1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia vendi më i prekur nga korrupsioni në BE

dpa/dw/PP4 Dhjetor 2013

Megjithë një përmirësim të ndjeshëm Greqia vazhdon të mbetet vendi më i prekut nga korrupsioni ndër vendet e BE-së. Në vendet e para radhiten Danimarka dhe Zelanda e Re të ndjekura nga Finlanda dhe Suedia me nga 89 pikë.

https://p.dw.com/p/1ASXA

Organizata Transparency International (TI) njoftoi se Danimarka dhe Zelanda e Re janë në krye të listës së 177 shteteve që ishin vrojtuar në lidhje me nivelin e korrupsionit. Gjermania dhe Islanda renditen në listë në vendin e dymbëdhjetë. Në fund të listës janë Somalia, Koreja e Veriut dhe Afganistani.

Më shumë se dy të tretat e 177 vendeve të analizuara arritën më pak se 50 pikë në Indeksin e këtij viti të Perceptimit të Korrupsionit.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit ( CPI ) shkon nga zero në 100, ku 100 është niveli më i ulët i korrupsionit në sektorin publik. Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i rendit vendet sipas shkallës që perceptohet se ekziston korrupsioni në mesin e zyrtarëve publikë dhe të politikanëve në secilin vend. Ky bazohet në sondazhe dhe anketa të ndryshme që zhvillohen nga nëntë institucionet e pavarura. Sipas Transparency International në pyetje merren biznesmenë dhe analistë të vendeve të ndryshme dhe të dhënat e tyre plotësohet edhe me anketa me qytetarët brenda dhe jashtë vendit .

Infografik Korruptionswahrnehmungsindex Transparency International 2013 Englisch

Greqia arriti këtë vit 40 pikë dhe vazhdon të mbetet vendi më i prekur nga korrupsioni ndër vendet e BE-së. Por problematik është korrupsioni edhe për Italinë, e cila me 69 pikë u rendit në vendin e 69-të, së bashku me Kuvajtin dhe Rumaninë.

Spanja ka bërë hapa prapa

Eksperti i Transparency International Finn Heinrich tha se Greqia, megjithatë, ka bërë përparime në luftën kundër krizës së borxheve dhe të luftës kundër korrupsionit. Krahasuar me Spanjën mund të thuhet se në të njëjtën periudhë kohore, Spanja ka bërë hapa prapa. Ndërsa Greqia është ngjitur nga vendi 94 në vendin e 80-të, Spanja ra nga vendi i 30-të në të 40-in. Athina ka marrë masa të ndryshme si emërimi i një të ngarkuari të lartë për luftimin e korrupsionit, kurse Madridi po u kushton pak vëmendje disa skandaleve korruptive të zbuluara kohët e fundit .

Eurozona me nivel të ulët korrupsioni

Në vendet e tjera të eurozonës, korrupsioni është problem i vogël. Nisur nga të dhënat e Bankës Botërore dhe Forumit Ekonomik Botëror Holanda zë vendin e tetë me 83 pikë, Luksemburg renditet me 80 pikë në vendin e njëmbëdhjetë. Franca, ekonomia e dytë më e madhe në zonën e euros, ka marrë 71 pikë dhe renditet në këtë mënyrë në vendin e 22-të. Gjermania mori 78 pikë dhe renditet e dymbëdhjeta, një vend më mirë se vitin e kaluar.

Në vendet e para radhiten Danimarka dhe Zelanda e Re të ndjekura nga Finlanda dhe Suedia me nga 89 pikë. Po ashtu nivel të ulët korrupsioni ka edhe në Norvegji, Singapor, Zvicër, Australi dhe Kanada.

Gjermania - pozicion i mesëm

Korrupsioni në sektorin publik ka shpesh "ndikime shkatërruese" tha Edda Müller, drejtuese e grupit të Transparency International për Gjermaninë. Vendi 12-të ku renditet Gjermania ndër vendet e botës, "nuk është një vend i keq," thotë Müller, por për luftimin e korrupsionit ka ende për të bërë, sepse në krahasim vendet evropiane, ky pozicion është vetëm pozicion i mesëm.