Gatishmëria e gjermanëve për donacione
14 Nëntor 2013Imazhe njerëzish të dëshpëruar, që qendrojnë para rrënojave të ekzistencës së tyre, veç kësaj njoftime për epidemi dhe plaçkitje. Çdo ditë në lajme shihen pasojat shkatërrimtare të tajfunit "Haiyan" në Filipine. Kjo i shtyn shumë njerëz të japin ndihma. Informacionet për katastrofa nga Azia Juglindore janë një shtysë individuale, thotë Daniela Felser nga "Këshilli Gjerman i Ndihmave", një shoqatë ombrellë për organizata donatore: "Një gjë e tillë mund të më ndodhte edhe mua: Si mund të ndihmoj?" Një titull apo foto emocionuese dhe donatori gjerman reagon. Vetëm me aksionin "Gjermania ndihmon", një aleancë e organizatave humanitare që të shtunën (9.11.2013) e kaluar janë mbledhur 3,5 milionë euro donacione.
Pas fluksit të fotove vjen fluksi i donacioneve
Në raste katastrofash mediet luajnë një rol të rëndësishëm. Nëse fotot emocionojnë, janë veçanërisht të shumtë njerëzit, që dhurojnë. Daniela Felser nuk sheh asnjë "lodhje" të dhuruesve përballë katastrofave të shumta natyrore të viteve të kaluara: "Pikërisht ne në Gjermani përjetojmë edhe vetë se ka më shumë stuhi dhe se në verë nganjëherë është aq ftohtö, sa duhet të nxjerrësh pallton e dimrit". Identifikimi është i madh dhe përbën një motivacion të rëndësishëm për të dhuruar. Këtë e konfirmon edhe Burkhard Wilke nga "Instituti gjerman për Çështje Sociale" (DZI): "Në raste katastrofash të tilla natyrore, kur mediet raportojnë dhe numri i viktimave dhe të prekurve është kaq i madh, gatishmëria për të dhuruar si rregull është shumë e madhe."
Se sa i ngushtë është raporti mes raportimit dhe volumit të dhurimeve, e tregoi edhe katastrofa e përmbytjeve në Gjermani verën e kaluar, si pasojë e të cilës në Bavari dhe lindje të Gjermanisë pati dëme në shumë miliardëshe. Më shumë se gjysma e donacioneve është gjeneruar nga mediet, thotë Daniela Felser. Një rezultat i habitshëm, i cili nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Donacione të pakta, kur informacionet janë konfuze
Megjithëse Filipinet janë 10.000 kilometra larg, makineria e donacioneve në Gjermani ecën mirë edhe në këtë katastrofë. Pasi krahas identifikimit janë përmbushur edhe kushte të tjera, thotë Burkhard Wilke: "Nuk ka informacione konfuze, si p.sh. në raste luftërash civile, ku dhuruesit nuk dinë, se kush është i keqi dhe kush i miri."
Kur situata politike në zonën e krizës është e paqartë, raportimi i gjerë mund të shkaktojë pikërisht të kundërtën dhe të sjellë tërheqje të dhuruesve. Shembull aktual: Siria. Pamjet nga lufta civile konfuze i bëjnë të pasigurt dhuruesit potencialë, thotë Wilke. "Herë shihet fajtore qeveria, e herë rebelët." Këtu shtohet edhe përshtypja se është vështirë që ndihma të arrijë deri tek nevojtarët. Kështu ndodh që për situatën katastrofale në Siri informohet vërtet shumë, por volumi i dhurimeve është relativisht i vogël. Dhe nuk ka vlerë që organizatat e pranishme në vend, si "Mjekë pa kufij", bëjnë të qartë se ndihmat janë të domosdoshme për punën e tyre. Situatë e ngjashme ishte edhe në rastet e tërmeteve në Pakistan, apo Iran.
Gjermania kampione donacionesh në botë?
Në mediet gjermane është ngulitur fort klisheja se gjermanët janë veçanërisht të prirur të dhurojnë, në Gjermani ekzistojnë rreth 600.000 shoqata joqeveritare. Për krahasim: në Holandë janë vetëm 30.000 të tilla. Por përfytyrimi i shumë gjermanëve se janë "kampionë donacionesh" është i gabuar: "Ne gjermanët luajmë më shumë në mesfushë, kur është fjala për donacionet për kokë", thotë Burkhard Wilke. Pas cunamit 2004/2005 u mblodhën vërtet 670 milionë euro. Por në krahasim ndërkombëtar kjo shumë nuk ishte nga më të mëdhatë, vende si Norvegjia, Zvicra, apo Holanda dhuruan dy ose tri herë më shumë për banor. Dhe një kulturë e spikatur "bamirësie" është tradicionalisht më shumë karakteristikë e SHBA-së se sa Gjermanisë.
Por edhe pse gjermanët nuk janë kampionë bote në donacione, kjo klishe e medieve nuk dëmton. Përkundrazi: kush e sheh veten si pjesë të "një gjëje të madhe", një lëvizjeje të gjerë donacionesh, bëhet më bujar, vlerëson sociologu Eckhard Priller. "Tingëllon mirë dhe ka edhe një efekt shumë të mirë në motivimin e njerëzve për të dhuruar." Dhe ky efekt mund t'i ndihmojë njerëzit në nevojë në Filipine.