1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Furnizimet me armë mjet për paqen?

9 Maj 2022

Gjermania po e furnizon Ukrainën me artileri të rëndë. Për ekspertët dërgimi i armëve, forcimi i aftësisë vetëmbrojtëse të Ukrainës dhe dobësimi i Rusisë mund të çojnë palët në negociata për paqen.

https://p.dw.com/p/4AxmP
Panzerhaubitze 2000
Fotografi: Sebastian Gollnow/dpa/picture alliance

Vetëm dy ditë më parë ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht bëri të ditur se Gjermania do t'i ofrojë Ukrainës 7 tanke luftarake të tipit 2000 dhe 50 tanke Gepard, por jo nga rezervat aktive të ushtrisë gjermane. Ekspertë ushtarakë gjermanë kishin shprehur shqetësimin, se dorëzimi i armatimit nga stoqet aktuale të ushtrisë do të nënkuptonte një kufizim të ndjeshëm të aftësisë mbrojtëse të vendit.

Kundër dërgimit të armëve - rrugë drejt "luftës së tretë botërore"

Në Gjermani ishte për një kohë të gjatë mjaft i debatuar dërgimi i armëve të rënda në Ukrainë. Përkrahësit e furnizimit me armë të rënda argumentojnë, se në Ukrainë zhvillohen luftime që mund të ndikojnë mjaft në rendin e ardhshëm të sigurisë në Europë. Kurse kundërshtarët e dërgimit të armëve të rënda i tremben përhapjes së konfliktit. Ish-gjenerali, Erich Vad, ish-këshilltar i kancelares së mëparshme, Merkel është shprehur në një intervistë për ZDF, se dërgimi i armëve të rënda është potencialisht "rrugë drejt luiftës së tretë botërore. Vad është shprehur, se "momentalisht po përdorim shumë retorikë lufte, sigurisht nga një qëllim i mirë etik", por ne duhet ta shohim luftën mes Rusisë dhe Ukrainës nga fundi. "Nëse nuk duam luftën e tretë botërore, duhet herët ose vonë të dalim nga kjo logjikë shkallëzimi ushatrak dhe të fillojmë negociatat."

Europa Rolle in der Verteidigungs-Politik
Erich VadFotografi: DW/B. Beary

Pro armëve: Schneckener - Armët shans për paqen

Dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë, studiuesi i konflikteve në Universitetin e Osnabrykut, Ulrich Scheneckener e vlerëson madje si një shans për paqen në negociatat me Rusinë. Vetëm nëse Ukraina është në gjendje të mbrohet për një kohë të gjatë kundër pushtimit rus, mund të krijohet një situatë pati mes dy palëve në luftë, është shprehur Schneckener për shërbimin evangjelist të shtypit, epd.

Por ai thekson, se do të ishte e vështirë që me një armëpushim të arrihej një zgjidhje për zonat e pushtuara nga Rusia. Qeveria ruse, sipas modelit të Krimesë do t'i shohë zonat e pushtuara si pjesë të Rusisë që duhen mbrojtur. Për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare është e qartë, se as Kievi nuk do të heqë dorë nga zonat e pushtuara. "Nëse të dyja palët hap pas hapi do të bien dakord për statusin territorial para pushtimit është mëse e paqartë."

Ukraine | Krieg | Zerstörung in Kramatorsk
Pasojat e raketave ruse në KramatorskFotografi: Andriy Andriyenko/AP Photo/picture alliance

Por mbështetja e Ukrainës me armë ka rëndësi për të pasur si mundësi edhe një skenar tjetër, shprehet Schneckener. Zmbrapsjen e pushtimit rus nga zonat ukrainase, mundësisht të lidhur edhe me një ndryshim politik në Moskë. "Atëherë negociatat do të zhvilloheshin kryesisht mbi kushtet dhe planet kohore për tërheqjen e rregullt të trupave ruse."

Për studiuesin është e qartë, se ndërprerja e furnizimeve me armë do të thotë një dobësim i ndjeshëm i Ukrainës dhe dorëzim të këtij vendi tek Putini. "Kjo do të ishte leje për presidentin rus që të pushtojë edhe territore të tjera ose madje të sulmojë rishtas edhe Kievin. Pse do duhej të ulej ai atëherë në një tavolinë negociimi?", pyet politologu. Kurse paralajmërimet, se furnizimi i Ukrainës me artileri të rëndë do të interpretoheshin si hyrje në luftë e NATO-s, shikohen nga eksperti si pa bazë. Ka vite që përdoret argumenti, që të mos provokohet Putini. Ky argument çoi në politikën e gabuar të Gjermanisë kundrejt Rusisë, që tani me të drejtë kritikohet, thotë Schneckener.

Edhe eksperti i  Europës Lindore dhe historiani, Wolfgang Eichwede thekson, se qëllim i perëndimit duhet të jetë vetëm dështimi ushtarak i Putinit. "Në rast se Rusia do të fitonte, kjo do të rriste në mënyrë dramatike rrezikun e luftës në të gjithë Europën", shkruan drejtori themelues i Institutit për Europën Lindore në Bremen për gazetën "Weser Kurier" të shtunën (07.05.) "Qëllimi i diplomacisë dhe ekonomisë sonë është të rrisë presionin në atë masë, që pushtetmbajtësit në Kremlin të kuptojnë dëmet e politikës së tyre dhe të distancohen nga idetë e shkallëzimit të konfliktit që do të sillte dëme të paimagjinueshme."
 

 

la/zdf/tgsh/epd