1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i një ere - Siria tërheq trupat nga Libani

Jörg Kaminski26 Prill 2005

Pas thuajse 30 vjetësh aushtria siriane i dha fund sot zyrtarisht pranisë së vet në Liban. Ushtarët e fundit sirianë po largohen nga vendi pas një parade lamtumire në bazën ajrore Rajak në luginën libanezolindore Bekaa. Veç kësaj pritet që Sekretari i Pëgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Kofi Annan të paraqesë në Nju-Jork raportin e tij mbi ecurinë e zbatimit të rezolutës 1559, në të cilën kërkohet ndër të tjera tërheqja siriane nga Libani. Nga Bejruti një informacion i Jörg Kaminskit.

https://p.dw.com/p/ArPb
Fotografi: AP

Gjenerali Rustom Ghazaleh gjendet në turne lamtumire në Liban. Ushtaraku më i lartë i sirianëve në vendin fqinj viziton edhe një herë shokët e vjetër në ushtrinë libaneze. Disa prej tyre, para së gjithash drejtuesit e shërbimeve të fshehta, janë larguar prej posteve të tyre - ndoshta përgjithnjë, ashtu siç e kërkonte opozita në vend.

Me pjesën e mbetur të trupave siriane në një aeroport ushtarak në luginën libanezolindore Bekaa gjenerali Ghazaleh do të festojë largimin. Me pompozitet dhe muzikë. Pastaj gjenerali do të bëjë gati bagazhet dhe do të bëjë pak kilometra rrugë deri matanë në Siri. Kështu përfundon kreu i fundit i pranisë 29-vjeçare ushtarake siriane në Liban.

"Sirianë ikni" - thirrjet e demonstruesve në Bejrut pas vrasjes së ish-kryeministrit Hariri do tu kujtohen ushtarëve nga Damasku edhe për shumë kohë. Dikur ata ishin 40.000. Në fund po qëndronin edhe vetëm disa qindra për të përgatitur tërheqjen. Me nxitim ata ngarkuan dokumente dhe armë nëpër kamionë që prej javësh udhëtojnë në drejtim të Damaskut. Edhe fotografitë e statujat e presidentit Asad dhe të atit të tij janë hequr e çmontuar. Ato shkëlqenin në hyrjet e bazave ushtarake dhe shumë libanezë i kishin halë në sy. Edhe pjesëtarët e shërbimit të fshehtë sirian ishin larguar njëri pas tjetrit javët e kaluara nga bastionet. Sipas përllogaritjeve të vendeve perëndimore vendi fqinj kontrollohej nga 4.000 agjentë sirianë.

Në fund qeveria në Damask u përkul përballë trysnisë ndërkombëtare dhe kërkesave të opozitës libaneze. Vëzhguesit në Lindjen e Afërme mendojnë se në fakt sirianët duhet t'i kishin tërhequr trupat e tyre që disa vite më parë.

Libani pa ndikim sirian? Shumë libanezë nuk janë ende në gjendje ta përfytyrojnë këtë. Tepër e gjatë ishte koha që Damasku i drejtoi fatet e vendit. Edhe vetë udhëheqës të opozitës mbeten skeptikë; sepse e dinë që në vlerësimin sirian të vetvetes Libani luante dhe me siguri luan një rol vendimtar. Vendi shihet si pjesë historike e Sirisë.

Në Liban po kalon një përgjegjësi më e madhe tek politikanët, pasi "sirianët" shfyrtëzoheshin shpesh si justifikim për zhvillimet negative të sistemit në Bejrut. "Dashi i kurbanit" u largua. Një qeveri e re, e mbështetur nga opozita antisiriane, ka premtuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja muajin e ardhshëm. Por ligji përkatës ende duhet të miratohet.