1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gjermania më ndryshoi jetën!" - Dirigjentja Suzana Turku dhe muri i Berlinit

14 Nëntor 2009

Dirigjentja e korit të mirënjohur "PAX DEI" në Shqipëri dhe Evropë, Suzana Turku, e sheh suksesin e saj të lidhur ngushtë me epokën e lirisë që hapi rënia e murit të Berlinit.

https://p.dw.com/p/KWxW
Fotografi: AP

Krijimi i korit Pax Dei, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, është i lidhur ngushtë me emrin e dirigjentes Suzana Turku, Artiste e Merituar por edhe me rënien e regjimit komunist, të cilit i parapriu rënia e murit të Berlinit.

Ngjarja e madhe historike artisten Suzana Turku e gjeti në Francë, në Paris, në specializimin për kanto gregoriane, të parin që ajo bënte jashtë vendit, pas 13 vitesh pune si dirigjente në teatrin e Operas dhe Baletit.

"Më 9 nëntor 1989 isha në dhomë dhe po shihja televizor, njerëzit që kishin hipur mbi mur, zërat e tyre... atëhere nga shpirti më doli një brohorimë, ndjeva një çlirim, një gëzim, sikur isha edhe unë atje bashkë me ata" - tregon ajo për DW.

Deri atëhere dirigjentja e talentuar kishte dirigjuar kryesisht pjesë korale të operave shqiptare. Operat e huaja censuroheshin, tekstet e tyre përktheheshin në shqip, pasi ishte e ndaluar që kori dhe këngëtarët të këndonin në gjuhën origjinale. Kur muri i Berlinit ra, ajo ndjeu se era e ndryshimit nuk ishte larg, dhe pse regjimi komunist në Shqipëri mbahej me zor ende në këmbë.

"Rënia e Murit solli një ndryshim të madh, solli një çlirim, një shpresë që edhe në Shqipëri do të ndodhnin ndryshime të mëdha" - thotë Suzana Turku.

E sapo ardhur nga Franca, me emocionet e forta që i përjetoi atje nga rënia e murit të Berlinit, ajo guxoi t'u paraprinte ndryshimeve demokratike, duke vënë në skenë në fund të vitit 1989, pjesë të ndaluara korale, partiturat e të cilave i kishte sjellë nga Parisi dhe duke përfituar nga dobësimi i regjimit, në prag të rënies së tij. Një vit më pas ajo dirigjoi të parin koncert në Shqipëri të muzikës simfo-xhaz. Regjimi komunist do të binte vetëm pak muaj më vonë. Dhe bashkë me të do të zhdukej censurimi i kryeveprave të muzikës operistike dhe korale botërore dhe vendin e saj do ta zinte liria, oksigjeni për çdo artist. Në këtë klimë lirie Suzana Turku krijoi korin "Pax Dei". Për ta bërë këtë ajo kishte motive përtej atyre profesionale.

"Meqë e kisha studiuar muzikën me motive fetare kisha dëshirë të jashtëzakonshme që edhe populli im ta njihte këtë lloj muzikë që deri dje e kishte patur të ndaluar. Për këtë arësye e kam krijuar korin "Pax Dei", thotë artistja Suzana Turku.

Për korin "Pax Dei" u hapën dyert e pjesëmarrjes në aktivitetet e koreve të muzikës fetare në gjithë Evropën dhe përtej saj. Një vend të veçantë në këtë frymëmarje ndërkombëtare zë Gjermania ku "Pax Dei" mori pjesë në Festivalin e Dytë Ndërkombëtar "Mendelson" dhe fitoi Medaljen e Argjendtë. Ai u bë anëtar i " Europa Cantat" organizatë ndërkombëtare me qendër pranë Hanoverit si edhe i fondacionit gjerman "Intercultural Foundation".

"Mua organizatat në Gjermani më kanë ndryshuar jetën. Kam marrë pjesë në festivalet ndërkombëtare si ai Mendelson, kam bërë master klase, jam gjithmonë e ftuar në aktivitete që bëhen nga këto organizata, ku jam anëtare" - thotë Suzana Turku.

Ajo ka fituar atë që ëndërron çdo artist: lirinë e krijimit, skenat europiane dhe botërore. "Zanafilla, jo vetëm për mua është Gjermania" - i pëlqen asaj të përsërisë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani