1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liza Sadiku pas takimeve të para me studentë serbë

2 Janar 2020

Projekti i DW #Generation99 ka mbledhur në vitin 2019 për herë të parë studentë nga Kosova dhe Serbia, 20 vjet pas luftës. Në qershor u takuan në Kumanovë. Në dhjetor studentët serbë ishin në Kosovë. Liza Sadiku shkruan.

https://p.dw.com/p/3VYre
DW Projekt Generation 99
Fotografi: DW

"Ne kishim frikë edhe të ndeznim dritën natën, sepse frikësoheshim se ushtria serbe do e dinin se jemi gjallë dhe mund t'i paramendonimn pasojat”. Këtë rrëfim e kam dëgjuar disa herë kur nëna ime më tregonte për luftën e vitit 1999. Ishte një kohë të cilën shumica e kosovarëve e përjetuan shumë rëndë. Por 20 vite më pas, ne të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë kemi vendosur të bëjmë ndryshimin.

Vizita e parë e studentëve serbë në Prishtinë

Prishtina e ftohtë në dhjetor, pikërisht me datë 12 dhjetor, ajo mblodhi në "konakun e saj” studentë nga Beogradi, Novi Sadi dhe Kosova të lindur në kohën e luftës dhe pas saj. Studentët nga Beogradi dhe Novi Sadi vinin për herë të parë në Kosovë, në kuadër të projektit të Deutsche Welles #Generation99.

Në tavolinat përreth dhomës së mitingjeve, ballë për ballë njëri-tjetrit u gjetëm tetë studentë nga Kosova, dhe gjashtë nga Beogradi dhe Novi Sadi.

Për mua ishte hera e dytë që po shoh studentë nga Serbia, sepse faza e parë e projektit #Generation99 është mbajtur në qershor 2019, në Kumanovë, ku para 20 vitesh, atëherë kur ne ishim në djepa apo ende nuk kishim lindur, ishte nënshkruar marrëveshja për përfundimin e luftës. Por prapë po mendoja, se si do të duken ata, çfarë do të flasim dhe a do të mund të kalojmë dy ditë të mira në "konakun tonë", me moshatarët nga Serbia.

Në fakt, si për ata, e sidomos për neve, nuk është aspak e lehtë të ulesh dhe të bisedosh sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por mënyra se si ne sfiduam veten, të përballemi sy më sy, më duket se n'a ndihmoi të eliminojmë totalisht paragjykimet. Në qershor, para takimit të parë në Kumanovë, unë me ditë u emocionoja, sepse nuk kisha parë kurrë në jetë një serb. Mendoja se situata do të tensionohej sapo të hapet tema e politikës, sepse këtë jemi mësuar t'a shohim nga perspektiva e dy shteteve tona.

Por doli e kundërta! Ne u njoftuam me 10 studentë të mrekullueshëm, të mençur dhe shumë mendjehapur. Ata pranonin atë që kishte ndodhur ndërmjet shteteve tona para 20 viteve, por prapë theksonin nevojën e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ne biseduam për muzikën, filmat, artin, të shkruarit dhe gazetarinë... tamam sikur do të flisnin njerëz nga dy popuj që nuk kanë pasur konflikt.

Përsëritja e ndjenjave

E njëjta më ndodhi edhe këtë herë. Në takimin e parë në Prishtinë, vërejta se studentët serbë donin t'i iknin temës së "nxehtë” të politikës. Ata kishin ardhur të shihnin me sytë e tyre Prishtinën për të cilën njëri prej tyre kishte menduar se "është një qytet me një rrugë të errët dhe me shumë vetura të dyshimta".

Në mbrëmje, parakaluam së bashku rrugëve të ndriçuara të Prishtinës dhe shkuam në një darkë të përbashkët, ku do të mbanim edhe një "party” të vogël. Ne u kënaqëm duke kërcyer, kënduar e biseduar së bashku si bashkëmoshatarë që duan të argëtohen.

Vizita në Mitrovicë

DW Projekt Generation99 l Serbien - Studenten aus Belgrad l Videostill
Fotografi: DW/S. Kljajic

Të nesërmen (më 13 dhjetor) shkuam së bashku me një minibus për në Mitrovicën e Jugut dhe Veriut. U ndamë në katër grupe të përziera dhe realizuam intervista gazetareske me nënkryetarin e Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, me zv/komandantin e Policisë së Kosovës në Veri, Besim Hoti, me përfaqësuesit e një organizate joqeveritare dhe intervista me qytetarë. Ishte kjo vizita ime e parë në veri të Mitrovicës. Ndjenjat ishin të përziera, por shumë shpejtë rrugës, pamë se njerëzit po flisnin serbisht dhe shqip, ndanin së bashku të njëjtin shesh, të njëjtat dyqane, të njëjtin ajër. Bëmë pyetje për çdo gjë që na interesonte, por në formën më të qetë të mundshme dhe racionale.

Në bisedat tona gjatë drekës dhe darkës ne shtjellonim temat tona, problemet e të rinjve. Problemet socio-ekonomike, agjendat universitare, librat dhe filmat e lidhur me gazetarinë. Sepse jeta jonë është kjo, jetë e të rinjve, e jo gjithmonë vetëm politika. Dhe ajo çfarë vërejtëm ishte se ne jetojmë pothuajse të njëjtën jetë. Ne u bëmë miq edhe në rrjetet sociale, për të ruajtuar kontaktin.

Jemi shumë të rinj për të urryer

Kososvo DW-Projekt Generation 99
Fotografi: DW/Bahri Cani

Me këtë takim dyditor në Prishtinë dhe Mitrovicë unë kuptova se përjetimet e qershorit nuk ishin vetëm përshtypje e parë, por me të vërtetë paska serbë, të cilët mendojnë drejt dhe se përnjëmend ne të rinjtë nuk kemi faj për të kaluarën tonë. Ne dimë vetëm atë që n'a e kanë interpretuar të tjerët për luftën. Ne jemi shumë të rinj për të urryer njëri-tjetrin.

Por ne jemi përgjegjës për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ne duhet t'i luftojmë paragjykimet dhe stereotipet. Njëmend njerëzit para se të paragjykojnë duhet të takohen me atë person, "ta prekin atë”, t'i shkëmbejnë mendimet. Me këtë rast, duhet falenderuar Deutsche Welle-n që nëpërmjet këtij projekti, na mundësoi neve të rinjve nga dy popuj, të cilët ende nuk janë stabilizur dhe pajtuar, t'a njohim më mirë njëri-tjetrin.

DW-Projekt #Generation99 - Studenten aus Serbien (Belgrad) und Kosovo (Pristina) in Skopje und Kumanovo (Nordmazedonien)
Fotografi: DW/J. Djukic Pejic

E kaluara nuk mund të harrohet, nuk fshihet dot dhe nuk falet. Por mendoj se gjenerata jonë mund të bëjë ndryshimin. Duke e ditur të kaluarën dhe duke mos lejuar që ajo të përsëritet kurrë më, ne mund të qëndisim një të ardhme të mirë të përbashkët!

Sepse, jo gjithmonë vetëm politikanët mund t'i zgjidhin çështjet. Për Kosovën dhe Serbinë shumë më shumë do të duhet të bëjnë të rinjtë!

Liza Sadiku është studente e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe pjesëmarrëse e dy takimeve të para të studentëve nga Kosova dhe Serbia. Në 20 - vjetorin e përfunditmit të luftës së Kosovës, në Kumanovë dhe në Prishtinë e Mitrovicë janë takuar të rinj të lindur në kohën e luftës apo menjëherë pas luftës.