1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Garantimi i së drejtës së votës për njerëzit me aftësi të kufizuar

Arben Muka / Tiranë23 Mars 2013

Në Shqipëri zyrtarisht ka rreth 120.000 persona me aftësi të kufizuar në listat elektorale. Organizatat për të drejtat e tyre synopjnë për zgjedhjet e 23 qershorit më shumë lehtësi për pjesëmarjen e tyre në proces.

https://p.dw.com/p/182te
copyright: Arben Muka zugeliefert von: Arben Muka
Fotografi: DW/A. Muka

Në kategritë e njerëzve me aftësi të kufizuar futen ata që kanë statusin e personave që nuk flasin, nuk shikojnë, tetraplegjikët e paraplegjikët, të dëmtuarit fizik, invalidët e punës etj. Nëse do t'i referohemi të dhënave që kanë vetë shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre, si dhe vetë listave zgjedhore, atëherë kuptojmë se kemi të bëjmë me një numër të konsiderueshëm, rreth 120 mijë vetë.

Premto Gogo, drejtor i organizatës joqeveritare KRIIK Albania, dhe përfaqësues i koalicionit të vëzhguesve vendorë prej vitesh është angazhuar në proceset elektorale dhe referendare në Shqipëri. Ai mendon se këta persona proces pas procesi nuk janë trajtuar me seriozitetin e duhur në krijimin e kushteve që dhe ata të mund ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Jo të gjithë ata mund të kenë dëshirë të shkojnë në kutitë e votimit, por ama, administrata zgjedhore, pushteti lokal, qeveria duhet të bëjnë gjithçka që t'u krijojnë të gjitha lehtësitë, thotë Gogo për DW.

Sinan Tafaj, kryetar i shoqatës së të verbërve
Sinan Tafaj, kryetar i shoqatës së të verbërveFotografi: DW/A. Muka

Angazhim sipërfaqësor për zgjidhjen e problemit

"Mua më duket se zgjidhja e problemit të tyre lihet për minutën e fundit. Nuk ekziston ende një infratsrukturë e konsoliduar që t'u krijojë mundësitë njerëzve me aftësi të kufizuar për të votuar. Kodi elektoral për këtë gjë është për mua i pakuptimtë. Sepse lë në dorën e këryre personave fillesën e zgjidhjes, pra, që ata duhet të njoftojnë pranë autoriteteve lokale prezencën e tyre dhe më pas autoritetet lokale informojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, KQZ. Kjo më duket e pazgjidhur ligjërisht, pasi gjendja e numrit të tyre, të vendbanimit, të ndarjes për çdo qendër votimi etj., të gjitha këto duhet të jenë atribute të pushtetit lokal. Diçka është vënë në vijë për të verbërit falë insistimit dhe presionit që ata kanë bërë prej kohësh, por për kategoritë e tjera të njerëzve me aftësi të kufizuar ka angazhim sipërfaqësor, neglizhencë dhe kalim të përgjegjësisë nga një autoritet tek një autoritet tjetër, duke e lënë zgjidhjen më shumë pezull."

Këshilli kombëtar i personave me aftësi të kufizuar është një rrjet organizatash e shoqatash joqeveritare që mbron interesat e tyre. Avokati Sinan Tafaj, kryetar i shoqatës së të verbërve, që drejton dhe këshillin, shikon një sërë pengesash që e bëjnë të mundimshme ose të pamundur përfshirjen e këtij kontigjenti në procesin elektoral. Në një bisedë për DW, avokati Tafaj përmend p.sh., moskuptueshmërinë e materialeve dhe procedurave zgjedhore, pamundësinë për të shkuar deri tek kutia e votimit, mosmenaxhimi i aktit të votimit në dhomën e fshehtë, vështirësia që krijojnë rradhët e gjata në qendrat e votimit etj.

"Ne ende mbetemi si grup popullate të disfavorizuar. Një nga mekanizmat që ne duam ta aktivizojmë për të sensibilizuar është e drejta e votës. Kategori të tjera shoqërore kanë mundësi të organizimit dhe përshkallëzimit të protestës. Për vetë kushtet specifike ne e kemi të limituar këtë formë demokratike reagimi, ndaj dhe e shikojmë të votuarit si një aset që duam të shfrytëzojmë në zgjidhjen e problemeve të shumta tonat. Dua të nënvizoj se para 5 - 6 viteve ka pasur programe të mbështetura nga përfaqësia e OSBE-së për të na lehtësuar, por në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011 angazhimi për të na mbështetur ka qenë krejt pjesor, vetëm në zona të caktuara të vendit".

Bashkëpunimi me KQZ-në

Avokati Sinan Tafaj pranon se janë arritur disa zgjidhje për të verbërit dhe paraplegjikët, kurse për të tjerët më pak. Ai është i kënaqur nga një marrëveshje bashkëpunimi që është arritur mes këshillit kombëtar të personave me aftësi të kufizuar dhe KQZ-së. Një aspekt me rëndësi në bazë të këtij akordi është se hartimi i listave identifikuese të personave me aftësi të kufizuar do të bëhet nga vetë këshilli. Të gjitha udhëzimet që do të japë nëpërmjet televizioneve KQZ, si institucioni i vetëm kushtetues që menaxhon procesin elektoral, do të jenë të shoqëruara dhe me gjuhën e shenjave. KQZ ka marrë përsipër që të prodhojë fletët e veçanta të votimit për personat e verbër. Në vendet ku ka persona paraplegjikë që lëvizin me karroca mbështetëse, komisioni, do të mbulojë vendosjen e rampave (pedanave) që ata të mund të lëvizin lirshëm drejt kutisë së votimit etj.

"Ne duam ta ushtrojmë të drejtën e votës, sepse në këtë mënyrë duam të japim verdiktin tonë për të mbështetur apo për të mospëlqyer këtë, apo atë alternativë që ofrohet publikisht", thotë për DW avokati Sinan Tafaj, nga këshilli kombëtar i personave me aftësi të kufizuar.