1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futboll dhe automobilizëm

Elert Ajazaj9 Maj 2005

Në rubrikën e sotme sportive ndër të tjera një portret i ekipit të Këlnit dhe i trajnerit të tij Stevens pas suksesit të ngjitjes në kategorinë e parë në futboll

https://p.dw.com/p/AsKm
Trajneri i Këlnit Huub Stevens
Trajneri i Këlnit Huub StevensFotografi: AP

Derisa kampioni i këtij viti njihet, në kampionatin gjerman të futbollit ndeshjet e mbetura vendosin për ekipet që kualifikohen për pjesëmarrje në kupat e Evropës dhe për ato që bien nga kategoria. Me fitoren 2:0 në Bilefeld Shalke 04 bëri një hap të sigurt drejt ruajtjes së vendit të dytë. Me vështirësi të mëdha Shtutgarti fitoi 1:0 ndaj Hanoverit. Goli i fitores u shënua nga Kuranyi dy minuta para mbylljes së takimit. Duke mundur 3:1 Volfsburgun Herta e Berlinit i ruajti mundësitë për të zënë vendin e tretë që çon në fazën kualifikuese të Champions League-ës. Ndërsa në fund të tablës me humbjet e tyre Bohumi dhe Hanza e Rostokut duket se vulosën rënien në kategorinë e dytë.

**

I pari ekip i kategorisë së dytë që siguroi ngjitjen në kategorinë e parë është Këlni. Për të kjo nuk është diçka e re; brenda gjashtë sezoneve të fundit futbollistike Këlni ka hipur tri herë në kategorinë e parë. Tri javë përpara përfundimit të kampionatit trajneri hollandez i Këlnit, 51-vjeçari Huub Stevens e përmbushi misionin e vet.

Pas këtij sezoni me dëshirën e tij Stevens do të largohet nga Këlni për t'i qëndruar pranë të shoqes së sëmurë. Ky hap i tij përputhet me ndjenjën e përgjegjësisë, të fituar që në vogëli: atij iu desh të zëvendësonte herët të atin për motrat e vëllezërit; kjo përvojë e bëri me karakter të fortë.

Në një ekip me një yll të vetëm, lojtarin e kombëtares gjermane, Lukas Podolski i cili është golashënuesi më i mirë i kategorisë së dytë me 21 gola, Stevens diti të formonte një njësi pa shkëlqim në fakt, por të suksesshme duke vënë në plan të parë kolektivin. "E gjitha është meritë e Stevensit," thotë manaxheri i ekipit të Këlnit, Andreas Rettig. Për të ardhmen e afërt Stevens shpreson të ketë lënë një ekip homogjen, i cili do të ketë nevojë për ndryshime në vetëm pak pozicione. Për të suksesi me Këlnin mund të krahasohet vetëm me fitimin e kupës UEFA, sukses që ai e pati arritur me ekipin tjetër gjerman, Shalke 04.

**

Nga kampionati italian: Fituesi i më të shumtëve tituj kampionë, Juventusi gjendet drejt fitimit të kampionatit të 28. 0:1 fitoi Juvja në San Siro ndeshjen vendimtare kundër Milanit, i cili deri tani kryesonte me pikë të barabarta. Golin e vetëm e shënoi në minutën e 28 francezi Trezeguet me përgatitje nga Del Piero

**

Në garën për Çmimin e Madh të Spanjës finlandezi Kimi Räikkönen fitoi dhe i rrëmbeu fitoren përpara tifozëve të vetfavoritit vendas Fernando Alonso. Piloti i McLaren_Mercedes-it shënoi një fitore të njohur si nisje-mbërritje, pra pa e lëshuar për asnjë çast vendin e parë. Për kampionin e botës në Formulën 1, Michael Schumacher, edhe kjo garë qe një zhgënjim. Këtë herë Schumi nuk e përfundoi dot garën, për arsye të një defekti në gomat e makinës.