1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: Prindër të dëshpëruar nga kriza trokasin dyert e befotrofëve

4 Dhjetor 2011

Në Greqi së bashku me krizën në thellim po rritet edhe numri i prindërve që kërkojnë të lenë fëmijët e tyre nëpër befotrofe. Janë prindër të dëshpëruar, të papunë apo afaristë të falimentuar nga borxhet, 20% imigrantë.

https://p.dw.com/p/13MMT
Fëmijë duke kërcyer
Fëmijë duke kërcyerFotografi: Fotolia/stockmaker

Me fëmijën e vogël në prehër dhe kokën ulur, si për të fshehur lotët e saj, gruaja del nga zyra e Prokurorisë së Minorenëve të Athinës dhe largohet me shpejtësi nga shkallët, pa pritur as ashensorin e katit të katërt të godinës 16 të gjykatave. Sikur do të evitojë sytë e njerëzve për “mëkatin” e saj, që pak më parë i kërkoi prokurorit ta ndihmojë që vogëlushi i saj “të gjejë strehë dhe ushqim” në një nga fshatrat SOS, “të paktën sa të kalojë kriza”. Është ndoshta kjo ndjenjë “faji” e prindërve të dëshpëruar që e bën prokurorin Ilias Zagoreos shumë të kursyer në fjalët e tij në bisedën tonë në vazhdim, dhe ajo bile “off the record”.

Por lajmi ka marrë dhenë për rastet gjithnjë e më të shpeshta të prindërve, që të papunë ose të mposhtur nga borxhet nuk mund tu sigurojnë më fëmijve të tyre as ushqimin e përditshëm dhe u trokasin dyerve të institucionëve bamirëse për t'i strehuar. “Ishte këtu një familje që kërkon të vendosë fëmijën e saj në një institucion. Nuk mund ta ushqejë për shkak të krizës” i thotë DW Maria, një grua e moshuar dhe mjaft e informuar për fenomenin e cila erdhi bashkë me të shoqin në prokurori “për të parë dhe ndihmuar” siç thotë. “80% janë grekë nga ata që nuk mund të mbajnë me ushqim fëmijët e tyre dhe 20% janë të huaj” thotë Maria që me zi fsheh mallëngjimin e saj për “prindërit e gjorë që detyrohen tu privojnë fëmijve të tyre prehrin prindëror”.

Stergios Sifnios, shef i Sektorit Social të Fshatrave SOS. Discription: Stergios Sifnios, head of Social Service, speaks to DW. Key word: SOS kinderdorfer Griechenland. DW/Nikos Anagnostou, Athen Dez. 2011
Stergios Sifnios, shef i Sektorit Social të Fshatrave SOSFotografi: DW

Meditës të papunë dhe afaristë të falimentuar, jo njerëz të margjinalizuar

Janë prindër të dhembshur, meditës dhe afaristë të mbytur nga borxhet dhe të kërcënuar në disa raste dhe me burgim dhe jo prindër të papërgjegjshëm ose të margjinalizuar. “Është një realitet i ri. Njerëzit vijnë jo se ka ndërhyrë prokurori dhe ka vendosur të lenë kujdestarinë e fëmijve të tyre por se nuk munden” thotë Penelopa Vastaruka, kujdestare sociale e fshatit SOS Vari në periferi të Athinës. Në prokurori por edhe në zyrat e Shoqatës “Fshatra Fëmijësh SOS të Greqisë” në rrugën Ermu 6 të Athinës mësojmë për një “galeri” të tërë rastesh se si kriza pas drynit qe u kaloi në masë kantiereve dhe dyqaneve arriti tek prehri prindëror. “Kemi rastin e nënës e cila është shtatëzenë, ka një fëmijë, nuk mund të paguajë as qiranë e banesës dhe kërkoi ndihmën tonë, të mbajmë fëmijën me qëllim që ajo të mund të qendrojë vetë në këmbë dhe më vonë ta marrë përseri” i thotë Deutsche Welles Stergios Sifnios, shef i Sektorit Social të Fshatrave SOS.

Para prokurorit një ditë u shfaq një çift afaristësh që kërcënohej me burg për shkak të borxheve dhe kërkonte të fuste dy fëmijët në një nga fshatrat SOS. Me ndërhyrjen e tij u verifikua se disa nga vendimet gjyqësore kishin skaduar, kurse për të tjerat u shty afati i zbatimit të tyre dhe familja fitoi kohë dhe shpresë të qendrojë në këmbë. Me shpresë se fëmijët do të mbeten në vatrën familjare jeton dhe një çift tjetër nga distrikti Peristeri, që siç mësojmë në prokurori “është kaq dinjitoz që vështirë të kuptosh problemin e tij. Janë të papunë, jetojnë në një shtëpi 33 metra katrorë me tri fëmijët dhe duhet të paguajnë 1.200 euro në muaj për kartat e kreditit”.

Fëmijë shqiptarë në Greqi
Fëmijë shqiptarë në GreqiFotografi: TdH

Protagonistë të historive të dhimbshme edhe imigrantë

Protagonistë të historive të tilla të dhimbshme, që shpalosen përditë, disa me happy end, se bëhet çmos që fëmijët të mos shkëputen nga prindërit, janë edhe imigrantë. “Një rast konkret që tiu përmend nga Shqipëria nuk kam, por të etnive të tjera kam plot” thotë Sifnios. Një afrikan 40-vjeçar ka lënë së fundi dy vajzat e tij, 9 dhe 7 vjeç, të cilat tani shkon dhe i viziton shpesh.

Kriza vë në sprovë edhe strukturat e institucioneve bamirëse

Nuk ka dyshim se shtimi i numrit të fëmijve të larguar nga vatra familjare është “vepër” e krizës në thellim nga viti në vit. “Vetëm për 6mujorin e parë të vitit 2011 në krahasim me vitin 2010 ka një rritje 65% të rasteve, nga të cilat 50% janë për arsye ekonomike. Gjë që për ne është e paparë, se ne zakonisht kishim kërkesa për shkaqe të tjera sociale” thotë Stergios Sifnios. Fshatrat SOS, në Athinë, Selanik dhe Aleksandrupoli së bashku me 3 Qendra Asistence të Familjes (një tjetër përgatitet në Kretë), siç na thotë, trajtojnë rreth 1.000 raste, 250 nëpër vatrat e tyre dhe të tjerat me ndihmë ekonomike por edhe konsulencë familjeve.

Fëmijë shqiptarë në Greqi
Fëmijë shqiptarë në GreqiFotografi: TdH

Fshatrat SOS ftohen të rrisin këtë kontribut të tyre të vyer kur kriza po vë në sprovë strukturat e tyre. Së fundi institucioni bamirës “Buzëqeshja e Fëmijës” drejtoi apel dramatik për ndihmë, kur 20 befotrofe të sektorit privat kanë leshuar sinjalin SOS dhe rreth 19 të tjera të sektorit shtetëror me 950 fëmijë përballen me vështirësi të mëdha. “Ne në Greqi nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti grek për sa u përket problemeve ekonomike. Veç kësaj për herë të parë në historinë e këtij vendi taksohen edhe institucionet bamirëse” thotë Sifnios, i cili var shpresat vetëm tek donacionet private. Shkurt tek solidariteti qytetar, që në këtë rast përfton një vlerë të veçantë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama