1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futbolli është një fe më paqësore

Christoph Fleischmann10 Qershor 2006

Këto ditë jo pak teologë janë shprehur mbi temën "futbolli dhe feja". Në mënyrë të përsëritur hiqen paralele mes futbollit dhe fesë për të konstatuar në përfundim se vërtet futbolli është një pjesë e rëndësishme e jetës, siç është shprehur kryetari i këshillit të kishës protestante në Gjermani Volfgang Huber, por jo besim fetar. Kisha në fshat dhe topi në stadium.

https://p.dw.com/p/AsFF
A ndihmon futbolli në pajtimin mes feve?
A ndihmon futbolli në pajtimin mes feve?Fotografi: AP

Historiani 62 vjeçar Moshe Cimerman vazhdon ende sot të luajë futboll në kampusin e Universitetit Hebraik në Jeruzalem. Cimerman është rritur në një familje hebreje por qysh i ri ishte i mendimit se një tjetër fe është më bindëse dhe humane: "Unë jam edukuar me frymën e fesë hebreje, shkoja madje në një shkollë fetare dhe kjo krijon distancë naj fesë. Njeriu kërkon pastaj një zëvendësues dhe ka tendencë të paktën të provojë besimet e tjera. Feja e sportit, e them pak me shaka, më është dukur atëherë dhe sot më e këndshme si zëvendësuese, me tolerante dhe humane."

Por a është futbolli vërtet një besim? Moshe Cimerman beson se po, në fund të fundit tek futbolli mund të gjesh shumë nga ajo që përmban një besim: ka rregulla të qarta edhe pse vendimet e arbitrave janë të kontestueshëm; ka rituale të rregullta si të shkuarit në stadium me këngë të kënduara me zë të lartë, dhe ka edhe zotër. "Më kujtohet se një reportet gjerman në vitin 1954 ka quajtur dikë 'perëndi të futbollit': ishte fjala për Toni Turakun, portierin e skuadrës legjendare të vitit '54. Në fakt presidenti i republikës ndërhyri atëherë duke thënë se nuk ka më zotër e aq më pak në futboll. Por reagimi i reportetit Herbert Cimerman ishte simptomatik: këta njerëz janë ekuivalenti i atyre që dikur quheshin zotër."

Në të vërtetë një fe nuk ka patjetër besim për një zot, shpjegon Moshe Cimerman dhe i referohet besimeve si budizmi të cilët bëjnë edhe pa perëndi. Ai vetë, shton Cimerman me shpoti, kur ishte i vogël kishte një perëndi futbolli, por tani jo më. Por a është feja e futbollit vërtet siç mendon Cimerman, më humane dhe tolerante se hebraizmi, krishtërimi dhe islami? "Kur kjo shkruhet në Jeruzalem është edhe më e qartë: sa gjak është derdhur për të pushtuar katrorin e Malit të Tempullit? Në fushën time të futbollit, në këtë katror, luftohet për të bërë gola por njerëzit nuk vriten dhe lëndimi i kundërshtari nuk bëhet qëllimisht."

Ndoshta lojtarët vërtet nuk kanë qëllim të lëndojnë njeri por pranë fushave të lojës ka shpesh rrëmuja të dhunshme. Për kampionatin botëror këtë vit në Gjermani do të jenë të angazhuar mijëra policë që gjithçka të shkojë në mënyrë paqësore. Por Cimerman bën edhe një llogari tjetër: edhe përleshjet më të rënda në historinë e futbollit europian nuk mund të krahasohen me dhunën për arsye fetare të shekujve të fundit: "Një luftë fetare në shekullin e 17-të u kushtonte jetën mijëra vetëve. Ajo çka ngjau në vitin 1985 në stadiumin Heisel në Bruksel u mori jetën rreth 35 njerëzve. Sigurisht është shumë, por krahasimi tregon se ky besim i futbollit është më pak agresiv dhe vdekjeprurës se feja që si rregull ne vlerësojmë."

Cimerman shkon më tej dhe mendon se futbolli ashtu si besimet e konsoliduara mund të kontribuojë në pajtim: "Futbolli nuk bën më pak se fetë e tjera për pajtimin. Shpesh shihet si tifozët e skuadrave të veçanta përtej fushës ribashkohen si besimtarë të së njëjtës fe. Për 90 minuta ne jemi rivalë dhe rivalitet nuk do të thotë armiqësi, pas këtij intervali kohor, pas 90 minutash pajtohemi sërish në kuadër të fesë së futbollit."

Realizimi i kësaj shprese gjatë Botërorit 2006 është sigurisht dëshirë edhe e atyre që ndryshe nuk i japin të drejtë Cimermanit kur e cilëson futbollin më paqësor se besimet monoteiste.