1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Taksistët në rrugë kundër “hapjes së plotë” të profesionit të tyre

16 Shtator 2011

Në Greqi, taksia hapet dhe lejet e shtrenjta private bëhen publike pa asnjë shpërblim me projektligj të shpallur nga qeveria. Taksistët flasin për “katastrofë” dhe kërcënojnë me “konfrontim total”.

https://p.dw.com/p/12ahz
Protestë e shoferëve të taksive në Sheshin Sintagma
Protestë e shoferëve të taksive në Sheshin SintagmaFotografi: Picture alliance/dpa


Taksistët grekë janë nëpër rrugë. Jo për punë dhe për hir të punës së tyre, siç do të ishte e natyrshme, por për të protestuar kundër “hapjes së plotë” të profesionit të tyre. E hëna dhe e marta e kësaj jave ishin ditë grevash, që do të pasohen nga të tjera deri në votimin e projektligjit së shpejti nga parlamenti. “Për ne është fundi. Jetë a vdekje. Nuk është shaka” i thotë DW Jorgos Dejanis nga Kalkida duke hedhur një vështrim të shpejtë mbi flamurin e zi, me të cilin erdhi në protestë në Athinë, si për të justifikuar këtë akt të tij “ekstrem”. “Unë në shtëpinë time çdo mesditë –kam gjysmën e taksisë dhe punoj 12 orë- çoj 20 euro neto” sqaron Dejanis, që sheh “ditë më të zeza mbijetese” pasi me ligjin e ri numri i taksive në qytetin e tij Kalkidë nga “160 që është sot, kur duhet të jetë 60, do të bëhet 300”. 

Jorgos Dejanis
Jorgos DejanisFotografi: DW


Taksistët: “Të japë leje të reja, por me kriter numrin e popullsisë, si në gjithë Evropën”

Shqetësimi i tyre, për fat të keq për qeverinë, përligjet dhe nga numri i madh i kërkesave për leje taksie, që në Athinë arriti në 8.000, që kur ministri i Transporteve Janis Ragusis papritur shpalli të hapur taksinë, që nga 2 korriku, pa limit në lejet e reja me kriter numrin e popullsisë. “Ne duam që taksitë të funksionojnë edhe këtu ashtu siç funksionojnë në gjithë Evropën. Kudo janë në fuqi kriteret e numrit të  popullsisë. Këtë bëri dhe ministri paraardhës dhe ishte dakord me projektligjin e tij edhe troika,” i thotë DW Andonis Seferlis, i cili e quan “keqdashës pretendimin se taksistët grekë duan të ruajnë privilegjet e tyre si kastë e mbyllur profesionale”.“Të japë leje, por me kriter numrin e popullsisë” vazhdon Seferlis, që në praktikë në fakt do të thotë asnjë leje tjetër, pasi aktualisht Athina ka 13.500 taksi kur “nxë” vetëm gjysmën e tyre. Ministri ndërkaq kundërpërgjigjet se në Evropë nuk ka standarde unike 2.5 taksi për çdo 1.000 banorë, “pasi Barcelona, Helsinki dhe Belfasti kanë 5 taksi për çdo 1.000 banorë”.


Akuza ndaj ministrit të Transporteve se është “njeri i karteleve”

Me taksinë të rrënuar nga vetë kriza –qarkullojnë bosh për orë të tëra nëpër rrugët e Athinës ose mbeten të gozhduara nëpër sheshe apo hyrje portesh dhe hotelesh- pyetja që shtrohet është pse ministri nuk tërhiqet siç i kërkojnë dhe mjaft zëra brenda qeverisë dhe partisë së tij, PASOK-ut. “Jo”, përgjigjet ministri, duke kujtuar “nevojën jetike të evitimit të falimentimit” dhe “orët më se kritike që po kalon vendi”. Këto ditë shpalli edhe “hapjen e plotë” të kamionave të shërbimit publik duke shfuqizuar periudhën kalimtare 3-vjeçare të vendosur pas një ballafaqimi të ashpër me pronarët dhe shoferët e tyre para një viti. “Thjesht do që të marrë taksitë nga duart tona dhe tua japë firmave, peshkaqenëve të mëdhenj”  i thotë DW Nikos Pepas, kreu i sindikatës së radiotaksisë së Tebës, një qytet afër Athinës. “Do që të na bëjë firma, të mos shkojmë mirë si firma të vogla dhe të na blejnë peshkaqenët e mëdhenj, siç tha kolegu” hidhet zoti Vitinjotis, kryesindikalisti i sindikatës së taksistëve të Qatos, një qytezë tjetër bregdetare afër Athinës. Akuzën si “njeri të karteleve”, që do të ngrihen për të shfrytëzuar fileton e klientelës së aeroporteve dhe hoteleve, ministri nuk e dëgjon vetëm nga taksistët por nga e gjithë opozita, e majtë por edhe ajo e djathtë. Demokracia e Re bile, që e ka taksinë “bastion” të saj tradicional, shpalli se me ardhjen e saj në pushtet do të abrogojë ligjin.   

Nikos Pepas dhe Vytiniotis(Vitiniotis). Foto: Nikos Anagnostis. 13.9.2011. Athen, Griechenland.
Nikos Pepas dhe Vytiniotis(Vitiniotis).Fotografi: DW

Lejet  e vjetra zhvleftësohen dhe bëhen publike pa asnjë shpërblim

Aristea Hajiioannou (Aristea Haxhioanu)
Aristea Hajiioannou (Aristea Haxhioanu)Fotografi: DW


 Atje ku ballafaqimi bëhet akoma më i ashpër është dispozita për lejet dhe vlerën e tyre. “Në këto momente leja bëhet zero, nuk kemi asgjë. E kemi blerë shumë miliona drahmi para 15 vjetësh, kishim bërë hesap ta shisnim në pleqëri  dhe tani mbetemi trokëllimë” i thotë DW taksistja Aristea Haxhioanu, familja e së cilës jeton vetëm nga taksia. Punojnë me turne së bashku me burrin e saj, por edhe djalin, që mbaroi studimet, por nuk gjeti punë në profesion. “Në vitin 1981 e kishte blerë im atë. Dymbëdhjetë milionë drahmi e kishte blerë. Para e madhe për atë periudhë. Ma kaloi mua. Ligji i ri e zhvleftëson fare dhe më e keqja automatikisht na le pa punë, do të kapin aeroportet firmat e mëdha dhe ne do të mbetemi pa bukë” thotë Theologos Venjamaqis, që erdhi  nga Kreta për protestën. Lejet pra të blera në tregun privat, për një periudhë edhe 200.000 euro, duhet t'i dorëzohen shtetit brenda 6 muajsh  pa asnjë shpërblim dhe poseduesi i saj pajiset me lejen e re falas,  që për pronarët e rinj mund të ketë një kosto deri 40.000 euro. Taksistët kërkojnë tek e fundit kompensim të vlerës së saj, siç u bë në Kanada.

Theologos Veniamakis (Venjamaqis)
Theologos Veniamakis (Venjamaqis)Fotografi: DW


Koha nuk punon për taksistët, që ftohen të pajtohen me “flijimin”e tyre

Toka po “rrëshqet nën këmbë” dhe për mjaft minoritarë grekë nga Shqipëria si Arqile Papajani që u bë pronar vite më parë, por edhe mjaft të tjerë që me krizën, nga ndërtimi iu kthyen taksisë për një vend pune, me të gjitha kursimet apo duke hyrë në borxhe bankare. “Humba një pasuri të krijuar me gjak, punë 12 orë në ditë për 21 vjet. Vjen Papandreu dhe e sekuestron brenda një nate, hap profesionin e taksistëve duke mbyllur derën e 50.000 familjeve”. Arqile thotë se është “e njëjta qeveri e cila që në vitin 2001 me ligj nuk u njihte të drejtën për të blerë taksi minoritarëve pa nënshtetësinë greke”. “Jetova regjimin e E. Hoxhës në Shqipëri, por më duket se e jetoj përsëri në Greqinë e Papandreut” përfundon duke ngrenë veten me dhëmbë për “fatin e tij”.

Babis Kujemitros
Babis KujemitrosFotografi: DW

Taksistët flasin për “flijim” të tyre dhe duket se e kuptojnë se koha nuk punon për ta. “Të ardhmen time nuk e shoh sigurisht te taksia, që në qoftë se kalon ligji bëhet profesion për firmat,” i thotë DW Babis Kujemitros me një aparat fotografik profesional në dorë. Nuk ka, thotë, “asnjë iluzion”. “Kjo qeveri nuk pyet as  për manifestime të mëdha dhe as për diçka tjetër. Vendos dhe urdhëron” thotë, kur ministri akuzohet për mungesën e dialogut esencial. Taksistët nuk i ngushëllon as fakti se po hapen edhe 150 profesione të tjera. Të paktën të kenë një “humbje të denjë”.

Autor: Niko Anagnosti/Athinë

Redaktoi: Auron Dodi