1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grassi nuk ndryshon qëndrim

6 Prill 2012

Shkrimtari gjerman Günter Grass ka mbrojtur qëndrimet e shprehura në një poezi kritike ndaj Izraelit. Grass është shprehur se ka simpati të madhe për Izraelin, por është kundër sulmeve atomike.

https://p.dw.com/p/14Yxz
Poezia «Ajo që duhet thënë duhet thënë» Gynter Grass
Poezia «Ajo që duhet thënë duhet thënë» Gynter GrassFotografi: picture-alliance/dpa

Nobelisti gjerman i letërsisë, shkrimtari Günter Grass ka hedhur poshtë kritikat që i janë drejtuar pas botimit të poezisë kritike për Izraelin. Ai nuk ndryshon qëndrimin e tij, se Izraeli me armët atomike rrezikon paqen botërore, ka thënë Grass. "Nëse Izraeli - ndoshta me të ashtuquajturat bombat konvencionale dhe koka shpërthyese do të sulmojë centralet atomike iraniane, kjo mund të çojë në bë luftë të tretë botërore". Kështu është shprehur Grass të Enjten për agjencinë gjermane të lajmeve, dpa.

Me poezinë e tij politike, është shprehur Grass, ai ka dashur të të bëjë thirrje që si Izraeli ashtu edhe Irani t'i nënshtrohen kontrolleve ndërkombëtare. Grass është shprehur se është kundër një goditjeje preventive. Si gabim Grass ka pranuar vetëm që në poezinë e tij përmendet Izraeli dhe jo konkretisht qeveria izraelite. Ai ka simpati të madhe për Izraelin, ka thënë Grass, dhe dëshiron mbijetesën e Izraelit edhe në të ardhmen.

Shkrimtari 84 vjeçar u shpreh se askush nuk ballafaqohet me përmbajtjen e poezisë. Në poezinë me titull "Çfarë duhet thënë", Grass akuzon "fuqinë atomike Izrael" se me politikën që po ndjek ndaj Iranit po rrezikon paqen botërore. Ky tekst, i cili u botua të mërkurën në tre gazeta shkaktoi një valë të fortë reagimesh dhe indinjatë në mbarë botën.

Gynter Grass
Gynter GrassFotografi: AP

Grass kritikon median

Ndërsa në një intervistë të dhënë të enjten në mbrëmje për televizionin e parë gjerman, ARD, Grass u shpreh se konstatoj se në një vend demokratik si Gjermania, ku sundon liria e shtypit, është bërë parësor njësimi i opinioneve.

Në intervistën për ARD Grass u shpreh se e kishte pritur debatin. Madje ai vetë kishte shpresuar për ndezjen e debatit, sepse disa gjëra duhen thënë, është shprehur Grass. "Por ajo që po përjetoj është një shtyp i njësuar. Nuk ka zëra kundër. Marr me shumicë E-maile nga njerëz që janë të një mendimi me mua. Por kjo nuk del në opinionin publik. Ajo që bie në sy pastaj, është natyrisht mosmarrja me përmbajtjen, me faktet, ato duhet të kundërshtohen. Për shembull tema e tabuizuar që Izraeli është një fuqi atomike prej shumë kohësh e jashtë çdo lloj kontrolli."

Autor: Agj/Arapi

Redaktoi: Aida Cama