Gjermania përkrah Maqedoninë në rrugën e liberalizimit të vizave me BE-në
12 Dhjetor 2008"Pas këtij takimi u bë e qartë se Gjermania, siç e tha edhe ministri i punëve të brendshme, Shojble (Schäuble), do ta mbështetë Maqedoninë në rrugën e liberalizimit të vizave. Në veçanti kur dihet se, Maqedonia ka arritur rezultate shumë të mira në vendosjen e drejtësisë dhe sigurisë në vend," u shpreh ministrja Jankullovska.
Ndërkohë nga kabineti i ministrit gjerman të punëve të brendshme u kumtua se Maqedonia është lider i vendeve të rajonit, sa i përket plotësimit të kushteve për lirimin nga vizat. Mbështetja e Gjermanisë është e pakontestueshme, prandaj është e mundur që vitin e ardhshëm në nivelin e BE të merren vendimet përkatëse në këtë drejtim. "Sinjalet që kemi marrë janë shpresëdhënëse dhe shpresoj se në çështjen e liberalizimit të vizave nuk do të mbizotorojnë presionet politike dhe mendimet subjektive të disa vendeve anëtare të BE-së. Këto mendime subjektive nuk mund të aplikohen në rastin e Maqedonisë, sepse Republika e Maqedonisë i ka plotësuar kushtet e parapara," tha Shojble.
Ministrja Jankullovksa ka nënshkruar në Berlin edhe marrëveshjen për bashkëpunimin e policisë maqedonase dhe asaj të Brandenburgut. Në takimet e zhvilluara në Berlin, vëmendja më e madhe ju kushtua luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Kryeshefi i policisë së Brandenburgut, Jürgen Schtorbeg, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacioneve për luftimin e terrorizmit brenda BE, por edhe me Maqedoninë. "E dimë se Maqedonia në bazë të përvojave në Ballkanin perëndimor ka zhvilluar metodat e veta, që mund të jenë një pasurim i madh në luftën kundër terrorizmit dhe vendosjen e sigurisë," theksoi ai.