Gjermania shënon ngritje në renditjen për shkencat natyrore - publikohet krahasimi ndërkombëtar për arsimin "Pisa"
19 Nëntor 2008Në gazetën "Thüringer Allgeimeine" lexojmë: "Sistemi arsimor në Gjermani dalëngadalë po del nga situata e vështirë aktuale e krahasimeve ndërkombëtare të të ashtuquajturit "studimi i Pisës". Kjo falë landeve të reja nga pjesa lindore e vendit. Saksonia është numri "një" në renditje, e pasuar nga Turingjia. Dy vite përparësi kanë këtu nxënësit e shkencave natyrore në krahasim me nxënësit nga landi i fundit në renditje, Bremeni. Kjo nuk mund të shpjegohet vetëm me përqëndrimin më të madh të familjeve me origjinë të huaj dhe vështirësitë e tyre me gjuhën në landet e tjera. Duhet pranuar se struktura e e shkollave në Lindje, me gjimnaz dhe shkolla të mesme të profilizuara i mbështet shumë më tepër nxënësit. Po kështu atje klasat janë më të vogla dhe si rrjedhim ka një numër më të madh mësuesish. Në fund nuk duhet harruar edhe ndikimi i relikeve të sistemit shkollor të ish RDGJ-së, i cili megjithë ngrirjen në aspektin politik, i dedikonte rëndësi të madhe lëndëve të shkencave natyrore."
"General Anzeiger" komenton: "Saksonët, të cilët në nivel ndërkombëtar janë madje në vend të dytë pas Finlandës, treguan se si mund të arrihen rezultatet. Ata kanë shfrytëzuar rënien e lindshmërisë për të formuar klasa më të vogla dhe për të ndihmuar më mirë nxënësit me mbarëvajtje të dobët. Gjithashtu me sistemin e aplikuar shkollor me gjimnaz dhe shkolla të mesme të profilizuara ata kanë zhvilluar një formë që ofron shumë mundësi në tregun e punës. Ky model ia vlen të diskutohet edhe nga landet e tjera."
"Wiesbadaner Kurier" kritikon sistemin federalist të arsimit në Gjermani: "Vetëlëvdatat e politikanëve dhe pedagogëve pas rezulateteve të fundit të studimit Pisa tingëllojnë boshe sapo shqyrtohet më me kujdes niveli i pikëve të 15-vjeçarëve gjermanë. Vërtet rezultatet në disiplinat e testuara, shkenca natyrore, matematikë dhe lexim/kuptim teksti janë përmirësuar në krahasim me vitin 2000. Por shpërndarja rajonale dhe sociale e këtij përparimi vazhdon të jetë skandaloze dhe nuk flet aspak për eficiencë të sistemin tonë federal të arsimit."