1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjendje e rëndë e personave me aftësi të kufizuara në Maqedoni

3 Dhjetor 2009

Shoqatat humanitare të personave me aftësi të kufizuara në Maqedoni përballen me probleme të shumta. Shoqatat e kanë shtrirë aktivitetin edhe jashtë Maqedonisë, me shpresë përmirësimin e gjendjes.

https://p.dw.com/p/Kjy0
Në Gjermani kanë kushte shumë më të miraFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Në Dibër për dy dekada funksionin Shoqata humanitare e invalidëve të punës, e cila numëron rreth 300 anëtarë. Në selinë e shoqatës ka dhe tri zyra të tjera të shoqatave humanitare, meqë problemet e tyre kanë pika të përbashkëta, thotë Hebib Mullai, kryetar i Shoqatës humanitare të invalidëve të punës nga Dibra. Puna dhe aktiviteti i kësaj shoqate në shumë aspekte është i veç­antë, sepse nevojat e anëtarëve të saj janë të veçanta në ditët e sotme thotë Mullai. Shoqata edhe pse është e hapur për bashkëpunim me autoritetet vendore, deri më tani nuk janë shënuar rezultate të mira.

“Nuk mund të themi se jemi shumë të kënaqur me këtë bashkëpunim. Por megjithatë ata sa kanë mundur na kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemeve tona. Problemet tona janë më të mëdha sesa duken dhe është e nevojshme që ato të zgjidhen”, thotë Hebib Mullai.

Bashkëpunimi rajonal

Shoqata e invalidëve të punës nga Dibra nuk rri duarkryq. Ajo ka shtrirë bashkëpunimin edhe në nivel rajonal. Ajo është inkuadruar në realizimin e projekteve të përbashkëta me shoqatat simotra nga Pogradeci, Korça, Elbasani dhe Tirana.

Symbolbild Kirche und Behinderte
Fotografi: dpa - Report

“Këto takime janë shumë pozitive, sepse shkëmbejmë përvojat, kemi pasur mundësi që edhe ne të marrim prej tyre disa gjëra pozitive. Jemi si ura ndërlidhëse për të krijuar një mundësi shumë më të mirë bashkëpunimi midis këtyre qyteteve. Ne edhe më tej do të vazhdojmë me këtë bashkëpunim në këto projekte të përbashkëta ndërkufitare, të cilat janë shumë pozitive në afirmimin e të drejtave të shoqatës së invalidëve të punës si dhe avancimin e problemeve të tyre në shoqëri“, thotë Hebib Mullai.

Një aktivitet të ngjeshur në sensibilizimin e problemeve të personave me aftësi të kufizuara në Shkup është duke e zhvilluar edhe shoqata humanitare “Shpresa”. Elvat Muharremi kryetari i shoqatës thotë se, një nga preokupimet kryesore mbetet lobimi për miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Mungesa e bazës ligjore

“Si shoqatë humanitare e kemi bërë punën tonë, por duket se ndikim këtu nuk ka as BE-ja. Ne në bashkëpunim me 24 shoqata përpiluam ligjin për mbrojtjen dhe të drejtet e personave me aftësi të kufizuara. Por nga qeveria dhe parlamenti nuk kishte gatishmëri për miratimin e tij. Sot e kësaj dite ky ligj ka mbetur në sirtarët e institucioneve”, thotë Elvat Muharemi.

Kjo shoqatë gjatë aktivitetit të vetë ka vërejtur edhe veprime diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuara. Vetëdija e qytetarëve ndaj kësaj kategorie të njerëzve është në nivel shumë të ulët. Paragjykimet dhe stereotipet vështirë tejkalohen, thotë Evat Muharemi.

“Është fakt shumë i hidhur se edhe klasa intelektuale ka paragjykime. Për shembull në arsim, shumë arsimtar janë kundër që në klasat e tyre të kenë persona të kategorisë me aftësi të kufizuara. Kjo është gjëja më e keqe”, pohon Muharemi.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Bahri Cani