1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga takimi i ministrave të financave të eurozonës - ECOFIN

Vilma Filaj-Ballvora16 Maj 2012

Grupi i Euros ndodhet në një dilemë të vështirë: ai do ta mbajë Greqinë në Unionin Monetar, por donatorëve po u humbet durimi.

https://p.dw.com/p/14w59
Ministrat e Financave të BE-sëFotografi: AP

Në Greqi priten sërish zgjedhje të reja, sepse asnjëra nga forcat politike nuk qe e gatshme t'u përmbahet kushteve për kursime dhe reforma. Ndërsa donatorët nuk duan në asnjë mënyrë të vazhdojnë të paguajnë pa kushte. Ministri gjerman i Financave Wolffgang Schäuble nuk pranon, që të ndryshohet paketa ndërkombëtare e ndihmave e përpiluar me mundim. "Nuk është fjala për çështjen që tani jemi disi më zemërgjerë ndaj Greqisë, por rëndësi ka se çfarë është e arësyeshme në aspektin ekonomik." Marrëveshja është "maksimumi" që ka qenë i mundshëm, tha Schäuble. Ai madje nuk sheh të ketë ndryshuar diçka me zgjedhjet në Greqi. Edhe ministri luksemburgas i Financave Luc Frieden mendon, se: "Ne nuk kemi bërë marrëveshje me një qeveri. Ne kemi bërë marrëveshje me republikën helene."

A do të ishte Greqia sot e aftë për t'u antarësuar në union?

Ministrja austriake e Financave Maria Fekter indinjohet veçanërisht prej politikanëve në Athinë, të cilët ndonëse e refuzojnë kursin e kursimeve, duan të vazhdojnë të marrin ndihma. "Nuk shkon, kur ne navijnë sinjale, se ata s'duan t'ia dinë për kushtet dhe as nuk e vrasin mendjen, sepse gjithësesi BE-ja vazhdon të paguajë. Ne nuk e pranojmë një qëndrim të tillë nga partnerët kontraktues." Nëse Greqia nuk u përmbahet premtimeve, atëherë nuk do të lëvrohen me para. Fekter nuk ngurron aspak të flasë për shkëputjen e mundshme të Greqisë nga Unioni Monetar, madje jo vetëm nga ky union. "Nuk mund të dalësh nga eurozona. Nga Bashkimi Evropian mund të dalësh. Kësisoj Greqisë do t'i duhej sërish të përpiqej për antarësimin. Por pastaj ne do të shihnim me kujdes, nëse Greqia do të ishte e aftë për antarësim." Me këtë deklaratë ajo lë të nënkuptohen shifrat e falsifikuara, me të cilat qeveria e atëhershme greke ia doli të mundësojë antarësimin në Unionin Monetar.

Griechenland Euro in der Krise Athen Griechenland Akropolis
Fotografi: AP

Zgjedhjet e reja mund ta përkeqësojnë edhe më shumë situatën

Por të tjerë i shohin gjërat më me kujdes. Ministri belg i Financave Steven Vanackere është i mendimit, se shkëputja vetëm nga eurozona - nuk "do të zgjidhte asgjë për Greqinë". Kësaj i shtohet edhe rreziku i të ashtuquajturit efekti domino, pra që edhe vende të tjera së shpejti të futeshin nën lupën e tregut, e në radhë të parë Spanja. Ky vend ende është larg realizimit të planeve, për të cilat është rënë dakord. Kushtet e riskut, që kërkojnë investuesit për kreditë për Spanjën, shtohen gjithnjë e më shumë. Ministri spanjoll i Financnave Luis de Guindos e konsideron vendin e vet edhe si një viktimë të krizës qeveritare greke: "Greqia duhet të marrë një vendim dhe të arrijë stabilitetin politik. Kjo do t'i ndihmonte eurozonës në tërësi." Homologu i tij irlandez Michael Noonan, vendi i të cilit gjithashtu merr ndihma ndërkombëtare, mendon, se Greqia ka tani në radhë të parë "një problem demokratik". Sipas tij zgjedhjet e reja nuk do të ndihmojnë: "Përse duhet nisur sërish nga e para?"

Presidenti i grupit të euros, Jean-Claude Junker bëri përpjekje të mëdha për ta mbajtur grupin të bashkuar. "Kërcënimet dhe udhëzimet" në adresë të popullit grek e indinjojnë atë, u shpreh Junker në fund të takimit duke pasur paraysh në radhë të parë deklaratën e Maria Fekter. "Unë asnjë sekondë nuk mendoj për shkëputjen e Greqisë nga zona e euros. Kjo është marrëzi, kjo është propagandë dhe ne duhet ta respektojmë demokracinë greke."