1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijët rumunë viktima të dyfishta në skandalin e pornografisë

Cristian Stefanescu / E. Xhani2 Mars 2014

Gjermani Markus R. është dënuar në Gjermani për abuzim seksual të miturish. Në Rumani ai vazhdoi të njëjtën gjë i pashqetësuar. Kritikët fajësojnë edhe policinë gjermane për mungesë bashkëpunimi me autoritetet rumune.

https://p.dw.com/p/1BHsK
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai konsiderohej si sipërmarrës i angazhuar në çështje sociale, që kujdesej vullnetarisht në kohën e lirë për nxënës shkollash. Por gjermani Markus R. fotografonte dhe filmonte djem të zhveshur në Rumani dhe materialin ia shiste një ofruesi kanadez në internet, tek i cili, sipas prokurorisë gjermane, kishte porositur foto fëmijësh të zhveshur edhe deputeti socialdemokrat (SPD) Sebastian Edathy. Markus R. kishte shkuar në Rumani në 2001 si punonjës i një firme gjermane përpunimi druri dhe atje ofronte për nxënësit e shkollave kurse falas karateje dhe aktivitete të tjera të kohës së lirë.

Sebastian Edathy
Politikani gjerman në qendër të skandalit të Sebastian EdathyFotografi: picture-alliance/dpa

Policia rumune e arrestoi atë në vitin 2010 dhe më pas u dënua me dy vjet e gjysmë heqje lirie. Pas lirimit nga burgu rumun në vitin 2012 ai u rikthye në Gjermani ku për arsye të mbrojtjes së identitetit për autorë të veprave penale, emri i tij nuk përmendet i plotë në shumë medie.

Viktimat nuk janë në qendër

Në vend të kësaj në disa artikuj përmenden me emrat e plotë pjesëtarët e familjeve të viktimave. Edhe në televizion u shfaqën madje pamje të pacensuruara të një viktime të mitur. "Është indinjuese që shtypi gjerman nga njëra anë kujdeset për anonimitetin e keqbërësit duke i dhënë kështu mbrojtje, dhe nga ana tjetër përmend emrat e fëmijëve, pjesëtarëve të familjeve të tyre dhe madje të fshatrave ku ata jetojnë", thotë Stefan Candea në bisedë me DW. Ai drejton Qendrën Rumune për Gazetari Investigative dhe bashkë me gazetarë kanadezë të gazetës "Star" që del në Toronto, ka ndjekur gjurmët e një rrethi ndërkombëtar pornografie me fëmijë.

"Nëse kështu niset një debat që do të sillte ndryshime radikale të situatës së fëmijëve atëherë kjo do të ishte mirë. Por nuk duket se është kështu", thotë Candea. "Në Rumani një debat i tillë nuk zhvillohet aspak. Dhe diskutimi në Gjermani nuk vendos në qendër viktimat. Të gjithë interesohen të dinë vetëm se si ishte e mundur që një deputet gjerman arriti të paralajmërohej që ndaj tij po hetohej", thotë gazetari rumun.

Gabime të policisë gjermane

Përpara se Markus R. të shkonte në Rumani ai kishte kryer një dënim me burg për abuzim seksual me të mitur. Në Rumani ai mundi të bënte i pashqetësuar atë që i ishte ndaluar në Republikën Federale: të punonte si trajner, kujdestar apo edukator me të mitur. "Autoritetet gjermane duhej të kishin informuar për këtë kolegët rumunë", kritikon Stefan Candea. Por sipas të dhënave të policisë rumune kjo nuk ka ndodhur.

Po përse shkoi Markus R. pikërisht në Rumani? "Vendi prej kohësh konsiderohet si parajsë e kriminalitetit, para së gjithash kriminalitetit seksual", thotë psikologu rumun Gabriel Diaconu. "Sigurisht kjo është edhe trashëgimi e diktaturës komuniste dhe pasojë e varfërisë, për shkak të së cilës shumë familje i lënë pas dore fëmijët e tyre". Mungojnë institucione të cilat të kujdesen për mbrojtjen e të miturve.

Jo fenomen kombëtar

Gabriel Diaconu
Psikologu Gabriel DiaconuFotografi: privat

Psikologët dhe punonjësit sociale e kanë megjithatë për detyrë që një rast të tillë abuzimi të mos e vlerësojnë si "fenomen kombëtar" dhe të mjaftohen me formulën "vend i varfër, njerëz të varfër, varfëri patologjike". "Fëmijët nuk janë në radhë të parë shtetas rumunë por viktima të një rrethi ndërkombëtar pornografie me fëmijë. Këto raste nuk mund t'i gjykojmë pëciptazi vetëm si rrjedhojë e diktaturës komuniste." Pornografia dhe tregtia me fëmijë "nuk mund të reduktohen në vendin ku viktimat jetojnë".

Fakti që disa nga viktimat në artikujt e medieve gjermane janë përmendur me emrat e tyre të vërtetë, përbën "një abuzim të tyre për të dytën herë", thotë gazetari Candea: këtë herë abuzim nga shtypi. Autoritetet rumune nuk u kanë dhënë mundësi familjeve të prekura të kërkojnë zhdëmtim nga Markus R. Asnjë nga fëmijët e abuzuar nuk ka pasur kujdesje psikologjike në kuadër të procesit gjyqësor. "Akoma më keq: disa nga prindërit ankohen se prokurori ka përdorur ton agresiv me fëmijët", thotë Stefan Candea.