1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania në garë për lëndët e para

30 Prill 2012

Frika e qeverisë dhe e industrisë gjermane është e dukshme: Në garën botërore për qasje në burime Gjermania mund të dalë e humbur. Më parë askush nuk mendonte se furnizimi me lëndë të para mund të bëhej problem.

https://p.dw.com/p/14myA
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në leksikun e politikës gjermane janë rikthyer në modë kohët e fundit fjalë që për shumë kohë dukej se i përkisnin një epoke tjetër. "Sigurim lëndësh të para" është njëra prej tyre, apo "politikë e jashtme për lëndë të para". Madje kancelarja Angela Merkel është duke paralajmëruar prej daljes së Gjermanisë si e humbur nga ndarja e burimeve: "Duhet qenë objektiv. Nami i Gjermanisë është i shkëlqyer në trajtimin teorik të një detyre. Pastaj bëhet fjalë për pyetjen se kush investon kur dhe si. Atëherë përjetojmë shpesh që duke iu referuar punës sonë përgatitore teorike vende të tjera janë gati pak më të shpejta." Është hera e tretë që fraksioni i partisë qeveritare konservatore CDU dhe CSU mbajti këto ditë një kongres mbi temën e lëndëve të para.

Aleanca për sigurimin e lëndëve të para

Qysh prej ngjitjes së Kinës dhe të vendeve të tjera në industrializim e sipër po zhvillohet një garë për sigurim burimesh, garë e cila nuk zhvillohet vetëm nëpërmjet çmimit, po sa vjen e më shumë edhe përmes marrëveshjeve, të drejtave për të nxjerrë mineral dhe lidhjeve politike. Prandaj, industria gjermane kërkon të marrë pjesë më shumë në biznesin me lëndët e para.

Rafineri nafte në Kazakistan
Rafineri nafte në KazakistanFotografi: AP

Ditët e fundit dhjetë sipërmarrje të mëdha kanë themeluar një sh.p.k. të Aleancës për Lëndët e Para, e cila do nisë të veprojë në tregtinë dhe nxjerrjen e burimeve të rëndësishme. Në të janë përfshirë koncernet e mëdha industriale gjermane: Thyssen, BASF, koncernet e mëdha automobilistike. Qeveria gjermane ka filluar gjithashtu të lidhë "partneritete për lëndë të para" me vende të pasura me lëndë të para si Kazakistani dhe Mongolia. Nëpërmjet tyre synohet të mbështeten investimet gjermane. Sidoqoftë industria gjermane është një partner tërheqës për vendet e prejardhjes së lëndëve të para, beson Ulrich Grillo, zëvendëspresident i Lidhjes Gjermane të Industrisë: "Ne nuk kemi aq para sa kinezët apo të tjerë, të cilët mund të hedhin miliarda. Mirëpo, ne kemi shumë për të ofruar: Teknologji, know-how, prandaj shumë vende të nisin diçka edhe me Gjermaninë. Këtë ne duhet ta shfrytëzojmë."

Kohërat ndryshuan...

Për një kohë të gjatë, sigurimi i lëndëve të para nuk përbënte problem për Gjermaninë. Vendet e industrializuara perëndimore i ndanin në pjesën më të madhe mes veti pasuritë nëntokësore të Afrikës dhe të Azisë. Kërkesa nuk e kalonte ofertën, lëndët e para mund të bliheshin në treg dhe nuk mund të parashikohej që kjo gjendje mund të ndryshonte ndonjëherë.

Besimi në tregjet botërore ishte aq i madh saqë pak nga pak shumë firma hoqën dorë nga nxerrja e lëndëve të para dhe nga pjesëmarrja në të drejtat e shfrytëzimit në vende të tjera. Pak interes ekzistonte edhe në ruajtjen e kapaciteve për përftimin e pasurive nëntokësore të vendit si qymyr dhe mineral hekuri, sepse në tregun botëror ata mund të bliheshin shumë më lirë.

Autor: Mathias Bölinger /Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi