1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

G7 themelojnë platformë për ndihmat për Ukrainën

13 Dhjetor 2022

Vendet e G7 duan ta konsolidojnë mbështetjen e tyre financiare për Ukrainën në të ardhmen. G7 ranë dakord sot për momentet kyçe për një platforme.

https://p.dw.com/p/4Kreh
Ukraine | Präsident Wolodymyr Selenskyj
Fotografi: Ukrainian Presidential Press Service/REUTERS

Kancelari gjerman Olaf Scholz e siguroi Ukrainën për shtimin e mbështetjes nga vendet e G7. Pas një videokonference prej më shumë se një ore e gjysmë me krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive të hënën vonë pasdite, ai deklaroi në Berlin se G7 kishte arritur të jepte një përgjigje të fortë ndaj luftës së agresionit të udhëhequr nga Rusia kundër Ukrainës.

Platformë koordinuese për mbështetjen financiare nga donatorët

Vendet e G7 duan ta konsolidojnë mbështetjen e tyre financiare për Ukrainën në të ardhmen. "G7 ranë dakord sot për momentet kyçe për një platformë e cila duhet të koordinojë mbështetjen financiare nga të gjithë donatorët," tha kancelari gjerman Olaf Scholz. "Qëllimi tani është që kjo platformë të ngrihet shpejt, me pjesëmarrjen e Ukrainës, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe partnerëve të tjerë." Krerët e shteteve dhe qeverive diskutuan në vazhdim të konferencës së ekspertëve për Ukrainën, të organizuar nga Gjermania në tetor.

Krerët e shteteve dhe qeverive të G7 komunikuan për herë të gjashtë në kuadër të Grupit të 7 nën Presidencën Gjermane. "Vetëm kjo shifër tregon se sa ngushtë jemi konsultuar me partnerët tanë më të afërt me vlerë këtë vit," tha kancelari Scholz.

Pas bisedave me presidentin amerikan Biden, presidentin francez Emmanuel Macron dhe krerët e qeverisë italiane, kanadeze dhe japoneze, Scholzi e siguroi Ukrainën për "solidaritetin e tij të palëkundur", i cili do të ruhet për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Rindërtimi i Ukrainës "detyrë e njerëzimit"

Scholz e quajti rindërtimin e Ukrainës "një detyrë të njerëzimit, ndoshta të krahasueshme me Planin Marshall pas Luftës së Dytë Botërore". Përballë luftës së agresionit rus, grupi G7 mbetet "fort në anën e Ukrainës”, nënvizoi kancelari.

Scholz - konference shtypi per G-7
Fotografi: Markus Schreiber/AP Photo/picture alliance

"Solidariteti i palëkundur me Ukrainën" dhe mbështetja konkrete për vendin kanë qenë filli i kuq i presidencës gjermane të G7, shtoi ai. "Ai manifestohet në fushat më të ndryshme: politike, financiare, ekonomike, humanitare dhe ushtarake - dhe ne do ta bëjmë këtë për aq kohë sa të duhet."

Grupi G7 përfshin, përveç Gjermanisë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara. Gjermania ia dorëzon Japonisë presidencën e G7 në fund të vitit.

Demokracitë më të fuqishme ekonomikisht në botë janë afruar edhe më shumë. Demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë lidhjet që bashkojnë partnerët me vlera, të cilët angazhohen së bashku për të mbështetur Ukrainën dhe për një paqe të drejtë. "Ishte uniteti ynë, vendosmëria jonë, që e bëri presidentin rus të qëndronte i vetëm sot," tha Scholz. Ai i kërkoi Putinit të "ndalojë vrasjet e panevojshme në Ukrainë dhe të tërheqë trupat e tij". Ky konsensus shkon përtej G7. Ai shtoi se G20 kishte caktuar një vijë të rëndësishme në samitin e Balit duke e quajtur përdorimin e armëve bërthamore absolutisht të papranueshme dhe duke i bërë thirrje Putinit që t'i kthehet së drejtës ndërkombëtare.

Një konferencë ndërkombëtare për ndihmat për Ukrainën po mbahet sot në Paris. Gjermania përfaqësohet nga Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock. Përballë shkatërrimeve në Ukrainë, pritet të flitet për premtime konkrete për rindërtimin e infrastrukturës.

aud (dpa, bundesregierung.de)