1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

131211 JRB Finanzkrise EU

23 Dhjetor 2011

Viti 2011 tronditi themelet e Bashkimit Evropian. Përballë krizës ekonomike që sa vjen e thellohet, mbi bashkimin monetar të festuar deri tani si histori e madhe suksesi është ndezur një diskutim i ashpër.

https://p.dw.com/p/13YSW
Pamje simbolike e euros mbi glob
Pamje simbolike e euros mbi globFotografi: picture-alliance/dpa

Gjithë mefshtësia e BE-së në krizën e euros në vitin 2011 u shfaq që në deklaratën e presidentit të Komisionit José Manuel Barroso në janar: "Për sa i përket [fondit të shpëtimit] EFSF, ne mendojmë se mundësitë e tij të vërteta të financimit duhen forcuar dhe fusha e tij e veprimit duhet zgjeruar."

Praktikisht, BE-ja është grindur gjithë vitin për fondin e shpëtimit EFSF, për përmasat dhe mundësitë e përdorimit të tij. Në Gjermani me këtë çështje është marrë edhe Gjykata Kushtetuese. Tani, në fund të vitit, pas një procesi të gjatë torturues, gjithçka është përgatitur. Mirëpo, tregjeve duket se nuk u intereson më fondi.

2011-a ishte një vit, në të cilin kriza u acarua nga muaji në muaj. Samite të jashtëzakonshme zhvilloheshin në distanca kohore gjithnjë e më të shkurtra. Dhe me sa duket besimi i investuesve mungon ende. Martin Schulz, kryetari i fraksionit të socialistëve në Parlamentin Evropian, ankohet për paefektshmërinë e samiteve të shumta: "Ajo që përjetojmë javët e fundit, [...] bëhet në Evropë prej një vitit e gjysmë: [Diçka] paralajmërohet, nuk zbatohet; ide e re, diskutohet; gjoja kompromis, përsëri nuk zbatohet, sërish takim krize. Nuk e di, ndoshta ka një listë me takime krize të numëruara nga fillimi në fund?"

BE -ja më e ndarë se kurrë

Merkel, Sarkozy dhe Monti gjatë një konference për shtyp lidhur me krizën financiare në BE
Merkel, Sarkozy dhe Monti gjatë një konference për shtyp lidhur me krizën financiare në BEFotografi: dapd

Kritika drejtohet kundër qeverive të shteteve anëtare, para së gjithash kundër Gjermanisë dhe Francës. Sepse edhe kjo është një përvojë e rëndësishme e këtij viti: Po ndodh një zhvendosje pushteti: larg Komisionit dhe Parlamentit, dhe larg Evropës së 27-ve, drejt shteteve të mëdha të bashkimit monetar. Kësaj i shtohet frika se mos grupi i 17 shteteve e nxjerr në qoshe gjithë BE-në me 27 anëtarët. Pas samitit të sapopërfunduar të dhjetorit BE-ja është vërtet më e ndarë sesa kurrë.

Megjithatë ndryshe nga ç'mendohej: Duket sikur Britania e Madhe do të qëndrojë si i vetmi vend jashtë projektit të një bashkimi fiskal me rregulla të përbashkëta. Kryeministri David Cameron ka vendosur veton. "Ne nuk do ta fusim kurrë euron. Ne nuk do ta dorëzojmë kurrë sovranitetin që këto vende do të duhet të dorëzojnë për të hyrë në bashkimin fiskal."

Derisa kjo e margjinalizon edhe më tej Britaninë e Madhe në BE, roli i Gjermanisë është rritur mjaft. Shtete si Polonia presin nga Gjermania zgjidhjen e krizës. Mirëpo disa bëjnë fjalë edhe për diktat gjerman. Mos vallë gjermanët papritur përsëri oreks pushteti? -pyesin veten gjithë ankth shumë njerëz në Evropë. Qeveria gjermane i hedh poshtë si jo të goditura frikëra të tilla.

Gjermania refuzon emetimin e obligacioneve

David Cameron, kryeministri i Britanisë së Madhe në para gazetarëve pas samitit të fundit të BE-së
David Cameron, kryeministri i Britanisë së Madhe në para gazetarëve pas samitit të fundit të BE-sëFotografi: AP

Një gjë dihet: Gjatë krizës Berlini është bërë më i prirur për të arritur doemos qëllimet. Deri tani qeveria gjermane ka refuzuar me sukses preras një projekt: emetimin e obligacioneve të përbashkëta në euro. Plani: Vende si Greqia, që kanë vështirësi, të shesin në treg obligacione shtetërore, mund të merrnin kështu përsëri para. Mirëpo, për këto hua do të përgjigjeshin të gjitha shtetet e euros. Gjermania e refuzon këtë kategorikisht.

Megjithatë, pavarësisht rezervave të shumta (edhe nga Berlini) BE-ja shkeli parime thelbësisht të vetat. Kështu për shembull, Banka Qendrore Evropiane ble prej majit obligacione të shteteve të zhytura thellë në hua, gjithësesi ende në përmasa të vogla, duke e bërë kësisoj ca më të durueshëm financimin e tyre. Derisa disa e kritikuan këtë me forcë, të tjerë e lavdëruan për hapin shefin e ECB-së Jean-Claude Trichet.

Prej shteteve me probleme në fokus qëndron para së gjithash Greqia. Brendapërbrenda eurozonës ajo ka me diferencë të madhe të dhënat buxhetore më të këqija. Perspektiva e rritjes së saj ekonomike korrigjohet vazhdimisht për poshtë, papunësia rritet. Ministrave të financave të eurozonës u duhet të miratojnë çdo transh të paketës së ndihmës. Për këtë arsye vendi gjendet nën mbikëqyrje evropiane.

Lukas Papadhimos, kryeministri i Greqisë para Parlamentit në Athinë
Lukas Papadhimos, kryeministri i Greqisë para Parlamentit në AthinëFotografi: dapd

Gati kudo në Evropë qeveritë kanë marrë ndërkohë një kurs të ashpër kursimesh. Prej fillimit të vitit kanë ndryshuar mjaft gjëra edhe në rregullimin e sektorit financiar. Megjithatë, më kot është pritur deri tani futja e një takse për transaksionet financiare. Para së gjithash atë e ka bërë deri tani të pamundur Britania e Madhe sepse britanikët druajnë humbjen e rëndësisë së Londrës si qendër financiare.

Autor: Christoph Hasselbach/Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Kelmendi