsiderueshme me qëllim që personave që kanë shkelur ligjin t'u mundësohet një jetë më normale gjatë vuajtjes së dënimit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani