1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermanet dhe një shqiptare në finalen e kampionatit botëror

Bahri Cani27 Shtator 2007

Kombëtarja gjermane e femrave në futboll arriti në finalen e kampionatit botëror, në Kinë. Në gjysmëfinale Gjermania mundi Norvegjinë me rezultat 3:0. Ndërsa në finale do të ndeshet me SHBA ose Brazilin.

https://p.dw.com/p/BkKU
Fotografi: AP

Femrat gjermane arritën atë që meshkujt nuk ja dolën vitin e kaluar. Pas pesë ndeshjeve dhe pesë fitoreve pa asnjë gol në rrjetin e portjeres së tyre, vashat gjermane u kalifikuan në ndeshjen finale të kampionatit botëror në futboll. Në gjysmëfinale ato mposhtën Norvegjinë, nga e cila kanë humbur para dy muajsh, në fazën e përgatitjeve për këtë kampionat. Rezultati në fund ishte 3:0. Goli i parë ishte autogol i Trine Rëning (Rönning), në pjesën e parë. Ndërsa në pjesën e dytë në listën e golashënuesve u shënuan edhe Kerstin Stegeman (Stegemann) dhe Martina Myler (Müller).

Trajnerja Silivia Neid ishte shumë e gëzuar

"Jam krenare me lojën e tërë ekipit. Në lojë jemi futur me vendosmëri, por tempoja ishte e ngadalshme. U pa se kampionati po zgjatë disa javë, por ne u angazhuam dhe fituam që është e mrekullueshme", thotë trajnerja.
Për lojtaret gjermane u raelizua një prej ëndërrave kryesore. "Arritja e finales ishte qëllimi ynë kryesor dhe këtë ia dolëm. Është kjo një ndjenjë e papërshkrueshme. Prandaj jemi jashtëzakonisht të gëzuara", thotë Sandra Smisek (Smiesek).

Të dielën lojtaret gjermane do të ndeshen në finale me lojtaret e SHBA apo Brazilit, të cilat në duelin e tyre do të vendosin se cila kombëtare do të gjendet përballë gjermaneve. Por cilado që të jetë nuk do ta ketë lehtë.
"Me ndeshjen e sotme kundër Norvegjisë kemi arritur vetëbesimin e duhur. Shpresoj se të dielën do t'ia dalim ta realizojmë qëllimin. Do t'i bëjmë të gjitha për të fituar edhe këtë ndeshje, por kjo varet edhe prej formës së ditës. Duhet pasur edhe pak fat për të fituar në ndeshjen finale. Të dielën në mbrëmje do të dimë më shumë", thotë Kerstin Stegeman.

Është shumë e mundur që kupën e kampioneve të dielën ta ngrejë lartë edhe një shqiptare. Një prej talenteve më të mëdha në kombëtaren gjermane është edhe 19 vjeçarja Fatmire Bajramaj, e cila disa herë është futur në lojë. Lira, siç e quajnë shoqet, ka lindur në Kosovë, ndërsa me prindërit në Gjermani është shpërngulur me vetëm katër vjet. Tani do të ketë shansin që në Gjermani të kthehet si kampione bote.