1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Iran Atom Wiesbaden

Ulrich Pick4 Shkurt 2009

Sot takohen për herë të parë që nga marrja e postit të presidentit amerikan, përfaqësuesit e pesë fuqive më të drejtë vetoje dhe Gjermanisë në Visbaden për t'u konsultuar mbi programin atomik iranian

https://p.dw.com/p/Gmv8
Simboli i atomit para flamurit iranian
Simboli i atomit para flamurit iranianFotografi: AP

Ashtu si edhe më parë ka paqartësi lidhur me programin atomik iranian. Ndërsa qeveria e Teheranit këmbëngul, se programi u shërben vetëm qëllimeve paqësore, ka hamendësime serioze se Republika Islamike mund të punojë për bombën atomike. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) nuk ka arritur akoma të bëjë një pasqyrë të përgjithshme të gjendjes, sepse shpeshherë inspektorëve të saj u është mohuar kontrolli i pavarur në centralet iraniane. Sipas kësaj agjencie ka ende mjaft pyetje pa përgjigje.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm në këtë kontekst prek numrin e centrifugave të uranit. Kur në pranverën e vitit 2006, Irani ia doli për herë të parë të përmbyllte ciklin e djegies nukleare, ai zotëronte vetëm 164 centrifuga. Aktualisht nuk dihet numri i saktë i centrifugave të uranit. Teherani përmend shifrën 5000 gjithsej, por kjo nuk është e sigurtë.

Të pasigurta janë gjithashtu edhe të dhënat që parashikojnë, se kur do të ishte në gjendje Irani të zotëronte aq shumë uran të pasuruar, saqë të mund të ndërtonte edhe bombën atomike. Parashikimet në këtë pikë lëvizin nga një deri në pesë vjet. Shifrës së fundit i jep më shumë shanse, Mohamed El Baradei, shefi i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. El Baradei pritet ditën e shtunë edhe në konferencën e sigurisë në Mynih.

Në këtë kontekst ia vlen të përmendet se të dyja programet në gjuhën iraniane të VOA-s dhe BBC-s së fundi kanë njoftuar se Teherani aktualisht ka probleme me prodhimin e të ashtuquajturit "Yellowcake", i cili shërben si bazë për përpunimin e mëtejshëm të lëndës së uranit në përbërës djegës. Në rast se njoftimet e këtyre programeve janë të sakta, pra Irani ka vërtet probleme me pasurimin e shumëpërfolur, kjo do të thotë edhe dobësim i pozitës së Teheranit në konfliktin atomik.

Është e vështirë të thuhet me saktësi se si është gjendja aktuale në Iran. Megjithatë presidenti Ahmadinexhad doli mjaft i vetësigurtë në publik ditën e martë, kur startoi sateliti i parë iranian i telekomunikacionit. Në të njëjtën kohë ai bëri të qartë, pak pas bërjes publike të nismës së re të presidentit Obama për Lindjen e Mesme, se Irani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit.