1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e kujdesshme në politikën ndaj Sirisë

Sven Pöhle/ Angjelina Verbica28 Gusht 2013

Aleatët perëndimorë të Gjermanisë mendojnë të kryejnë një sulm ushtarak kundër Sirisë. Por në fokus të politikës gjermane ndaj Sirisë janë ndihma humanitare dhe kërkimi i një zgjidhjeje politike.

https://p.dw.com/p/19Xkt
Fotografi: picture-alliance/dpa

Shumë e kujdesshme reagon qeveria gjermane ndaj zhvillimeve të fundit në Siri. Kancelarja Angela Merkel, si dhe politikanë të tjerë perëndimorë, nuk kanë thuajse më asnjë dyshim, se regjimi i Asadit ka përdorur armë kimike në Siri. Me anë të zëdhënësit të qeverisë ajo deklaroi, se përdorimi i mundshëm i gazit helmues nuk duhet të kalojë pa pasoja. "Nëse një gjë e tillë vërtetohet, bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë", u shpreh ministri i Jashtëm Guido Westerwelle. "Pastaj Gjermania do të bëjë pjesë te ata, që i konsiderojnë të drejta të tilla konsekuenca."

Por çfarë "pasojash" mund të jenë këto, këtë kancelarja dhe ministri i Jashtëm e lanë të hapur. Ashtu si edhe përgjigjen ndaj pyetjes, nëse dhe në çfarë forme do të marrë pjesë Gjermania.

Politika e përmbajtur

Deklaratat gjermane zor se mund të tejkalohen në paqartësi, kritikon politologu André Bank i Institutit për Studimet e Lindjes së Mesme, GIGA, në Hamburg. "Një qëndrim me të vërtetë të pavarur nuk ka në politikën gjermane për Sirinë." Në parim Gjermania pozicionohet në anën e aleatëve perëndimorë, të cilët aktualisht mendojnë të ndërhyrjnë ushtarakisht në Siri.

Marina amerikane e pranishme afër brigjeve siriane
Marina amerikane është e pranishme afër brigjeve sirianeFotografi: Jay Directo/AFP/Getty Images

Duke parë në të kaluarën e afërt ka arsye për sjelljen e kujdesshme gjermane. "Jo-ja" e kancelarit të atëhershëm Gerhard Schrëder ndaj një pjesëmarrjeje gjermane në luftën e Irakut i ndihmoi në fakt atij për të fituar në zgjedhjet e vitit 2002, por marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, sidomos ato gjermano-amerikane, u rënduan shumë. Në vitin 2011 Berlini përsëri i zhgënjeu partnerët e NATO-s. Në votën për ndërhyrjen ushtarake në Libi Gjermania abstenoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duke qëndruar, kundër aleatëve më të ngushtë SHBA, Francës dhe Britanisë së Madhe, në anën e Kinës dhe Rusisë, të cilat gjithashtu abstenuan.

Kjo me sa duket synohet të shmanget në rastin e Sirisë. Prandaj në politikën e saj për Sirinë Gjermania shkon në një vijë me politikat e vendeve të tjera evropiane, thotë Banka. Megjithatë qeveria gjermane në krahasim me Francën dhe Britaninë e Madhe tregohet më e moderuar.

Për shembull në çështjen e armatosjes të rebelëve sirianë. Me kërkesën e Francës dhe Britanisë së Madhe, Bashkimi Europian hoqi embargon e armëve kundër Sirisë. Ndërsa Gjermania kërkonte sanksione të forta të përbashkëta kundër regjimit të Asadit, Berlini refuzoi furnizimin e kryengritësve me armë. Qeveria gjermane mbështet rebelët, por me pajisje jo ushtarake si, jelekë mbrojtës dhe ndihma humanitare.

Zgjidhja politike e dëshiruar

Politikanët gjermanë të të gjitha partive theksojnë interesimin e tyre për një zgjidhje politike, pak para zgjedhjeve të përgjithshme, që mbahen pas disa javësh. "Për shkak të situatës humanitare gjithnjë e më dramatike në Siri, ekziston nevoja urgjente për arritjen e një pozicioni të përbashkët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së", tha zëdhënësi i politikës së jashtme i grupit parlamentar CDU, Philip Mißfelder.

Megjithatë kjo zgjidhje duket e largët. Fuqitë me veto, Rusia dhe Kina, deri tani kanë penguar rezolutën për Sirinë. Të dy janë të shqetësuara, se ajo mund të përdorej edhe për të përmbysur presidentin sirian Bashar al-Asad.
Qëllimi i politikës së jashtme gjermane është një Siri pa Asadin. "Gjermania ka punuar që nga fillimi i kryengritjes për fillimin e ri politik dhe ekonomik në Siri", thotë Mißfelder. "Qëllimi ka qenë gjithmonë të sigurojë të ardhmen e Sirisë pas fundit të regjimit të Asadit."

Koalicioni Kombëtar Sirian në Stamboll - 04.07.2013
Koalicioni Kombëtar Sirian në Stamboll - 04.07.2013Fotografi: Ozan Kose/AFP/Getty Images

Prandaj opozita siriane që në fillim është mbështetur. "Koalicionin Kombëtar të forcave revolucionare dhe opozitare siriane", të themeluar si organizatë ombrellë të grupeve të opozitës siriane, qeveria e njeh si "përfaqësuesin legjitim të popullit sirian". Gjermania është pjesë e "Grupit të Miqve të popullit sirian". Në të BE-ja, SHBA dhe shumë shtete arabe koordinojnë ndihmën e tyre për opozitën siriane. Së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe Gjermania angazhohet edhe për rindërtimin ekonomik të Sirisë. Me iniciativë të dy vendeve u ngrit një fond ndihme, nga i cili opozita do të financojë projekte të tilla, si rindërtimin e infrastrukturës, apo furnizimin me ujë.

Ndihma humanitare e domosdoshme

Në Berlin "Koalicioni Kombëtar" ka hapur një zyrë ndërlidhëse, për të ndihmuar organizatat joqeveritare gjermane, që të koordinojnë më mirë mbështetjen e tyre për opozitën siriane. Përveç kësaj ajo duhet të shërbejë si stacioni i parë i ndalesës për të sapoardhurit nga Siria. Në mars qeveria federale shprehu gatishmërinë për të marrë 5.000 refugjatë sirianë në Gjermani.

Në mbështetjen e Gjermanisë bën pjesë edhe ndihma në vend. Që nga viti 2012 qeveria gjermane ka shpenzuar 193.33 milionë euro për ndihmë humanitare dhe projekte ndihmash në Siri dhe vendet fqinje të saj. "Këta janë si të thuash vëgëlsira në krahasim me përshkallëzimin e konfliktit dhe shifrat e refugjatëve", thotë André Bank. Në Jordani, Turqi, Liban dhe Irak kanë kërkuar strehim gati 1.9 milion sirianë. Atje Gjermania mbështet veçanërisht agjencitë e OKB-së dhe OJQ-të në përkujdesjen për refugjatët.

Sistemi mbrojtës antiraketor i Bundeswehr-it, Patriot
Sistemi mbrojtës antiraketor i Bundeswehr-it, PatriotFotografi: Deutsche Bundeswehr/Getty Images

Të shmanget pjesëmarrja direkte në një sulm ushtarak

Por edhe në qoftë se ndihma humanitare dhe dëshira për një zgjidhje politike në Siri ndodhen në krye të politikës gjermane për Sirinë, mbështetja ushtarake nuk është e përjashtuar plotësisht. Nëse do të ketë një goditje ushtarake, Gjermania "me siguri nuk do të jetë në vendin e parë", thotë politologu André Bank. "Edhe në mënyrë indirekte ka mundësi për pjesëmarrje."

Në rajonin kufirtar turko-sirian janë stacionuar raketa gjermane Patriot. Në një sulm ndaj Sirisë në juglindje të Turqisë ato do të vihen në përdorim. Marina gjermane ka disa anije në Mesdhe, të cilat mund të ndihmojnë në vëzhgimin e situatës në Siri. Gjithashtu mund të jetë e mundur edhe mbështetja e aeroplanëve luftarakë dhe e bombarduesve të aleatëve, ngjashëm si në operacionin francez në Mali, nga avionët cisternë gjermane.