1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: AfD dëshiron të qeverisë

1 Shtator 2024

Partitë populiste dalin të forcuara nga zgjedhjet në dy landet gjermane Saksoni dhe Tyringi

https://p.dw.com/p/4k9Z5
Tino Chrupalla me kostum blu, me një broshë me flamurin gjerman.
Bashkëkryetari i partisë së djathtë ekstreme gjermane, Alternativë për Gjermaninë, Tino Chrupalla: Duam të bëjmë qeverinë Fotografi: Lisi Niesner/AFP/Getty Images

Partia e djathtë ekstreme gjermane, Alternativë për Gjermaninë, e cila, sipas parashikimeve të para, pritet të dalë fituese në zgjedhjet për parlamentin e landit në Tyringi, dëshiron të formojë qeverinë. Bashkë-kryetari i partisë, Tino Chrupalla, tha në kanalin televiziv gjerman ZDF, se fitorja e AfD-së është një "mandat i qartë" për të formuar qeverinë. "Kjo është ajo çka e bën demokracinë," shtoi ai.

Chrupalla gjithashtu deklaroi se partia e tij është e gatshme të bisedojë me të gjitha partitë e tjera. "Për ata që duan të jenë të besueshëm në politikë... dhe duan të marrin në konsideratë zërin e votuesve, nuk do të ketë më politikë pa AfD-në," tha ai.

Björn Höcke i fitoi zgjedhjet në Tyringi, por askush nuk e do për partner koalicioni
Björn Höcke i fitoi zgjedhjet në Tyringi, por askush nuk e do për partner koalicioniFotografi: endrik Schmidt/dpa/picture alliance

Sipas parashikimeve të para, AfD-ja, e cila si kandidat kryesor kishte politikanin e shumëdiskutuar Björn Höcke, pritet të fitojë në Tyringi me rreth 32% të votave, duke dalë kështu përpara kristdemokratëve, CDU, me 24%. Ndërsa në Saksoni, rezultatet fillestare flasin për një gjendje thuajse të barabartë mes CDU-së dhe AfD-së. Sipas projeksioneve të para, CDU-ja ka një avantazh të lehtë. Megjithatë, formimi i një qeverie si në Tyringi, ashtu edhe në Saksoni, pritet të jetë i vështirë. Deri tani të gjitha partitë e tjera kanë thënë se nuk duan të bashkëpunojnë me AfD. Një parti që ndoshta mund të ketë shans të hyjë në qeverisje është Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW)e cila në të dy landet ka dalë e treta dhe me një rezultat dyshifror. 

Sahra Wagenknecht, BSW
Sahra Wagenknecht, BSW, protagonistja kryesore e partisë së shkëputur nga "Die Linke" por që konsiderohet si parti e majtë populiste. Fotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance

Test për zgjedhjet federale në vitin 2025

Partitë e koalicionit të qendrës së majtë të kancelarit socialdemokrat Olaf Scholz në zgjedhjet e Saksonisë dhe Tyringisë dolën të dobësuara. Socialdemokratët mbetën në nivel njëshifror në të dy landet. Të Gjelbrit dhe liberalët (FDP) kanë pësuar humbje drastike në të dy landet, megjithëse në Saksoni ata mbeten ende në parlament, kurse në Tyringi nuk e kanë kapur dot pragun e nevojshëm prej pesë për qind. 

Zgjedhjet parlamentare në Saksoni dhe Tyringi, si edhe në landin tjetër gjermnolindor, Brandenburg (më 22 shtator) konsiderohen si test për zgjedhjet e ardhshme për parlamentin federal, në vitin 2025. 

Rezultatet që parashikohen bazuar në sondazhet e programit të parë gjerman ARD (19:30)

Saksoni:

CDU: 31,7 %
AfD: 30,6 %
BSW: 12 %
SPD: 7,8 %
Të Gjelbrit: 5,2 %
Die Linke: 4 %
Të tjera: 8,7 %

Tyringi 

- AfD: 32,0 %
- CDU: 24,2 %
- BSW: 15,7 %
- Die Linke: 12,6 %
- SPD: 7 %
- Të Gjelbrit: 3,5 %
- FDP: 1,2 %
- Të tjera: 4,4 %

* Shënim: Ky artikull është i përditësuar