1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futbolli dhe integrimi - Mundësitë dhe kufijtë

Panagiotis Kouparanis9 Qershor 2006

Mundësitë që ofron futbolli për integrimin e migrantëve, mbi këtë temë të mërkurën në mbrëmje (07.06) në Berlin u zhvillua një veprimtari nga fondacioni Friderich Ebert.

https://p.dw.com/p/AsFG
Ekipi i Brazilit gjatë stërvitjes në Ofenbah
Ekipi i Brazilit gjatë stërvitjes në OfenbahFotografi: AP

22 burra të rritur vrapojnë pas një topi, venë në përdorim këmbët, trupin e shpesh herë edhe trurin, për të kapur topin. Nëse ndonjëri prej tyre ia del që ta fusë topin në portë, atëherë ai përqafohet prej bashkëlojtarëve, të cilët shtrihen në fushë mbi shokun e tyre nga gëzimi. Gjithmonë përsëritet e njëjta skenë. Entuziazmi nuk njeh pengesa gjuhësore, dhe as topi. Në futboll kushdo mund të luajë me këdo. Ndaj shtrohet pyetja për mundësitë që ofron futbolli për integrimin e migrantëve?

Nëse pyet senatorin e Berlinit për rininë dhe sportin, Klaus Bëger, si mund të influencojë futbolli për integrimin, ai tërheq vëmendjen për rregullat themelore të kësaj loje: "Sepse 11 njerëz luajnë së bashku me një ekip tjetër dhe së bashku ata i përmbahen rregullaave duke pranuar, se janë të lidhur midis tyre përmes sportit, përmes korrektesës dhe rregullave, pavarësisht se nga vijnë, çfarë gjuhe flasin, çfarë ngjyre lëkure kanë, apo sa fitojnë."

Në 26.000 klubet sportive në Gjermani janë të organizuar rreth 6,3 milionë antarë. Një e treta e tyre janë me prejardhje emigranti. Këta njerëz shkojnë vullnetarisht nëpër klube dhe janë të kënaqur atje. Tek të rinjtë madje puna shkon deri aty, sa shpesh herë kujdestarët kanë të drejtë t´i urdhërojnë ata që në mbrëmje të ndërpresin lojën dhe të shkojnë në shtëpi. Për trainerin e njohur të futbollit, Evald Lienen, këto janë premisa të mira për të influencuar pozitivisht tek të rinjtë: "Në sport dhe në futboll ka shanse të mëdha për të arritur të gjitha projektetet e mundshme, sepse në to marrin pjesë të rinjtë. Në asnjë fushë tjetër s´ndodh kështu. Nëpër klube duhet të shkojnë edhe konsulentë socialë për të ndërmarrë iniciativa të ndryshme. Ne na duhet që të sjellim referentë për arsimin nëpër klube, në mënyrë që aty të nxiten idetë dhe të vihen në jetë. Këtu kemi të bëjmë me parandalim, në mënyrë që ta çojmë në rrugë të drejtë shoqërinë. Politikanët tanë nuk e kuptojnë, që ne na duhet të shpenzojmë pesëfishin për riparimin e problemeve, krahasuar me shpenzimet për profilaksinë ndaj tyre."

Ndonëse qeveria vitin e kaluar lëvroi 5,4 milionë euro për projektetet e integrimit në sport, sipas shumicës së pjesëmarrësve në diskutim kjo shumë është e pamjaftueshme për të pasur efekt. Integrimi është një çështje e mundimshme që kërkon shumë kohë. Projektet afatshkurtra nuk sjellin asgjë.

Futbolli mund të influencojë për integrimin dhe për mirëkuptimin midis popujve. Por kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër e saj është ajo e shëmtuara: racizimi i përditshëm nëpër stadiume dhe kësaj i shtohen edhe konfliktet etnike që shpesh herë shpërthejnë edhe nëpër stadiume. Senatori Klaus Bëger: "Kjo ndjehet tek luajnë serbët dhe kroatët, që dikur kanë qenë të gjithë pjesë e Jugosllavisë, apo kur luajnë turqit kundër gjermanëve, atëherë në fushë ndodh ajo që s´ka të bëjë aspak me "multikulturalizmin", apo me të bashkëjetuarit."

Natyrisht këto probleme kanë hyrë në futboll nga jashtë. Fakti që ato shpërthejnë në fushën e futbollit, na detyron të bëjmë përpjekje që ato edhe të zgjidhen po këtu. Për këtë futbolli ofron shumë avantazhe, që nuk i ka shoqëria: ky sport kanalizon agresionet, të mëson vlera dhe modele sjelljeje dhe me kohë mëson, që edhe mund të humbasësh dhe ta pranosh këtë, ky është një kusht i rëndësishëm për tolerancën.