1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futbolli dhe dhuna në Ballkan

Bahri Cani10 Tetor 2009

Kohët e fundit janë shpeshtuar rastet e përleshjeve mes tifozëve gjatë ndeshjeve futbollistike në vendet e Ballkanit. Kishte dhe raste vdekjesh. Vëzhguesit e përcjellin me shqetësim këtë formë të re të dhunës ndëretnike.

https://p.dw.com/p/K3Xh
Shiroki Brijeg - protestaFotografi: DW

„E dyta ndër gjërat më të bukura në botë“ tregon në Ballkan gjithnjë e më shpesh anën e saj të shëmtuar. Nuk kalon asnjë fundjavë futbolli pa lajmet për rrahjet në mes të tifozëve të ekipeve kundërshtare dhe pa lajmet për spektatorë dhe policë të lënduar. Dhuna në Shiroki Brijeg të Bosnje-Hercegovinës e ka befasuar edhe profesorin Ugo Vlaisavljeviq, sociolog në Universitetin e Sarajevës.

„Si të gjithë qytetarë e tjerë, kam qenë i shokuar prej lajmeve që arritën nga Shiroki Brijeg. Është diçka e re, siç duket bëhet fjalë për një cezurë. Papritmas në lojë paraqiten armë dhe grupe të armatosura. Këto zhvillime do të ndryshojnë edhe pikëpamjen tonë që kemi për sportin“, thotë ai.

Flash-Galerie Fußball Hooligans Beograd Serbien
BeogradFotografi: picture alliance / dpa

Vdekje në Beograd, dhunë në Rumani

Rasti i ‚Shiroki Brijegut‘ nuk është i vetmi në rajonin e Ballkanit. Pas trazirave në ndeshjen për Ligën e Evropës, midis Partizanit të Beogradit dhe Tuluzit të Francës, në mes të shtatorit një tifoz mysafir 28-vjeçar vdiq nga lëndimet e marra në një spital të kryeqytetit serb. Përleshjet pas fitores së Tuluzit me rezultat 3 me 2 patën filluar në një kafene në qendër të Beogradit. 30 huliganë serbë kishin mësyer në një kafenene rreth 15 ithtarë francezë.

Në Temishvar, në perëndim të Rumanisë, të enjten e kaluar (1.10.) huliganë rumunë dhe kroatë zhvilluan përleshje të rënda në stadium dhe në qytet. Në stadium rreth 300 tifozë të Dinamos së Zagrebit sulmuan tifozët kundërshtarë dhe policët me fishekzjarre dhe bomba me tym. Në ndeshjen e zhvilluar në Rumani, i pranishëm ishte edhe Tomisllav Zhidak. Gazetari i sportit nga Zagrebi ka kohë që është kthyer në një institucion të futbollit ballkanik. Dhunën e cila po shtohet nga dita në ditë në mesin e tifozëve të ish-Jugosllavisë ai e përcjell me shqetësim.

Flash-Galerie Fußball Hooligans Bukarest Rumänien
ZagrebFotografi: picture alliance / dpa

Frustrimet (ndër)etnike

„Shkaqet për këtë brutalitet, për këtë dhunë janë qartë shkaqe ‚kombëtare‘, ato kanë karakter nacionalist. Në Ballkan ka qenë gjithmonë kështu dhe siç duket do të mbetet kështu, të paktën edhe për një kohë të gjatë. Ideologjia nacionaliste është fajtore për incidentet e rënda në futbollin tonë“, pohon Zhidak. Ndërsa sociologu Vllaisavljeviq shprehet i bindur se ajo çfarë mund të vërehet kohëve të fundit në stadiumet e futbollit pasqyron frustrimin e madh në shoqërinë ballkanike.

„Ka shkaqe të ndryshme për këtë si lufta, varfëria apo lënia pas dore e gjeneratave të reja. Para së gjithash të rinjët reagojnë sot shumë të acaruar ndaj çdo lloj provokimi. Kësaj i shtohet edhe fakti që si pasojë e luftës armët janë kthyer në diçka të përditshme, diçka që praktikisht mund të kapen në çdo moment“, pohon sociologu.

I shokuar për ngjarjet e fundit në Ballkan është shprehur edhe presidenti i UEFA-s Michel Platini. “Ne duhet të vazhdojmë luftën tonë kundër individëve të cilët e keqpërdorin futbollin për veprimet e tyre të dhunshme”, tha francezi Platini.

Reagimet e politikës dhe shpjegimet e tifozëve

Pas këtyre ngjarjeve ka reaguar edhe politika. Presidenti serb Boris Tadiq tha se tifozët e dyshuar i pret ‘reagimi më i ashpër i shtetit serb'. Shtrohet pyetja se a është represioni mjeti i duhur kundër dhunës në futboll? Për këtë pyesim njërin prej udhëheqësve të grupit të tifozëve të Partizanit të Beogradit të njohur ndryshe si ‚Grobari‘ që në shqip do të thotë 'Varrmihësit'. Në deklaratën e dhënë për Deutsche Vellen ai dëshiron të mbetet anonim: „Vendet në rajonin tonë praktikisht kanë qenë të ndezura flakë deri para 10-20 vitesh. Kishtë luftë, bomba… një gjeneratë e tërë e të rinjëve është rritur praktikisht me to. Jugosllavia u shpërbë dhe sitemi i vlerave tona u degradua plotësisht. Çfarë prisni ju në të vërtetë nga këta njerëz? Mos vallë duhet të sillen ata si akademikë? Jo, kjo nuk do të ndodhë për aq kohë sa në vendet tona nuk do të ndryshojë diçka. Represioni ndaj tifozëve nuk është mjet, policia nuk mund të ndalojë këtë çmenduri futbollistike. Dhunës duhet t'i pritet udha qysh në shkollë, brenda familjes përmes programeve shtetërore. Por kjo nuk po ndodh na asnjërin vend të rajonit. Prandaj dhuna është kaq brutale”.

Miroslav Ciro Blazevic Fußballnationalmannschaftstrainier
„Ćiro“ BlaževićFotografi: Bosnischer Fußballverband

Marëdhëniet e tendosura ndëretnike e kanë pjesën e tyre të ndikimit në dhunën që shkaktohet gjatë ndeshjeve futbollistike në Ballkan, veçanërisht në Bosnjë e Hercegovinë. Ugo Vllaisavljeviq nga Universiteti i Sarajevës. „Këto trazira në futbollin tonë janë në të vërtetë vazhdim i gjendjes së jashtëzakonshme që e kishim në luftë. Kjo vetëm dëshmon se ndjenjat armiqësore në mes të kombeve nuk janë pakësuar që prej asaj kohe. Tensionet në mes të tifozëve kroatë dhe boshnjakë nuk mund të shihen dhe trajtohen si diçka thjesht ‚sportive‘. Kjo është politikë në kuptimin e plotë të fjalës“, thotë Vllaisavljeviq.

Kombëtarja dhe dëshpërimi

Paradoks është se paraqëitja e sukseshsme e kombëtares së Bosnjë e Hercegovinës në muajt e fundit kishte ngjallur edhe ndjenjat e përbashkëta: papritmas boshnjakët, kroatët dhe serbët ishin ithtarë të një ekipe të vetme. Traineri i kombëtares Mirosllav Blazheviq është tmerruar nga vdekja e shkaktuar në Shiroki Brijeg. „Jam i pikëlluar dhe i deprimuar. Ky rast po më merr forcën për punën time për integrimin e futbollit në Bosnje. Unë e dua popullin tim dhe e di se sa i rëndësishëm është uniteti ynë. Dhe papritmas ndodh një tragjedi e tillë nga e cila askush nuk mund të mbetet i qetë. Unë jam shumë i shqetësuar“, shpjegon Bllazheviq.

I shqetësuar duhet të jetë njeriu edhe për rolin e medieve joprofesionale në Ballkan. Në vend se të informojnë në mënyrë objektive për incidentet ato vetëm sa i hedhin zjarrit benzinë. " Loja në Shiroki Brijeg nuk është zhvilluar por kjo lojë po zhvillohet në media, në politikë dhe në rdhët e policisë", ankohet Vlaisavljeviqi për rolin e medieve në Ballkan. Gazetari i sportit Zhidak tregohet edhe më i ashpër kur bëhet fjalë për ‚kolegët‘ e tij: "Mediet tona janë të njëanshme, në llojin e vet ato janë edhe huligane. Në Britaninë e Madhe për shembull mediet i kanë caktuar vetes për detyrë që të mos u kushtojnë vëmendje incidenteve të tifozëve. Për dallim mediet tona janë të ‘uritura' për senzacione. Ky është një prej shkaqeve përse tifozët veprojnë kështu. Shpesh ndodh që tifozët të bëhen yje mediatik e jo lojtarët”.

Përgjegjësia dhe pasojat e mundëshme

UEFA Präsident Michel Platini
Michel PlatiniFotografi: AP

Në situatën e krijuar cila mund të jetë zgjidhja e problemit? Projektet për ndërgjegjësimin e tifozëve, ndalimet e udhëtimit për huliganët, kontrollet më të rrepta në aeroporte dhe reduktimi i vendeve në këmbë në stadiume me siguri që nuk do të mjaftonin për t'i dhënë fund huliganizmit në staiumet ballkanike por të paktën do të ishin një fillim i mirë.

"Nuk ka zgjidhje si me shkop magjik. Druhem se as ligjet e ashpëra nuk mund të ndihmojnë në këtë mes. Nëse një problem i tillë i dhunës nuk mund të zgjidhet në vendet si Holanda, Polonia apo Anglia atëherë si është e mundur që ligjet më të ashpëra apo policia të kenë nën kontroll këtë dhunë në rajonin tonë?", pyet Zhidak.

Por siç duket nuk kanë dështuar vetëm politika dhe legjislacioni. Tifozët, siç nuk e fsheh bashkëbiseduesi ynë nga grupi i tifozëve 'Grobari' janë të vetdijshëm për përgjegjësinë e tyre por njëkohësisht nuk duan që mediet apo politikanët t'ua hedhin tërë fajin atyre. "Unë e pranoj: ne nuk kemi organizuar seminare apo diskutime me këtë temë. Në biseda me anëtarët tanë ne provojmë të sqarojmë se jeta e njerëzve nuk duhet të vihet në rrezik vetëm pse tjetri është tifoz i një klubi tjetër", pohon ai.

Trazirat e fundit mund të kenë pasoja për Partizanin e Beogradit dhe Dinamon e Zagrebit. Klubi serb është përjashtuar njëherë në vitin 2007 mha Kupa e UEFA-s pasi që tifozët e tij patën shkatuar trazira të rënda në kuadër të ndeshjes me rivalin e Bosnjës Zrinjski Mostar. Pas rastit tragjik në Shiroki Brijeg UEFA zgjodhi heshtjen si reagim. I pyetur nga Deutsche ëelle për sanksionet e mundshme ndaj pjesëmarrësve, një zëdhënës i Federatës Evropaine të Futbollit tha se: "Pa koment përderisa nuk është dorëzuar raporti përfundimtar për rastin".

Autor: Sreqko Matiq/Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani