1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia pranon sfidën e "falimentimit selektiv"

18 Korrik 2011

Në prag të samitit evropian të enjten në Athina u përmend për herë të parë si i pranueshëm versioni i “falimentimit selektiv”. Për pasojat e tij flet Leonidas Vatiqotis, profesor ekonomie në Universitetin e Qipros.

https://p.dw.com/p/11ykl
Profesor Leonidas Vatiqotis.
Profesor Leonidas Vatiqotis.Fotografi: L. Vatikiotis

DW: Ç'pasoja do të ketë një falimentim i mundshëm selektiv në sistemin bankar dhe, për rrjedhojë, në depozitat e qytetarëve?

Vatiqotis: Pasojat në sistemin bankar nga “falimentimi selektiv” mbetet t'i shohim. Qeveria me një komunikatë të saj të jashtëzakonshme deklaroi se statusi i garantimit të depozitave deri në kuotën e 100.000 eurove për çdo depozitues, në secilën bankë, zgjatet deri më 31 dhjetor të vitit 2015. Ky status skadonte në fund të vitit 2011. Ky angazhim do të përftojë vlerë reale vetëm në qoftë se gjithçka do të shkojë mirë. E them këtë për arsyse se vitin e fundit ekonomia greke ka hyrë në një spirale recesioni të thellë: borxhi publik rritet me gjithë masat drastike të kursimeve që zbaton qeveria. Të ardhurat për familje gjithashtu, për shkak të papunësisë, uljes së madhe të pagave e mjaft faktorëve të tjerë. Kjo nuk mund të mos influencojë bankat. Mjafton t'ju them se kuota e kredive të ashtuquajtura “të kuqe”, që nuk po shlyhen më, u shtua tashmë nga 10 në 13-14 % . Mos vallë masat e kursimeve të kursit qeveritar do i japin më në fund dhe goditjen përfundimtare bankave, që për mendimin tim të kujtojnë “kufoma të gjalla”? 108 miliardë dollarë kanë marrë vitet e fundit bankat në formën e garancive dhe likuideve nga shteti grek, por ç'bilance do të shfaqin kur një numër gjithnjë e më i madh kredimarrësish të thjeshtë dhe biznesësh nuk do të mund të shlyejnë këstet e kredive të marra?

DW: Por në një gjendje të mundshme emergjente kanë “oksigjenin” e likuiditetit të Bankës Qëndore Evropiane...

Vatiqotis: Deri në këto momente bankat greke sigurojnë likuiditet nga Banka Qendrore Evropiane, pasi obligacionet e tyre janë cilësuar “mbeturina” nga agjencitë financiare. Por BQE, sipas statusit aktual, nuk mund të pranojë si garanci obligacione të një vendi të vlerësuar me statusin e “falimentimit selektiv” siç do të ndodhë në rastin e pjesëmarrjes eventuale, të kërkuar nga Gjermania, të sektorit privat, në menaxhimin e borxhit grek. Por në rastin e falimentimit selektiv, që praktikisht do të thotë se një pjesë e garancive që bankat i kanë dhënë Bankës Qëndrore Evropiane në formën e obligacioneve të sektorit publik grek shfuqizohen, Banka Qendrore Evropiane do të aktivizojë Mekanizmin e Asistencës së Jashtëzakonshme të Likuiditetit (Emergency Liquidity Assisntance -ELA) me qëllim që të evitohet një problem më i gjerë në sistemin bankar. Por bëhet fjalë për një gjëndje që në letra apo në kushte laboratorike siç përshkruhet nga qeveria dhe troika ngjan e parashikueshme, por në praktikë kam drojën se do të dalë jashtë kontrollit dhe do të përballemi me të papritura aspak të këndshme.

DW: Falimentim selektiv afatshkurtër, nga disa orë deri disa ditë, me likuiditetin të siguruar të bankave dhe qethje të borxhit deri 30% dhe, më kryesorja, me një menaxhim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të borxhit. Ç'të keqe ka një zgjidhje e tillë, që nga opozita kritikohet rëndë?

Vatiqotis: Qeveria ka bërë gabim që ka pranuar termin “falimentim selektiv”. Këtë term e kanë imponuar agjencitë e vlerësimit. Thonë se falimentimi selektiv është thjesht një gjendje e përshkruar nga agjencitë e vlerësimit dhe jo një gjendje konkrete përderisa shteti në këtë rast nuk trajton një obligacion konkret, p.sh. atë që skadon në vitin 2013, por vazhdon të shlyejë rregullisht detyrimet e tjera. Dakord. Por qeveria që nga momenti që thotë se do të zgjasë afatin e shlyerjes se obligacioneve, ka bërë gabim që ka pranuar termin “falimentim”. Thelbi është se në çdo rast jemi para një falimentimi. Këtu emri i togfjalëshit është falimentimi dhe mbiemri është fjala selektiv.

DW: A ka ndryshim esencial midis “falimentimit selektiv” dhe falimentimit?

Vatiqotis: “Falimentimi selektiv” thjesht limiton nga pikëpamja kohore falimentimin. Qeveria thotë “Nuk mund të paguaj obigacionet që skadojnë tre vitet e ardhshme, nuk bëj falimentim të përgjithshëm”. Kjo të kujton shprehjen “pak shtatzënë”. Kur qeveria thotë se pas tre vjetëve të ardhshme Greqia do të mund të kreditohet rregullisht, gënjen. Greqia do të jetë për tre vitet e ardhshme me statusin e “falimentimit selektiv” dhe për dekadat e ardhshme në qoftë do të vazhdohet kjo politikë kursimesh me status falimentimi të institucionalizuar. Ndaj finlandezët dhe hollandezët kërkuan “garanci hipotekuese” për kreditë që do të na ofrojnë. E dinë se Greqia nuk do të mund të shlyejë totalin e kredive qo do të jepen dhe kërkuan që të hipotekohen që tani ndërmarrjet publike, pyjet, malet dhe vija bregdetare...

DW: “Garancitë hipotekuese” duket se nuk do të evitohen në paketën e dytë të ndihmës. Janë ato një nxjerrje në ankand e pasurisë publike, siç dëgjohet nga shumë zëra?

Vatiqotis: Rreziku që duket qartë në këto momente është që pjesë apo më saktë pjesa më e mirë e pasurisë publike të Greqisë të jepen për një copë bukë. Këtu nuk bëhet fjalë për skenare. Aksionet e Telekomit Grek (OTE) i janë shitur para dy javësh Deutsche Telekom përkundrejt çmimit të 7 eurove për aksion, kur para 5 vjetësh ishin shitur 26 euro për aksion. Kjo është edhe arsyeja që partnerët tanë kërkojnë të përshpejtohet programi i privatizimeve. Motivimi tjetër, se kështu do t'i jepet një impuls ekonomisë për të hyrë në orbitë zhvillimi, për mendimin tim është në thelb sa sekondar po kështu edhe i diskutueshëm.

DW: Vihet re një vështirësi dhe një “zvarritje” përderisa i përket një vendimi unanim për paketën e re të ndihmës ndaj Greqisë. Përse?

Vatiqotis: Arsyeja është se ekziston një përplasje e pazakontë interesash përreth çështjes greke. Konkretisht nga njëra anë kemi shtetet që duan në rastin e falimentimit të jenë të parat që do të garantojnë kthimin e parave të tyre dhe nga ana tjetër privatët, bankat, që duan të njëjtën gjë. Në qoftë se dominon skenari i parë dhe kemi shtetet që do të thonë fjalën kryesore, siç dëshiron Gjermania, kjo do të shënojë humbje për poseduesit privatë të obligacioneve. Në rastin e dytë, kur fjalën kryesore do ta kenë privatët, humbjen do ta pësojnë shtetet. Ky është burimi i kontradiktave të dy javëve të fundit që u shoqërua dhe me shtyrjen për këtë javë të samitit evropian.

DW: Në ç'kushte dhe në çrast një “falimentim selektiv” mund të ishte i dobishëm si për Greqinë po kështu edhe për eurozonën?

Vatiqotis: Me asnjë lloj kushti dhe në asnjë rast. Bëhet fjalë për një zgjidhje katastrofale me kredi të reja. Ajo çka do të bëhet do të jenë obligacionet e reja në vend të atyre të skaduara me kushte më të rënda, me kamata shumë të larta. Kjo do të shtojë dhe më tepër borxhin publik nga 150% që është pothuajse sot në 180, 200 dhe 230% pas disa vitesh.

DW: Por cila mund të jetë zgjidhja, sipas jush, zoti Vatiqotis, në këtë qorrsokak të madh grek që shpesh përcillet si “tragjedi moderne greke”?

Vatiqotis: Ajo që duhet bërë për ekonominë greke është pezullim i pagesave. Borxhi publik është i stërmadh dhe i pamenaxhueshëm. Qeveria duhet të shpallë pezullim pagesash, siç ka bërë Rusia, Argjentina dhe Ekuadori. Kështu do të pushojë edhe “genocidi social” që është në zhvillin e sipër me mbylljen e qindra shkollave, dhjetëra spitaleve dhe institucioneve universitare.

DW: Sa i rrezikshëm mund të bëhet për eurozonën virusi grek ? Ka mundësi që e keqja t'i vijë eurozonës, siç thonë edhe analistë të famshëm gjermanë, nga vendet e Veriut dhe jo të Jugut dhe pse?

Vatiqotis: Besoj se Gjermania pavarësisht rreziqeve të mbarsura nga Greqia dhe vende të tjera të “sëmura” ka interes nga mbetja e Greqisë në eurozonë si vend eksportimi të mallrave të saj. Le të kujtojmë një reklamë të para disa javëve të nënshkruar nga banka dhe grupe të mëdha prodhuese multinacionale të Evropës Perëndimore, që thoshin “Mos iu shkojë nga mendja të shpërbëni eurozonën apo të nxirrni jashtë disa nga vendet e vogla”. Kjo ishte edhe një lloj presioni ndaj Berlinit për të zgjidhur problemet që kanë dalë dhe me përgjegjësinë e tij.

Intervistoi: Niko Anagnosti / Athinë

Redaktoi: E. Xhani