1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia në kthetrat e deflacionit

dpa/Lindita Arapi11 Dhjetor 2013

Në Greqi po bien në mënyrë dramatike çmimet, ndërsa pagat pritet që të bien me rreth 6%. Sipas ekspertëve shenjat e ripërtëritjes priten vetëm vitin e ardhshëm.

https://p.dw.com/p/1AWWl
Fotografi: picture-alliance/Wiktor Dabkowski

Greqia është përfshirë nga një rënie e shpejtë e çmimeve. Recesioni i thellë ka bërë që deflacioni grek të kapë shifrat më të larta të rënies që nga fillimet e regjistrimit statistikor në vitin 1960, bëri të ditur të hënën Zyra e Statistikave në Athinë. Mallrat si edhe shërbimet pësuan në nëntor një rënie çmimi prej 2,9% krahasuar me një vit më parë. "Kjo është e pashembullt për Greqinë", thotë ekonomisti Nikos Magginas nga Banka Kombëtare e Greqisë. "Një periudhë e zgjatur e deflacionit do të përkeqësonte dinamikën e borxheve greke." Edhe Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, OECD kishte paralajmëruar se një rënie e fortë e çmimeve do të dobësonte koniunkturën dhe do të rriste stadin e borxheve në krahasim me prodhimin e përgjithshëm bruto.

Pagat greke bien

Fajin kryesor për deflacionin e ka kriza ekonomike. Firmat dhe shërbimet punlike kanë shkurtuar pagat, me qëllim që t'i përgjigjeshin kërkesës së ndërkombëtarëve për të përmirësuar aftësinë konkurruese të Greqisë. Megjithëse çmimet aktualisht bien, Instituti gjerman për Studimet Ekonomike dhe Sociale (WSI) parashikon një rënie reale të pagave me 6,2% në Greqi.

Griechenland Athen Protest
Fotografi: Reuters

Në të njëjtën kohë papunësia, me 27%, është e lartë si kurrë më parë. Në këto kushte firmat nuk ia dalin me çmime më të larta. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që vlerat e inflacionit në Greqi do të qëndrojnë për një kohë të gjatë nën vlerën mesatare të eurozonës.

Ripërtëritja në vitin 2014

Ekonomia greke vazhdon të ndodhet në recesion të thellë, megjithëse ngadalësimin e ritmit të rënies ekonomike në muajt e verës. Prodhimi i përgjithshëm bruto i Greqisë ra me me 3% krahasuar me vitin e kaluar, njofton zyra e statistikave, Elstat. Por rënia është më e vogël se tre vitet e shkuara. Megjithatë ekspertët parashikojnë për Greqinë një ripërtëritje të vogël për vitin e ardhshëm. Për herë të parë prej gjashtë vitesh, prodhimi i përgjithshëm bruto do të shënojë rritje, megjithëse 0,6%.

Symbolbild Griechenland Pleite Finanzkrise Krise

Komisioni Evropian pret që "nga viti 2015 ekonomia greke të rimëkëmbet, por po qe se investimet arrijnë të kthehen në motorin e kësaj ripërtëritjeje. KE shpreson në një rritje ekonomie prej 2,9%. Ndërkohë Parlamenti Grek ka dhënë dritën e gjelbër për kursime të reja që kapin shifrën e tre miliardë eurove. Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komisionin Evropian dhe Bankën Qendrore Europiane nuk është arritur ende limiti i kërkuar për kursime. Inspektorët e troikës e anuluan një vizitë të planifikuar në Greqi për këtë javë. Me këtë hap mendohet që negocitatat e filluara në shtator për livrimin e këstit të ri të kredive të shtyhen sipas gjasave deri në janarin e vitit të ardhshëm.