1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqi: 500.000 racione falas përditë

15 Tetor 2010

Në Greqi kriza e thellë bashkë me radhët e të papunëve shton edhe radhët e njerëzve nevojtarë dhe të pastrehë që për mbijetesën e tyre u drejtohen qendrave të ushqimit të kishës dhe bashkive.

https://p.dw.com/p/Penu
Kriza e thellë ka shtuar radhët e njerëzve nevojtarë
Kriza e thellë ka shtuar radhët e njerëzve nevojtarëFotografi: DW

Janë jo vetëm të huaj, por edhe vendas me një shtim progresiv bile të numrit të tyre. Vetëm Kryepeshkopata e Athinës shtoi racionet e saj brenda 6 muajsh nga 5.000 në 10.000. Në gjithë Greqinë kisha ndan 500.000 racione përditë.

Rruga Sofokleus, në qendër të Athinës, ka kohë që mban “privilegjin” e hidhur të pasqyrimit real të varfësirë dhe dëshpërimit njerëzor që sjell kriza që po thellohet përditë e më shumë. Në lartësinë e saj dy rrugica sa pa dalë në sheshin Kumunduru, përditë formohet një radhë e stërgjatë njerëzish që pret të marrë racionin e bukës për të mbajtur gjallë shpirtin.

Philip Bakolas
Philip BakolasFotografi: DW

“Në mëngjes janë pothuajse 900 vetë dhe ushqimin e jep Bashkia. Në drekë, në dy e gjysëm ndan ushqim kisha për 1.500 vetë” thotë Nikos Llazllos, një i ri që këtu e 14 muaj në rolin e portierit hap dhe mbyll portën e hekurt në mposhtje të urisë të bashkëqytetarëve të tij. “Vullnetar jam, nuk kam ku të shkoj. Edhe unë në rrugë isha. Arrita të kem një strehë me një mikun tim” shprehet Llazllos, si për të thënë me një “ndjenjë faji” se vendi i tij sigurisht që duhet të ishte gjetkë. Këtë përshtypje të jep edhe pamja e tij, ndaj dhe nxiton të sqarojë. “Për punë kam ardhur këtu. Axhustator jam. U mbyll puna dhe mbeta rrugëve për tre muaj me radhë” thotë pa hequr sytë e tij nga radha që sa vjen e shtohet.

Brenda pak minutash radha zgjatet frikshëm. Nga kanë mbirë gjithë këta njerëz! mendon. Porta hapet detyrimisht se trotuari nuk e nxë gjithë këtë lumë njerëzish që menjëherë krijon dy rreshta brenda sheshit, që shndërrohet, si përditë, në një babel gjuhësh dhe racash njerëzore. “Ne nuk shohim nacionalitetin e një njeriu nevojtar, por fytyrën e tij, njeriun. Çdo njeri është shëmbëlltyrë e zotit dhe ajo që na intereson është të lehtësojmë dhimbjen e tij, qoftë grek, qoftë i huaj” thotë patër Ioanis Llambru që ashtu si gjashtë muaj më parë e gjetëm përseri në sheshin e “tavolinës së solidaritetit” që kisha shtron përditë për njerëzit nevojtarë, të papunë, të pastrehë, të margjinalizuar, të pashpresë.

Prifti Ioanis Lambrou
Prifti Ioanis LambrouFotografi: DW

“Kisha e ka vënë veprën bamirëse shumë lart dhe plani është që vetëm Kryepeshkopata e Athinës nga 5.000 racione që ndante përditë para gjashtë muajsh të arrijë në 10.000 racione në ditë” thotë patër Ioanis pa fshehur keqardhjen e tij për zgjatjen dëshpëruese të radhës së nevojtarëve."

Konstandinos Dhimcas, drejtor i përgjithshëm i OJQ “Misioni” jep për DW një tablo më të plotë për gjithë Greqinë. “Përveç punës që bëhet në Kryepeshkopatën e Athinës, në pellgun e Atikës, duhet të theksojmë se Kisha Greke ndan përditë 500.000 racione ushqimi që me një përllogaritje të thjeshtë matematike do të thotë se çdo 20 ditë ushqehet një herë e gjithë popullsia e Greqisë” thotë Dhimcas, i cili e konsideron të padrejtë opinionin se “kisha ushqen vetëm të huajt”. Ashtu siç konsideron absurd çdo rast braktisjeje të njerëzve nevojtarë si “vetëfajtorë” dhe tregon dy ndodhi: Për një irakian “dy metra, sa një dollap” para sheshit ku ndodhemi që para një jave u tha “kam katër ditë pa bukë dhe dua katër racione se përndryshe do t'iu ha të gjithëve”. Dhe për një grua 50 vjeçare që vjen përditë dhe merr “pesë racione dhe kur shkon në shtëpi i vendos në tenxhere para se t'i ndajë që të mos kuptojnë fëmijët se nuk kanë bukë që kur babai i tyre ka humbur punën”. Dhimcas flet për një gjendje kritike që kërkon sa humanizëm po aq edhe fonde për tu përballuar. “Vepra jonë, ka dy objektiva: Objektivi afatshkurtër ka të bëjë së pari me tavolinat e dashurisë. I dyti është strehimi i të pastrehëve, ku u ofrohet veshmbathje dhe një mjedis për të bërë një banjë dhe për të fjetur. I treti është që të nxjerrim deri në fund të janarit edhe ekipe ambulante për kurimin elementar shëndetësor të nevojshëm. Objektivi afatgjatë ka të bëjë me krijimin e një qendre për njerëzit që janë në stadin e fundit të kancerit dhe aktivitete të tjera që janë përfshirë në një program 3-vjeçar”.

Qendrat e ushqimit të kishës dhe bashkive
Qendrat e ushqimit të kishës dhe bashkiveFotografi: DW

Punë dhe të drejtën për të jetuar, një shpresë për të ardhmen kërkojnë edhe njerëzit e radhave si Filipos Bakollas, që, siç thotë, i kthyer nga Gjermania në moshën 35 vjeç, hapi një punishte druri, por që kriza ia mbylli duke lënë në rrugë bashkë me 20 punëtorët edhe pronarin vetë. “Do të doja të dija në këtë shtet nuk mund të hapin fabrika, t'u japin punë njerëzve? Unë me arsim fillor munda të punësoj 20 vetë, këta me shkollë me Harvard dhe Oksford nuk mund ta bëjnë?” thotë Bakollas që mendon përsëri emigrimin në Gjermani. Në mos punë aty do të gjejë të paktën, siç thotë, “përkujdesje sociale” pasi iu “rend jeta për një racion buke nëpër radha”.

I njejti fat edhe për një numër imigrantësh shqiptarë, të paktë në numër, që ndërkohë duket se janë më “stoikë” siç ndodh me njerëzit e mësuar me privacione. “Marr pesë racione në ditë, për tri fëmijët dhe dy ustallarët” thotë me një sens humori Edmondi nga Berati, që nuk e konsideron turp por gjithsesi preferon të prezantohet me emrin e shkurtër, se “krenaria ballkanike” e pret në qoshe. “Unë vete afërsisht 20 vjet në Greqi: Jam nga të parët fare. Me përjashtim të këtij viti të fundit kam kaluar mirë” thotë dhe sqaron se ka punuar në ndërtim por gjithçka i erdhi mbrapsht që kur theu dorën, hoqi tëmthin dhe humbi punën. Është i regjistruar si i rregullt dhe harë pas here merr dhe shokë të tjerë. “Jam shofer i organizatës Alilengjii (Solidariteti) dhe sjell këtu përditë ushqimin për njerëzit që janë pa punë, pa strehë, pa gjë hiç” thotë Vasil Suloti që kërkon me sy mos dallojë ndonjë “patriot” tjetër nëpër radhë.

Njerëz “Pa gjë hiç”, një shprehje që ta bën më të rëndë dhimbjen në stomak me pamjen që shpaloset para syve të tu. Por njerëz me forcë shpirtërore, si ajo që i duhet njeriut të qëndrojë përditë në radhë për racionin e bukës që mban gjallë ndërkohë dhe shpresën për jetën. Për cilëndo jetë.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama