1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania para vizitës së Hollande: jo ndryshime në Paktin Fiskal

13 Maj 2012

Presidenti i ri francez, Francois Hollande kërkon përmirësime të Paktit Fiskal të thurrur me mundim. Gjermania është kundër. Të martën, presidenti francez do të vizitojë kancelaren.

https://p.dw.com/p/14udA
Francois Hollande pritet në Gjermani
Francois Hollande pritet në GjermaniFotografi: Reuters

Para fillimit të vizitës prezantuese të presidenti të ri francez, François Hollande në Berlin, qeveria gjermane ka theksuar se nuk do lejojë ndryshime në Paktin Fiskal evropian për stabilitet më të madh buxhetor. Ajo i përmbahet edhe 'jo'-së së rreptë të saj për programin konjukturor evropian me kredi. Këtë e bënë të qartë edhe njëherë në fundjavë ministri i Financave, Wolfgang Schäuble (CDU) dhe ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle (FDP). Shefi i socialistëve francezë pati shpallur në fushatën elektorale se do ta rinegociojë paktin fiskal të BE, të hartuar me vështirësi. Ajo do të mbështetet më fort në rritje ekonomike.

Është "e zakonshme, që marrëveshje, që janë nënshkruar e ruajnë vlerën e tyre edhe pas zgjedhjeve", i tha Schäuble gazetës "Welt am Sonntag". "Kjo vlen edhe për Paktin Fiskal". Edhe Westerwelle e kujtoi Francën për detyrimet e saj kontraktore. "Përsa i përket Paktit Fiskal: ai është në fuqi", i tha politikani i FDP-së numrit të së shtunës të gazetës "Welt".

Schäuble kundërshton borxhet
Schäuble kundërshton borxhetFotografi: dapd

Reformat, jo borxhet sjellin rritje

"Borxhet më të larta nuk sjellin më tepër rritje ekonomike", shtoi Schäuble. Në vend të kësaj, me vend do të ishte "fokusimi më i fortë i programeve evropiane, për shembull për të mbështetur sistemin dual të shkollimit profesional". Shanset për punë të të rinjve duhet "të jenë më të rëndësishme se sa ndërtimi gjithmonë i autostradave të reja". Westerwelle u tregua i hapur për një program të ri të rritjes ekonomike. "Ky program nuk duhet të ndërtohet vetëm me borxhe, por duhet të jetë rezultat i reformave strukturore dhe të konkurencës."

Presidenti i Bankës Federale Gjermane, Jens Weidmann i kritikoi planet e Hollandes për rritjen ekonomike. "Një ndryshim i statuteve të (Bankës Qendrore Evropiane) do të ishte i rrezikshëm. Vendet e punës dhe rritja ekonomike lindin përmes veprimeve të sipërmarrjeve", i tha Weidman gazetës "Süddeutsche Zeitung"

Presidenti i ri francez Hollande do të marrë të martën postin e presidentit të Francës dhe pritet po të martën në mbrëmje nga kancelarja gjermane, Angela Merkel (CDU). "Do të kemi një bisedë njohjeje, por mendoj se prej saj do të zhvillohet një bashkëpunim i mirë", tha kancelarja në mesazhin e saj me video në internet.

Autor: dpa/ Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora