1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi : Papunësia parapëlqen imigrantët

17 Nëntor 2009

Kriza globale godet në radhë të parë të dobëtit. Nga ky rregull nuk bëjnë përjashtim as imigrantët, që në Greqi duket se “preferohen” nga papunësia e cila ka arritur zyrtarisht në 13.5 përqind .

https://p.dw.com/p/KZF0
Papunësia ndërkohë rritet dhe po bëhet kërcënim social duke arritur 13.5 përqind.
Papunësia ndërkohë rritet dhe po bëhet kërcënim social duke arritur 13.5 përqind.Fotografi: picture-alliance / Bildagentur Huber/AP/Montage DW

Shtimi i ndjeshëm i numrit të imigrantëve të grumbulluar përditë përreth sheshit Omonia, në qendër të Athinës, është dhe një lloj barometri i përmasave shqetësuese që merr papunësia me thellimin e krizës në vend.

Anastas Papa nga Delvina është njëri prej shumë imigrantëve shqiptarë që pjesën më të madhe të ditëve të vitit, veç atyre kur i buzëqesh fati me ndonjë punë të rastit, këtu e një vit e gjen para kioskës “Everest”. E konsideron vetën bile me fat që gjen ndonjë punë falë një miku të tij grek: “Më ndihmoi një i njohur. Me të kërkuar punë tek tuk, më ofron punë të ndryshme, nëpër lulishte, bojaxhi, saldime se kam punuar si saldator”.

Stacioni i fundit, Padras.
Stacioni i fundit, Padras.Fotografi: DW-TV

Nuk ka dyshim se pyetja nëse ka siguracion në këto lloj pune është më shumë retorike: “Punë pa siguracion... punë në të zezë, si i thonë. E vështirë shumë vështirë,” përgjigjet me një zë të qetë, si njeriu që flet për gjenë më të natyrshme. Edhe kur vjen fjala për fëmijët e tij bile, ata të dy që ka akoma brenda shtëpisë, se “dy të tjerët janë martuar dhe janë nëpër punët e tyre”. “Nuk kanë punë edhe ata, me intervale por nga të tjerët një çikë më mirë”.

Por si ia del mbanë familja me koston në rritje gati përditë?

Një farë ndihme ishte sigurisht dhe siguracioni social që përfitoi për një vit, sipas kodit grek të punës. “Një vit me rreth 600 euro në muaj. Por nuk arrijnë, qiranë e kam 500 euro se jam familjar. Le pastaj, dritat, uji, të hash, të jetosh,” thotë Anastasi, i cili si me një ndjenjë faji indirekt e pranon se “burri i shtëpisë” është bërë gruaja pasi ajo e mban me punën e saj. “Më shumë kanë punë gratë që punojnë nëpër shtëpira se sa burrat,” thotë Anastasi, i cili me një ndjenjë humori perifrazon dhe vargjet e Andon Zako Çajupit “Burrat në Omonia mblidhen kuvendojnë/pika që su bie se nga gratë rrojnë...”.

Atëherë është kur kthen menjëherë bisedën në vitet e punës së tij në firmën e madhe ndërtuese “Babis Vovos” ku punoi, siç thotë, “disa muaj më pak se shtatë vjet”. “Ekonomikisht njerëzit që punonin atje nuk ankoheshin, ishin shumë të kënaqur sepse kishin një rrogë mujore të kënaqshme,” thotë dhe për rreth 500 bashkatdhetarë të tjerë, që ndërkohë u liruan pothuajse të tërë nga puna me mbylljen e kantierit të ndërtimit në departamentin e Marusit.

Tani rrimë masim rrugët e Omonias

I njejti fat por edhe e njejta autosarkazëm, veti e njerëzve që vështirësitë e jetës nuk i mposhtin, edhe nga Zeneli nga Vlora për papunësinë që duket se “preferon” imigrantët: “Punoja në një magazinë ushqimesh. Furnizoja supërmarketet. Kur filluan shkurtimet, shkurtoheshin tre nga të huajt, një nga vendasit. Tani rrimë masim rrugët e Omonias sa të gjata janë”... E njëjta përgjigje sëmbuese e dhe kur e pyesim nëse mendon kthimin në Shqipëri: “Kthim prapa nuk ka. Këtu mbledh ndonjë shishe. Ha një copë bukë, aty s'ka as shishe”.

Shitës ambulant
Një grek kushton 1.500 euro, kurse një i huaj 800 euro.Fotografi: Nikos Pilos

Ilia, siç na prezantohet me emrin e vogël, pas tezgës së tregtarit ambulant vendas, që duket se “përgjoi” bisedën ka mendim të kundërt: “Të huajt kushtojnë më pak. Secili tani me krizën që ekziston mendon se si do të ulë shpenzimet. Një grek kushton 1.500 euro, kurse një i huaj 800 euro. Diferencë e madhe”.

Pak më vonë në tregun popullor të së shtunës, në rrugën Kalidromiu, ku shumica e shitësve pas tezgave ishin të huaj, qytetari grek Nikolas Kontaqis, me fjalët e tij kujton kërkesën e nacionalistëve të Karaxhaferis: “Ajo çka i duhet vendit është të pranojë vetëm një kuotë të caktuar, aq sa na duhen për punë konkrete. Të bëhet një kontroll siç bëhej në Gjermani më herët, në Kanada, SHBA, Belgjikë. Por moskontrolli është gjëja më e keqe”. “Jo nuk jam dakord se u marrin punët vendasve. Të huajt erdhën dhe megjithëse një pjesë janë edhe me diploma bëjnë punët që si bëjnë grekët”, do të thoshte nga ana e saj zonja Vafiadhi tek dilte nga Tehnupoli, ku zhvillohej festivali antiracist dhe shkoi për të kaluar të shtunën pasdite.

Një grek kushton 1.500 euro, kurse një i huaj 800 euro

Të huajt në një masë të madhe të tyre ndërkohë e humbën edhe “avantazhin” e të qënit më të lirë, pasi me ligj u kërkohet një minimum 150 ditë pune me siguracion për rinovimin e kartave. Papunësia ndërkohë rritet dhe po bëhet kërcënim social. 13.5 përqind dhe jo 9.6 përqind, siç thuhej në korrik, është papunësia sipas ministrit socialist Andreas Lloverdhos, i cili foli në parlament për 650.000 të papunë, në një kohë që sindikalistët i përllogarisin në 800.000- 1 milion. Përballë indekseve të tilla të një ekonomie në recesion të thellë dhe në “mbikqyrje” të rreptë financiare të Brukselit, e vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se pa kontributin e imigrantëve gjërat do të ishim shumë më keq.

Autor : Niko Anagnosti

Redaktoi : Aida Cama