1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

250209 Griechenland Putzfrauen

Jannis Papadimitriou27 Shkurt 2009

Migracion pune shpesh presupozon edhe gratë, që punojnë si pastruese me pagesë të ulët në një vend të huaj. Kështu ndodh edhe në Greqi. Migrantet, të cilat luftojnë për të drejtat e punëtoreve, nuk shihen me sy të mirë

https://p.dw.com/p/H2SC
Pamje nga AthinaFotografi: picture-alliance / dpa

Migracion pune shpesh herë presupozon edhe gratë, që punojnë si pastruese me pagesë të ulët në një vend të huaj. Kështu ndodh edhe në Greqi. Migrantet, të cilat luftojnë për të drejtat e punëtoreve, nuk shihen me sy të mirë.

Migracioni ka edhe një ane tjetër të medaljes, gruan - jo vetëm burrat largohen nga atdheu në kërkim të një pune - por edhe gratë shkojnë të punojnë në vende të tjera. Ndër punët tipike, që bëjnë gratë në vend të huaj, është p.sh. pastrimi, një sektor klasik me të ardhura të pakta, në të cilin punësohen vetëm gra. Greqia nuk bën përjashtim. Në fund të dhjetorit në Athinë një pastruese bullgare dhe aktiviste e sindikatës u sulmua në rrugë, ndoshta për shkak të angazhimit të saj për të drejtat e migranteve, që paguhen keq. Janis Papadimitriou informon nga Athina

Rreziku e priste atë tek dera. Pak para Krishtlindjeve, më 22 dhjetor 2008, Konstantina Kuneva u sulmua në rrugë prej dy burrave të panjohur, që e spërkatën atë me squfur. Qysh nga ajo ditë ajo ndodhet në pavionin e reanimacionit në një spital të Athinës. Ndërsa mungojnë gjurmët e autorëve të sulmit. Policia greke beson, se sulmi mund të jetë kryer nga dikush për arësye personale. Avokati i Konstantina Kuneva-s, Kostas Papadakis, është mëse i sigurtë, që arsyet e sulmit janë politike dhe kanë të bëjnë me angazhimin social të klientes së tij.

Griechenland Land und Leute Athen Straße
Rrugë në AthinëFotografi: Nikos Pilos

"Konstantina Kuneva nuk kishte konflikte me askënd. Një akt hakmarrjeje unë e përjashtoj. Unë mendoj, se autorët duhen kërkuar në rrethin e atyre, që ndihen të trazuar prej aktiviteteve të sindikatave

Bullgarja Kuneva punon si pastruese në Athinë. Me diplomën për histori ajo s´mund të bëntë asgjë në Greqi. Si nënë e vetme ajo përpiqej të siguronte jetesën me punë të rastit. Së fundi ajo punonte për firmën e pastrimit ECOMET në Pire duke u angazhuar edhe për të drejtat e punëtoreve të tjera të këtij sektori, që nuk paguhen si duhet. Kohët e fundit ajo kishte pasur grindje me punëdhënësin, sepse i kishte kërkuar atij para për Krishtlindjet. Vetëm pak ditë përpara atentatit me squfur atë e kishin kërcënuar me vdekje përmes një telefonate anonime. Por ajo nuk u trëmb.

Sektori i pastrimit në Greqi është një degë e pagave të ulëta. Në këtë sektor punësohen kryesisht migrantë dhe klandestinë, që vijnë për punë të rastit. Ato jo vetëm që paguhen keq, por kanë edhe kushte të vështira pune, ankohet Stavi Saloufakou, drejtuese e Sindikatës së Punëtorëve të Athinës:

"Një punëtore pastrimi fiton mesatarisht 570 euro në muaj neto, kësaj duhet t´i shtohet edhe një pagë suplementare për vështirësi në punë, por që sipas ligjit ajo livrohet vetëm, pasi të kenë kaluar gjashtë orë pune. Kësisoj shumica e sipërmarrësve vendosin si kohë pune ditore 5,5 orë, në mënyrë që të mos pagujnë suplementin e vështirësisë. Shumë pastruese e nënshkruajnë kështu kontratën, sepse nuk kuptojnë greqisht. Pavarësisht marrëveshjes ato duhet të punojnë tetë ose nëntë orë në ditë pa kompensim page, pa suplementin për orët e natës dhe pa shlyerjen e pagesës për orët e tepërta."

Griechenland Land und Leute Athen Akropolis Metro
Pamje nga një metro në AthinëFotografi: Nikos Pilos

Firma e pastrimit ECOMET e ka dënuar ashpër atentatin me squfur ndaj Konstantina Kuneva-s. Kjo firmë është një nga ndërmarrjet më të mëdha në këtë degë. Sipas të dhënave të veta firma ka të punësuara 800 kujdestare dhe ka një xhiro vjetore prej 12 milionë eurosh. Klientela e firmës janë hekurudha greke, ndërmarrjet shtetërore elektrike, si dhe shërbimi urban i Athinës. Në sfondin e zvogëlimit të buxheteve në Greqi thuajse të gjithë sipërmarrësit publikë e kanë privatizuar sektorin e pastrimit. Si rrjedhojë janë përkeqësuar edhe më shumë kushtet e punës, vë në dukje kryetarja e Sindikatës së Punëtorëve, Stavi Saloufakou:

"Ne gjithmonë kemi kërkuar, që sektori i shërbimeve publike të marrë përsipër bashkëpërgjegjësinë për mosrespektimin e kodit të punës. Por kjo nuk ka ndodhur. Madje asnjëherë nuk është kontrolluar, se sa persona aktivizohen faktikisht në këtë sektor. Nuk mund të lejohet, që në një insitucion të garantohen me kontratë 30 punëtorë pastrimi dhe që realisht në vendin e punës të paraqitet vetëm gjysma. Kjo do të thotë, se vetëm 15 punëtorë duhet të mbulojnë pa pagesë punën e kontraktuar për 30 vetë."

Në shenjë proteste ndaj atentatit me squfur mbi 400 punëtore pastrimi hynë në grevë dhe demonstruan përpara Ministrisë së Punës në Athinë. Koleget greke të Konstantina Kuneva-s duan ta vazhdojnë me çdo kusht protestën e tyre, siç konfirmon edhe Vlassia Papathanassi, Drejtuese e "Sindikatës së Kujdestareve të Ambjenteve të Brendshme". Edhe atë e kanë kërcënuar me vdekje përmes telefonatave.

"Po, kemi marrë kërcënime të tilla. Kur ishim në gjykatë madje pronarët dhe drejtuesit e personelit të shumë firmave të pastrimit na kërcënuan me sanksione. Megjithatë ne duam të mbrohemi me guxim. Nuk na mbetet rrugë tjetër."

Si shtetas të BE-së ndërkohë punëtorët bullgarë në Greqi nuk diskriminohen shumë. Megjithatë as ata nuk i preferojnë si punëtorë me kontratë. Konkurrenca e krahut ilegal të punës është shumë e fortë, emigrantë nga Evropa Lindore dhe nga Azia dynden në sektorin e pagave të ulëta. Politika greke tani për tani nuk ka aspak interes të hapë një debat të zgjeruar për emigracionin.