1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gazetarët e EJL nën presion

Ana Bogavac /Bahri Cani3 Maj 2013

Liria e shtypit në Evropën Juglindore ekziston zyrtarisht në këto 20 vitet e fundit. Por në praktikë shumë media janë nën presionin e politikës dhe ekonomisë. Kriza ekonomike e ka përkeqësuar gjendjen.

https://p.dw.com/p/18RCD
Pamje simbolike për Lirinë e ShtypitFotografi: picture-alliance/dpa

"Partitë politike në Evropën Juglindore po ushtrojnë presion të madh ndaj gazetarëve", thotë reporterja nga Bosnjë e Hercegovina, Elvira Jukiq-Mujikiq. Ajo kritikon faktin që politikanët në Bosnje vendosin se kush duhet t'i drejtojë mediat kryesore publike. Kryeredaktorët dhe drejtorët thirren deri në 20 herë në ditë me telefon prej politikanëve dhe u thuhet se cilat informacione apo kronika duhet të bëjnë publike. Një metodë e ngjashme ndikimi vlen edhe për Serbinë, e cila është radhitur në vendin e 63 të listës së World Press Freedom Index 2013, të bërë nga Reporterët pa Kufij. Bosnjë e Hercegovina gjendet në vendin e 68, ndërsa Bullgaria madje në vendin e 87.

Influenca e politikanëve ndaj mediave në Maqedoni është edhe më e dukshme, ankohet Maria Sevrieva, gazetare e lirë nga Shkupi. Shumë aktorë udhëheqës politikë kanë qenë deri para pak kohe edhe pronarë të gati të gjitha mediave në vend. Kjo ka ndryshuar pas presioneve të mëdha nga Brukseli, për shkak të interesimit të Maqedonisë për integrim në BE. Por edhe tani kur mediat kanë disa pronarë të tjerë, ndikimi i politikanëve është shumë i fuqishëm. "Qeveria paguan shuma të mëdha për reklama në mediat maqedonase dhe mund të thuhet se ato varen nga qeveria", thotë ajo.

Humbja e reklamave për shkak të kritikave

Logo Reporter Ohne Grenzen englisch
Logoja: Reporterë pa kufij

Në Shqipëri (vendi 102 në këtë listë) pronarë të disa mediave kanë sipërmarrje të ndryshme të cilat mbështesin edhe politikanë të caktuar. "Shpesh ata përfitojnë nga lejet për ndërtime apo përparësi të tjera", shpjegon Fatjon Kodra, gazetar nga Shqipëria.

Në përgjithësi, sipërmarrësit influencojnë në media edhe kur nuk janë pronarë të tyre. Richard Meares i njeh disa raste. Si trajner i gazetarëve dhe reporterëve nga Ballkani ai ka pasur rastin të njoftohet me shumë gjëra. Një reporter i ka treguar se shefat e mediave në vendet e Evropës Juglindore që në fillim u thonë të mos raportojnë apo shkruajnë për gjëra dhe persona të caktuar.

Gazetarët në Evropën Juglindore janë mësuar me presione, që nga koha e diktaturave komuniste. Sot presionet më të mëdha vijnë nga sektori i ekonomisë, mendon Meares. "Nuk mund të thuash se çka është më keq. Por në shumë vende sipërmarrësit janë njëherit edhe politikanë, ndaj këto gjëra janë të përziera", pohon ai.

Mazedonien Presse TV Sender TV A1 in Skopje
Konferencë për shtyp nga punonjësit e TV A1 në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Vetëcenzura dhe presionet familjare

Goran Miliq mendon ndryshe. Ai punon për 43 vjet me radhë në mediat e ish-Jugosllavisë, ndëra tani drejton "Al Jazeera Balkan". Gazetarët e vënë veten nën presion, sepse e dinë se çfarë u pëlqen lexuesve apo shikuesve. Presioni vjen edhe nga vet familjet e tyre. "Prindërit shpesh u thonë fëmijëve të tyre gazetarë: për shkak të shkrimeve të tua unë nuk jam i sigurt as në rrugë. Pse po ma bën këtë?" Këto gjëra natyrisht që sjellin edhe vetëcenzurë.

Shumë gazetarë nga Evropa Juglindore shpresojnë se gjërat do të ndryshojnë në vendet e tyre pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në Rumani gjërat kanë ndryshuar pas anëtarësimit në vitin 2007, por vetëm për një kohë të shkurtër, thotë Roxana Pricop, redaktore në gazetën më të njohur ekonomike "Ziarul financiar".

"Gjendja e gazetarëve në Rumani është sot më e keqe se para anëtarësimit në BE. Për këtë nuk e kanë fajin politikanët, por situata e rëndë ekonomike", mendon ai. Në vendet e prekura nga kriza gazetarët kanë në veçanti frikë nga mundësia e humbjes së vendit të punës, ndaj edhe u ikin disa temave të caktuara.

Bosch-Reuters-Meeting in Berlin Goran Milic
Gazetari Goran Milic që punon prej 43 vjetësh për mediat e ish-JugosllavisëFotografi: Tobias Bohm

Krahas gjendjes së rëndë ekonomike, Maqedonia po përballet edhe me një problem tjetër : "Baza ligjore është tepër e ashpër", thotë gazetarja Maria Sevrieva. "Pronarët e mediave u thonë ndonjëherë bashkëpuntorëve shumë hapur: ne nuk kemi para për ndonjë proces juridik para gjykatave, pra duhet të jemi të kujdesshëm me shkrime dhe raportime. Ne e dijmë që nuk është profesionale, por ne nuk mund të mbijetojmë në treg, nëse raportojmë për korrupsionin." Maqedonia është sa i përket gjendjes së lirisë së shtypit në vendin e fundit në Evropën Juglindore - në vendin e 116, që do të thotë se gjendja është përkeqësuar në krahasim me vitin e kaluar për 22 vende.