1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania bën thirrje për zgjidhje të krizës në Shqipëri

18 Qershor 2010

Ministri shqiptar i punëve të jashtme Ilir Meta bëri të enjten vizitën e tij të parë zyrtare në Gjermani. Krahas homologut të tij gjerman Guido Westerwelle, ai u takua edhe me deputetë të Bundestagut

https://p.dw.com/p/Nu0x
Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle (FDP) dhe homologu i tij shqiptar Ilir Meta (17.06.2010) në BerlinFotografi: picture alliance / dpa

Gjatë një takimi me homologun e tij shqiptar Ilir Meta të enjten në Berlin, ministri i punëve të jashtme Guido Westerwelle ka nënvizuar shqetësimin e BE-së për shkak të bllokadës njëvjeçare të parlamentit shqiptar, bëhet e ditur në një deklaratë për shtyp e nxjerrë nga ministria e jashtme gjermane.

„Qeverisë dhe opozitës i bëhet thirrje që sa më shpejt të gjejnë një zgjidhje të qendrueshme. Për perspektivën evropiane dhe vazhdimin e procesit të reformave është e domosdoshme që parlamentit të Shqipërisë t'i rikthehet veprueshmëria politike", citohet të ketë thënë zëvendëskancelari gjerman. Meta nga ana e tij ka nënvizuar interesimin e madh të Shqipërisë për investime gjermane në Shqipëri, por edhe përmes Shqipërisë në rajon. Po ashtu ai është shprehur për një bashkëpunim më të ngushtë me Gjermaninë në fushën e drejtësisë dhe të rendit.

Ministri Westerwelle ka theksuar se angazhimi i sipërmarrësve gjermanë në Shqipëri do të varet para së gjithash nga siguria juridike dhe besimi tek qendrueshmëria politike në vend. Ministri i jashtëm i Gjermanisë sheh sidomos në sektorin e energjisë shanse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjermane që të investojnë në Shqipëri.

Peter Weiss
Peter WeissFotografi: DW

Si në republikën e Vajmarit

Më parë Meta ishte takuar edhe me deputetë të parlamentit gjerman. Kryetari i grupit parlamentar të Evropës Juglindore Peter Weiss i tha Deutsche Welles se "do të ishte e udhës që Shqipëria të gjente një zgjidhje politike të problemit, pavarësisht nga vendimet e gjykatave".

Politikani demokristian solli një shembull nga historia gjermane për të ilustruar idenë, se konflikte kaq të gjata ndërmjet mazhorancës dhe opozitës janë të dëmshme për demokracinë: "Republika e parë demokratike gjermane, ajo e Vajmarit, dështoi pikërisht si pasojë e grindjeve ndërmjet partive. Ky ishte ndër të tjera një nga shkaqet e ardhjes së Hitlerit në pushtet," – argumentoi Weiss.

Perspektiva evropiane e vetëkuptueshme

Deputetët gjermanë i konfirmuan ministrit Meta mbështetje të plotë të perspektivës evropiane të Shqipërisë: "Ne, si anëtarë të parlamentit gjerman, ia bëmë të qartë zotit Meta se për ne është e vetëkuptueshme, që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Shqipëria janë pjesë e Evropës dhe se një ditë do të duhet të hyjnë në BE. Por do të ishte tepër herët që të flisnim për datat", tha Peter Weiss. .

Marrëveshje dypalëshe

Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Berlin zëvendëskryeministri i Shqipërisë Ilir Meta u takua edhe me sekretaren e shtetit të ministrisë gjermane për bashkëpunim dhe teknik, Gudrun Kopp, e cila siguroi vazhdimin në të njëjtën masë të mbështetjes financiare të Gjermanisë për Shqipërinë, me gjithë shkurtimet e mëdha që po bëhen aktualisht në buxhetin gjerman.

Në shërbim të përmirësimit të marrëdhënieve bilaterale në fushën e ekonomisë dhe tregtisë në Berlin u nënshkrua të enjten edhe një marrëveshje dypalëshe në fushën e qarkullimit detar, që garanton juridikisht trajtimin e barabartë të anijeve gjermane në portet shqiptare.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama