Gjermanisë i duhen më shumë studentë të huaj
8 Shtator 2010Ministrja e Arsimit Annette Schavan dhe udhëheqësi i zyrës së Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në Berlin, Heino von Meyer, ishin të martën (07.09.'10) të një mendimi: të investosh në arsim ia vlen. Por sa i përket angazhimit të Gjermanisë në këtë drejtim, mendimet janë të ndara. Von Meyer pohon se në Gjermani ka shumë pak studentë, sepse vetëm 40 përqind e nxënësve që kanë përfunduar shkollat vazhdojnë studimet. Ndërkohë që mesatarja në 31 vendet e tjera anëtare të OECD-së, është mbi 50 përqind.
Ministrja nuk i trembet të dhënave statistikore
Ministrja e Arsimit Schavan nuk influencohet shumë nga këto të dhëna të viteve 2007 dhe 2008. Nga mesi i viteve 90-të deri më sot mesatarja e nxënësve që regjistrohen në fakultete është rritur nga 26 në 43 përqind. Fakti që Gjermania është vendi i tretë për nga numri i studentëve të huaj, sipas ministres, paraqet një zhvillim pozitiv.
"Vitet e ardhshme do ta shtojmë këtë përqindje, me qëllim që të lehtësojmë edhe regjistrimin e studentëve të huaj. Në interesin e shoqërisë tonë është që shumë të huaj pas studimeve të mbeten në në vend", pohon ministrja.
Në këtë çështje, ministrja dhe ekspertët kanë mendime të ngjashme. Gjermanisë i mungojnë kuadrot e kualifikuara në disa fusha. Heino von Meyer mbështet angazhimet e qeverisë federale, për uljen e pengesave burokatike për të huajt nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
Të huajt një burim i rëndësishëm
"Pikërisht për mbulimin e nevojave për kuadro të kualifikuara, të ardhurit nga vendet e tjera janë një burim shumë i rëndësishëm. Lehtësimet në këtë drejtim duhet të përshëndeten", thotë ai.
Sipas ekspertëve, Gjermania duhet të investojë më shumë në arsim. Aktualisht ajo jep 4,7 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa mesatarja në vendet e tjera të OECD-së është 6,2 përqind.
Ministrja Annette Schavan shpjegon se shteti do të investojë deri më 2013 edhe 12 miliardë euro në këtë fushë. Sipas saj, studentët e huaj luajnë këtu një rol të rëndësishëm. Por Schavan thekson se në tregun e punës ka dhe probleme të tjera.
"Në qoftë se e shtojmë numrin e të kualifikuarve nga 50 në 55 përqind - e kjo tendencë është në rritje - atëherë është e qartë se do të ketë mangësi në fushat e tjera", pohon ajo.
Ministrja e ka fjalën për fuqinë punëtore pa tituj akademikë, si për shembull në shëndetësi. Ajo është e bindur se edhe në të ardhmen do të ketë nevojë për shkollimin universitar dhe shkollat profesionale. Parë nga ana statistikore, papunësia e të rinjve në Gjermani është rreth 10 përqind, ndërsa në vendet e tjera të OECD-së, ajo është dy herë më e lartë.
Autor: Marcel Fürstenau / Bahri Cani
Redaktoi: Eliana Xhani