1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futboll mbas kangjellave

Tina Gerhauser19 Qershor 2006

Gjermania është në ethet e botërorit dhe rrugët janë të kapluara nga një atmosferë festive. Por jo të gjithë kanë mundësi të marrin pjesë në këtë festë verore që do të zgjasë deri më 9 korrik. Tre gratë, me të cilat bisedoi reporterja e Dojçe Veles, ndodhen pas kangjellave në një burg grash në Këln.

https://p.dw.com/p/AsF7
Gol i Argjentines në portën e unionit Serbi Mali i Zi
Gol i Argjentines në portën e unionit Serbi Mali i ZiFotografi: AP

Laureta, Yedidia dhe Steffi janë ulur në divan dhe përtypin fara luledjelli duke parë ndeshjen Argjentina kundër Unionit "Serbi-Mali i Zi".

"Gol! E dija, që më parë. Kështu të vazhdojnë," – thërret Laureta, duke hedhur pas shpine flokët e gjatë ngjyrë kafe. Fytyra e saj rrezaton gëzim: 23 vjeçarja e kishte parashikuar që më parë, që në këtë ndeshje do të fitonte Argjentina. Laureta është shqiptare dhe për të përbën Botërori pikën kulminante të së përditshmes. "Jam shumë e gëzuar që mund të shoh ndeshjet. Kam një televizor në qeli. Kur nuk duhet të jemi patjetër në qeli, atëherë vijmë këtu në dhomën e ndenjes dhe nuk dua që ta humbas këtë shans edhe pse jam në burg."

Laureta banon në kushte më të zbutura se Steffi dhe Yedidia. Dhoma e ndenjes duket sikur të ishte në ndonjë banesë shtëpiake. Muret janë të lyera me bojë të çelur, dyshemeja është e shtruar me laminat ngjyrë mjalti, perdet janë të kuqe dhe para televizorit është një divan i madh prej lëkure, për Steffin dhe Yedidiën një luks i vërtetë.

Ato janë lejuar të vijnë këtu sot tek Laureta për shkak të intervistës, zakonisht e kanë të ndaluar të dalin nga dhoma e tyre dyshe: "Unë kam luajtur vetë futboll, kur ishta 12, 13, 14 vjeçe," - thotë Steffi. Pastaj rashë në rrugë të keqe dhe i lashë të gjitha." Steffi është arrestuar tre muaj më parë. Kur e thotë këtë sytë e saj mbushen me lotë. Me trupin e saj të madh dhe një vath mbi vetull, Steffi nuk duket nga ato që qajnë lehtë. Por për fat të mirë në atë moment Argjentina shënon dhe një gol. "Të paktën tani kemi diçka për të cilën gëzohemi. Kur Gjermania shënon gol, ne hidhemi përpjetë nga gëzimi. Unë madje kam bërë vetë një flamur me letër dhe e kam varur në murin e dhomës," – shton ajo. .

Në ditë të tilla kur moshatarët e të rejave festojnë nëpër rrugët e Këlnit, rojet i lejojnë të rejat në burg të festojnë: "Ne bëhemi të gjitha bashkë dhe i shikojmë bashkë ndeshjet. Për një moment e harrojmë që jemi në burg, por vetëm për atë moment. Kur shoh jashtë dritares kangjellat, më kujtohet menjëherë," – thotë Laureta.

Edhe një botëror mbas kangjellave, këtë nuk dëshiron ta përjetojë asnjëra nga tri vajzat. Yedidia bën kryqe në ditar për çdo ditë që kalon. Steffi numëron ditët e vizitave deri sa të lirohet, ndërsa Laureta ëndërron, që të vijë dikush nga jashtë, dhe të krijojë një ekip futbolli me vajzat në burg.

Loja në televizor mbaroi: 6:0 per Argjentinën. Gratë përsëri duhet të kthehen në qelitë e tyre. "Më pëlqejnë ndeshje ku ka më shumë luftë," thotë Steffi para se pas saj të përplaset dera e rëndë e metalit.