1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjenerali amerikan Sanchez do të zëvendësohet në Irak

Daniel Scheschkewitz26 Maj 2004

Arsyeja, dyshim për mospërmbushje të disa detyrave

https://p.dw.com/p/ArT5
Gjenerallejtnant Ricardo Sanchez
Gjenerallejtnant Ricardo SanchezFotografi: AP

Në Pentagon u tha se fjala është për një procedurë rutinë. Edhe një gjeneral gëzon të drejtën të zëvendësohet pas një shërbimi 14-mujor në Irak. Megjithatë fakti që Sanchezi po zëvendësohet pikërisht tani nga një gjeneral me katër yje dhe që ende nuk është gjetur post i ri për të i ka shtyrë mediet amerikane të spekullojnë se Sanchezi është viktima e parë e mirënjohur e skandalit të torturave. Gazetarja e radios publike NPR Michelle Kellermann:

"Raporti Tabuga i ushtrisë amerikane për këto keqtrajtime kritikoi një urdhër të dhënë nga Sanchezi nëntorin e kaluar. Në thelb ai ia kaloi shërbimit të fshehtë ushtarak mbikqyrjen e burgjeve ushtarake. Dhe rojet që janë të policisë ushtarake pretendojnë se punonjësit e shërbimit sekret i ka urdhëruar që t'i rrahin të burgosurit derisa të flasin gjatë marrjes në pyetje. Prandaj Sanchezi ka kontribuar në çoroditjen e krijuar lidhur me strukturën komanduese në Abu Ghraib."

Kësaj i shtohet fakti që gjatë seancës së dëgjimit në Senat Sanchezi nuk la përshtypje shumë të mirë. Atje u shfaqën lista me rregulla të marrjes në pyetje të të burgosurve, të cilat lejonin edhe përdorimin e qenëve dhe lënien pa gjumë. Kusht për këtë është që Sanchez të ketë dhënë pëlqimin e tij. Por ai vetë e mohon të ketë urdhëruar përdorjen e metodave të tilla.

Megjithatë i pyetur nga senatori Ted Kennedy Sanchezi u detyrua të pranonte se për raportin e Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar lidhur me kushtet në burgun Abu Ghraib kishte mësuar me vonesë të theksuar. Kennedy duke iu drejtuar Sanchezit:

"Me sa duket ju nuk i keni marrë raportet e Kryqit të Kuq? Dhe Sanchezi iu përgjigj: "Jo, nuk i kam marrë." Kennedy: "Atëherë, kush i ka marrë? Tani, raporti i nëntorit u morr nga oficerja e brigadës që ishte përgjegjëse."

Përgjegjëse për burgun Abu Ghraib ishte gjenerale-brigade Janice Karpinsky. Ajo u pezullua nga detyra të hënën e kaluar. Arsyetimi ishte ky: Karpinsky dhe oficerë të tjerë kanë neglizhuar me detyrimin e tyre për të mbikqyrur policinë ushtarake në Abu Ghraib dhe nuk i kanë ndëshkuar me ashpërsinë e duhur shkeljet disiplinore.

Por pas bërjes publike të torturave Karpinski nga ana e saj fajësoi komendën ushtarake dhe shërbimin e fshehtë ushtarak, se e kishin shtyrë këta personelin e burgut të kryente keqtrajtimet. Karriera e Karpinskit në ushtrinë amerikane ka marrë fund përfundimisht. Se çfarë funksioni mund të gjejë Pentagoni për gjeneralin Sanchez, kjo duhet parë.