1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gas lotsjellës për shpërndarjen e turmave në Krushën e vogël

Bekim Shehu25 Maj 2006

Një grup shqiptarësh nga fshati Krushë e Vogël, i komunës së Prizrenit kanë kundërshtuar kthimin e disa familjeve serbe në këtë fshat

https://p.dw.com/p/Arfb
Refugjatë serbë në Kosovë
Refugjatë serbë në KosovëFotografi: dpa


Disa dhjetëra banorë të fshatit Krushë e Vogël të komunës së Prizrenit, janë përleshur me policinë ndërkombëtare, derisa këta të fundit po shoqëronin një konvoj me disa familjarë serbë që dëshironin të vizitonin pronat e tyre në këtë fshat. Përfaqësues të fshatit Krushë e Vogël, thonë se, kjo vizitë ka provokuar banorët e fshatit të cilët tash e shtatë vjet vazhdojnë të kërkojnë afro 100 persona të zhdukur gjatë luftës së fundit.

Agron Limani, udhëheqës lokal në këtë fshat, për programin tonë rrëfeu, se policia ka përdorur gasin lotsjellës dhe shkopat e gomës për të shpërndarë masën protestuese dhe për pasojë kanë marrë lëndime dhjetëra banorë të fshatit. Disa nga ata akoma po mjekohen në Spitalin e Prizrenit.

Zyrtarë të policisë ndërkombëtare, nga ana e tyre konfirmojnë incidentin e ndodhur në mes tyre dhe banorëve të fshatit Krushë e Vogël, mirëpo, akoma nuk japin informacione mbi shkaqet e kësaj përplasje. Sidoqoftë, kthimi i serbëve të zhvendosur nga Kosova përfshihet në planin e qeverisë së Kosovës dhe administratës ndërkombëtare.

Së fundi qeveria e Kosovës ka bërë një kërkesë që procesi i kthimit të personave të zhvendosur të kalojë në kompetencë të institucioneve kosovare të cilat siç thuhet duhet tu ofrojnë siguri personave që vendosin të kthehen në Kosovë. Në këtë linjë, sipas zyrtarëve të qeverisë do të krijohen tre grupe kryesore; grupi komunal, grupi qendror për rishikime dhe grupi i nivelit të lartë në të cilin marrin pjesë anëtarë të qeverisë dhe përfaqësues të UNMIK-u, për aq kohë sa administrata ndërkombëtare të qëndrojë në Kosovë.