1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania ndihmon arsimin në Maqedoni

2 Gusht 2010

Gjermania në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmon arsimin e lartë shqip në Maqedoni. Ndihma është e orientuar kryesisht në e trajnimin e profesorëve dhe studentëve si dhe në ndarjen e bursave dhe në punët praktike kërkimore.

https://p.dw.com/p/OZuV
Universiteti i Tetovës.
Universiteti i Tetovës.Fotografi: Petar Stojanovski

Qeveria gjermane nëpërmjet ambasadës së saj në Shkup, Konferencës së Rektorëve të universiteteve gjermane dhe institucioneve të saj akademike, në kuadër të bashkëpunimit me të gjitha universitetet në Maqedoni, ndihmon në mënyrë intensive arsimin e lartë në vend, nëpërmjet Universitetit shtetëror të Tetovës. Rëndësia e kësaj mbështetje është edhe më e madhe kur merret parasysh edhe hapja e fakulteteve të reja dhe programeve studimore të shpërndara në Gostivar, Shkup, Strugë dhe Kumanovë.

"Universiteti Shtetëror në Tetovë, ka mbështetjen e plotë nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga fondacionet ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Maqedoni. Duhet theksuar mbështetja e vendeve të BE-së, veçanërisht të Gjermanisë, Austrisë, Francës dhe Italisë, të cilat nëpërmjet donacioneve për laboratorë, libra, pajisje për spitalin e qytetit, kompjuter, kanë kontribuar për arsimin e lartë shqip në Maqedoni."

Kështu shprehet Rektori i Universitetit Shtetëror në Tetovë, Agron Reka, i cili më tej flet për rëndësinë e ndihmës së qeverisë ekzistuese dhe universiteteve të Gjermanisë në aspektin e trajnimit të profesorëve dhe ndarjes së bursave për studentë. Sipas tij ekziston një numër i konsiderueshëm i studentëve, të cilët kishin rastin që një ose dy semestra të studimeve të tyre t'i përfundojnë në institucionet e larta shkollore në Gjermani.


Bashkëpunim që nga viti 2005

Prorektori për bashkëpunim akademik ndërkombëtar, Bashkim Ziberi i referohet fillimit të bashkëpunimit me universitetet gjermane: "Bashkëpunimi me universitetet gjermane filloi në vitin 2005 prej kur edhe ekziston bashkëpunimi me Universitetin Teknik në Stuttgart në trajnimin e profesorëve dhe asistentëve në Gjermani, në shkollat verore e kështu me radhë."

Vlera e përgjithshme e ndihmës gjermane sa i përket universitetit shtetëror në Tetovë dhe 12.000 studentëve të tij, sipas të punësuarve në këtë institucion "është praktikisht një vlerë e cila nuk mund të matet“. Me financim të plotë gjerman dhjetëra studentë në vitet e fundit kanë vazhduar aktivitetet e tyre kërkimore gjatë një viti akademik në disa kompani të mëdha industriale gjermane.

Universiteti shtetëror i Tetovës, sipas prorektorit Ziberi, bashkëpunimin e tij e ka zgjeruar edhe me universitetet e tjera gjermane, në fusha të ndryshme:

"Universiteti shtetëror është në bashkëpunim edhe me disa universitete të tjera atje, me Universitetin Teknik në Stuttgart, por këtë herë edhe në fushën e ndërtimit dhe arkitekturës, me Universitetin në Hohenhajm dhe me Institutin për modifikimin e sipërfaqeve në Leipzig .. . Ky Institut na dhuroi pajisje në vlerë prej 200.000 € për zhvillimin e veprimtarisë shkencore dhe hulumtuese. "

Universiteti i Hohenheim-it, një nga partnerët e Universitetit të Tetovës.
Universiteti i Hohenheim-it, një nga partnerët e Universitetit të Tetovës.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Modelet gjermane arsimore – trend për zhvillimin e Universitetit Shtetëror në Tetovë

Universiteti shtetëror është i gatshëm të vazhdojë dhe zgjerojë bashkëpunimin me institucionet e larta shkollore në Gjermani, sqaron prorektori Ziberi dhe shton: "Në këtë drejtim janë realizuar takime për bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin në Mannheim, pastaj me Universitetin e Jenës dhe atë të Mynihut".

Mbështetja financiare merr një vlerë më të madhe kur merret parasysh se studentët kur të kthehen në universitetin shtetëror të Tetovës, njohuritë dhe eksperiencën do t‘ua përcjellin kolegëve të tyre, të cilët pas një periudhe të caktuar kohore do të bëhen magjistra apo doktorë shkencash.

Për këtë arsye disa nga krerët e Universitetit shtetëror të Tetovës thonë se, pikërisht modelet arsimore gjermane paraqesin konceptin bazë për zhvillim të mëtejshëm të këtij universiteti.

Autor: Sveto Toevski / Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Eliana Xhani