1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
TurizëmGreqi

Greqi: Qytetarët kundër mafies së shezlonëve të plazhit

Maria Rigoutsou
8 Gusht 2023

Në Greqi qytetarët janë ngritur kundër privatizimit ilegal të plazheve. Ata kërkojnë hapasira të lira në plazh për të vendosur peshqirët dhe çadrat e tyre dhe nuk duan të paguajnë shezlonët e shtrenjtë të bizneseve,

https://p.dw.com/p/4Usmc
Greqi, Paros: shezlonët zenë hapësirën publike dhe mbulojnë panoramën e detit
Greqi, Paros: shezlonët zenë hapësirën publike dhe mbulojnë panoramën e detitFotografi: Konstantinos Bizas/DW

Kush shkon në plazh në Greqi, e ka të vështirë të gjejë një vend për të vendosur peshqirin dhe çadrën e vet. Anë e mbanë hapësira është zënë meshezlonë e çadra. Prej radhëve me çadrat uniformë as që mund të shijohet panorama e detit. Këto orendi plazhi vendosen nga sipërmarrje, hotelierë, menaxherë baresh e kafenesh, të cilët kërkojnë qira për përdorimin e tyre - deri në 120 euro dita kushton një shezlon luksoz në ishullin e Kykladeve, Paros.

Por ndaj këtij biznesi është krijuar rezistencë. Lëvizja qytetare, që proteston kundër privatizimit ilegal të plazheve. "Ne mbrojmë të drejtën e qytetarëve dhe të vizitorëve të ishullit për akses të lirë në plazhet, që ne i duam", shkruan "lëvizja e Paros për mbrojtjen e plazheve" në faqen e saj të Facebookut. "Vera greke është pjesë e shpirtit tonë, është pjesë e identitetit tonë, ne nuk lejojmë, që të na e marrin këtë!"

Protesta e aktivistëve në Paros - kërkohen plazhe të lira publike
Protesta e aktivistëve në Paros - kërkohen plazhe të lira publikeFotografi: Konstantinos Bizas/DW

Asnjë vend i lirë në plazhe

Në media aktivistët i quajnë "lëvizja e peshqirëve". Por Konstantinos Bizas, prefekt i Paros dhe ishullit më të vogël Antiparos nuk e pranon këtë emërtim. Ai preferon termin lëvizje qytetare për mbrojtjen e plazheve. Sepse qëllimi është që të ruhen plazhet për publikun. "Sipas ligjit 50 vetëm përqind e plazheve lejohet t'u jepen sipërmarrjeve për përdorim biznesi, pjesa tjetër prej 50 përqind duhet të jetë hapësirë e lirë publike. E nëse kemi të bëjmë me zona të mbrojtura natyrore, lejohen vetëm 30 përqind për shfrytëzim biznesi", thotë Bizaas në intervistë për DW. Në zgjedhjet e ardhëshme ai do të kandidojë si i pavarur për postin e kryetarit të bashkisë. Deri atëherë ai angazhohet vet në nismën qytetare, që do t'ua kthejë plazhet për përdorim të lirë qytetarëve dhe vizitorëve.

Paros është ishulli i tretë për nga madhësia në arqipelagun e Kykladeve, direkt pranë ishullit më të madh Naxos. Ishulli ka 14.000 banorë të përhershëm dhe disponon mbi 700 ndërmarrje turizmi me kapacitet akomodimi 25.000 shtreteër. Këtyre u shtohen edhe 10.000 shtretër të ofruar përmes platformës Airbnb. Sipas të dhënave të autoritetit të portit vitin e kaluar numri i turistëve në ishull arriti në 750.000, të cilët joshen nga plazhet e shumta të bukura, ndër të cilët dhjetë konsiderohen si më të bukurit. Në këto plazhe janë hapur sipërmarrje, bare, kafene e restorane, që po shtrihen gjithnjë e më shumë në hapësirën e plazhit duke mos lënë asnjë vend të lirë publik.

Qytetarët në Paros duan plazhe të lira
Qytetarët në Paros duan plazhe të liraFotografi: Konstantinos Bizas/DW

Qytetarët protestojnë kundër privatizimit ilegal

Ish- mësuesi pensionist, Christos Georgousis është një ndër pjesëtarët e lëvizjes për mbrojtjen e plazheve si hapësira publike. Me kalimin e kohës situata në ishujt e preferuar për të kaluar pushimet po del jashtë kontrollit, thotë ai. Prej dy vjetësh askush nuk është kujdesur më për respektimin e rregullave. Në fillim të qershorit ai ftoi përfaqësuesit e autoriteteve lokale në një takim, për të diskutuar për zgjidhjen e problemit. Rreth 200 vetë morën pjesë. Në fund të korrikut pati dy demonstrata, ku morrën pjesë rreth 300 deri në 400 vetë, ndër to edhe të huaj, që banojnë në ishull ose e vizitojnë rregullisht atë.

"Lëvizja qytetare nuk është kundër turistëve apo sipërmarrjeve", thotë regjisori i filmave Panos Kekas në bisedë për DW. Aktivistët kërkojnë që të zbatohet ligji, pra që vetëm gjysma e plazheve mund të përdoret për biznes dhe pjesa tjetër duhet të lihet e lirë për publikun. Regjisori që jeton prej 15 vjetësh në ishull ka bërë edhe një film për këtë dukuri, që është e përhapur në të gjithë Greqinë.

Ekonomi tarafesh dhe struktura mafioze

Në lëvizjen qytetare në Paros marrin pjesë njerëz nga të gjitha partitë dhe grupmoshat, thekson aktivisti, mësues gjimnazi Tasos Kasapidis. "Lëvizja qytetare ka marre të dhënat nga autoritetet dhe konstatimet e nxjerra i ka vendosur në internet: "Në Paros licenca është dhënë për përdorim biznesi për vetëm 7.500 metra katrorë hapësirë plazhi, por në fakt bizneset kanë zaptuar gjithsej 18.500 metër katror hapësirë."

Plazhi në Paros
Paros, plazhi Fotografi: Konstantinos Bizas/DW

Jo vetëm në Paros, por në mbarë Greqinë hotelet dhe baret ekspandojnë me çadra e shezlone përtej hapësirës së marrë me qira, sepse autoritet nuk i kontrollojnë ato. Në shumë plazhe njerëzve që nuk duan ose nuk janë në gjendje të pagujnë çmimet e larta për shezlonët u refuzohet hyrja në plazh. Sipas legjislacionit grek plazhet janë publike dhe vetëm në kushte të caktuara nga komuna apo autoritete të tjera territore të caktuara mund të jepen me qira.

Për taktika elektorale ose thjeshtë sepse biznesmenët kanë njohje me politikanët apo kanë lidhje farefisnore, autoritetet bëjnë një sy e një vesh të shurdhër dhe nuk ushtrojnë kontrolle. Rezultati është që fare pak persona përfitojnë financiarisht në kurriz të pjesës dërmuese të qytetarëve.

Protesta po jep efektet e para

Një tjetër problem krahas ekonomisë së tarafeve në Greqi është edhe mungesa e kompetencës së autoriteteve. Me fjalë të tjera, një zyrë ia ngarkon përgjegjësinë një zyre tjetër. Megjithatë lëvizja për mbrojtjen e plazheve në Paros e mobilizuar gjatë këtyre dy muajve ka arritur shumë: "Zaptuesit ilegal të plazheve janë nxjerrë para përgjegjësisë", deklaroi së fundi ministri i Ekonomisë dhe Financave Kostis Hatzidakis. Në plazhin e preferuar Santa Maria në verilindje të ishullit Paros ndërkohë janë larguar çadrat e shezlonët nga hapësira publike dhe tre biznesmenë janë arrestuar e akuzuar. Prokuroria do të zbarkojë në ishull për të hetuar rrethanat. Përmes rrjeteve sociale është krijuar një rrjet solidariteti në mbarë vendin.