1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania lejon dorëzimin e avionëve MIG-29 Ukrainës

13 Prill 2023

Polonia tashmë ka dorëzuar disa avionë luftarakë MiG-29 në Ukrainë. Tani mund të pasojnë edhe avionë nga stoqet e RDGJ. Qeveria gjermane ka dhënë miratimin e saj për transferimin.

https://p.dw.com/p/4Q1DZ
Polen polnische MiG-29
Fotografi: Cuneyt Karadag/AA/picture alliance

Sipas informacioneve të kanalit televiziv ZDF, qeveria federale i ka dhënë miratimin Polonisë për dërgimin në Ukrainë të avionëve luftarakë të projektuar nga sovjetikët. Polonia kishte kërkuar më parë leje nga qeveria federale. Një letër për këtë ka mbërritur në Berlin, u konfirmua nga Ministria e Mbrojtjes për ZDF.

Bëhet fjalë për avionë të tipit MiG-29 nga ish-stoqet e Republikës Demokratike Gjermane, të cilët Gjermania ia kishte dhënë Polonisë dhe dorëzimin e të cilëve te palë të treta duhej ta miratonte Berlini.

Në mars, Polonia njoftoi dërgimin e MiG-29 të projektuar nga sovjetikët në Ukrainë për të mbështetur Ukrainën në luftën e tij kundër sulmit rus. Por si fillim, asnjë pajisje nga stoqet e vjetra të RDGJ nuk u dorëzua.

Në vitin 2002, Gjermania i shiti Polonisë 23 avionë luftarakë MiG-29, të cilat Bundeswehr-i e mori nga Ushtria Kombëtare Popullore (NVA) e RDGJ-së. Këshilltari i sigurisë i presidentit polak Andrzej Duda, Jacek Siewiera, tha në fund të marsit se Forca Ajrore Polake ka ende një dyzinë prej tyre sot.

MiG 29 kalon nga Gjermania ne Poloni, 2004
Fotografi: dpa

Gjermania duhet të miratojë dorëzimin

Kontratat për shitjen e pajisjeve ushtarake nga Gjermania në përgjithësi përcaktojnë se Qeveria Federale duhet të japë pëlqimin e saj për çdo transferim të mëvonshëm.

Presidenti polak Duda tha javën e kaluar se vendi i tij kishte dorëzuar tashmë tetë avionë luftarakë MiG-29 në Ukrainë. Katër nga këto pajisje iu dorëzuan Kievit "gjatë disa muajve të fundit", tha ai pas takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Selenskyj në Varshavë.

Mig-29
Fotografi: Rosanna van de Logt/Zoonar/picture alliance

Katër MiG-29 të tjerë u dorëzuan "së fundmi" në vendin fqinj të sulmuar nga Rusia. Për më tepër, gjashtë MiG-29 janë ende duke u përgatitur për dorëzim, tha Duda.

MiG-29 të tjerë do të qëndrojnë në shërbim me Forcat e Armatosura polake për momentin, tha Duda. Vetëm kur ato të zëvendësohen në mënyrë të njëpasnjëshme nga avionë luftarakë modernë, të cilët Polonia i ka porositur tashmë nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, mund t'i dorëzohen edhe këto avionë Ukrainës. Përveç Polonisë, edhe Sllovakia ka transferuar tashmë katër MiG-29 në Kiev.

aud (zdf, dpa)