1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fundi i një epoke - Bankat amerikane të investimeve nuk do të ekzistojnë më në formën e deritanishme

Lena Bodevajn/ Nju Jork 23 Shtator 2008

Në Wall Street, zemrën e sektorit financiar të SHBA-ve, banka investimesh si Goldman Sachs apo Merryl Lynch kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Por modelet e tyre të biznesit nuk mbijetuan në krizën e fundit.

https://p.dw.com/p/FNOJ
Banka amerikane e Investimeve Lehman Brothers
Banka amerikane e Investimeve Lehman BrothersFotografi: AP

Thuajse 30 për qind e të gjitha fitimeve që janë realizuar nga koncernet në SHBA në vitet e para të këtij shekulli, shkojnë në llogari të sektorit financiar. Ky fakt dëshmon dimensionet gjigande që ka arritur sektori financiar por edhe largimin e tij në rritje nga aktivitetet e ekonomisë dhe tregjeve reale, p.sh. nga tregu i pasurive të patundshme. Tani sektori financiar përballet ashpër me faktet, simboli më i gjallë për këtë është fati i pesë bankave më të mëdha amerikane të investimeve, të cilat nuk do të ekzistojnë më në formën e tyre të mëparshme pas krizës së fundit.

Fundi i një epoke profetizohet në kryetitujt shkruar me bojë të trashë në të gjitha gazetet njujorkeze, "perëndimi i një institucioni" ilustrohet me foto me format të madh. Trishtimi është i madh, ai sillet edhe rreth stadiumit të vjetër të basketbollit të klubit të famshëm "Nju Jork Jenkis" në lagjen Bronks. Atje u takuan në fundjavë për herë të fundit lojtarët e basketbollit ndërkohë që në skajin tjetër të qytetit merrte fund një epokë, ajo e bankave të investimeve. Ekspertja e bursës Jane Cukrold:

"Në fillim të vitit ne kishim pesë banka të mëdha investimesh, tani asnjë."

Dikur ato simbolizonin zemrën e Wall Street-it. Por në maj u shit fillimisht Bear Stearns, javën e kaluar shpalli falimentimin Lehman Brothers, Merryll Lynch me demin krenar në stemën e firmës, u ble nga Bank of America. Ndërsa tani: dy institucionet e mbetura Goldman Sachs dhe Morgan Stanley do të dorëzojnë statusin e tyre të veçantë juridik dhe do të kthehen në banka me biznes tradicional. Një kthesë historike mendon brokeri, Arthur Cashin Junior:

"Unë e bëj këtë punë prej 50 vjetësh dhe nuk kam përjetuar kurrë të tilla kohëra. Që një ose dy institucione të mbyllin dyert ka nodhur, por nuk kam përjetuar kurrë një seri të tillë ku ato zhduken me shpejtësi ere."

Wall Street nuk do të jetë më kurrë si më parë, për këtë janë të një mendjeje të gjithë ekspertët, bota ka ndryshuar. Këto banka speciale simbolizonin një epokë të financës së lartë. Biznesi i tyre kufizohej në transaksionet me letra me vlerë si dhe shkrirjet dhe blerjet e firmave. Me gadishmërinë e tyre për pranimin e risqeve ato karakterizuan kohën e shpërblimeve në shifra disa milionëshe. Tani Wall Street po rikthehet në epokën e depresionit të madh, shkruan Nju Jork Tajms:

"Bankat janë tani të detyruara të ndërmarrin më pak risqe. Risqet janë diçka e mrekullueshme në kohëra të mira, por tani kohërat nuk janë të mira", thotë Jane Cukrold.

Me kthimin në një bankë me biznes normal institucionet mund të ngrenë fonde letrash me vlerë dhe të punojnë me paratë e klientëve normalë. Këto para ofrojnë siguri në kohëra të turbullta. Por përmes këtij transformimi ish bankat e investimeve i nënshtrohen kontrollit të Bankës Qëndrore të SHBA, Federal Reserve (FED). Kjo do të thotë më shumë rregulla të mbikqyrjes bankare, më pak fitime.

Ndërkaq presidenti i SHBA-ve kërkon t'a shtyjë Kongresin të miratojë planin e shpëtimit, një plan që do të kushtojë 700 miliardë dollarë dhe do të rëndojë mbi taksapaguesit:

"Ata marrin paratë tona për të shpëtuar bizneset multi milionëshe. Kjo më tërbon!", shprehet një qytetar i indinjuar.

Të njëjtën gjë provojnë edhe shumë të tjerë, por pa këtë plan shpëtimi, kështu të paktën argumentohet, firmat nuk do të jenë në gjendje të paguajnë më pagat dhe mund të ketë pushime nga puna në masë. Spiralja e krizës do të vazhdonte më tej dhe fantazma e recesionit do të fanitej edhe më pranë. Por deri tani investuesit reagojnë skeptikë ndaj këtij plani të qeverisë së SHBA-ve, indeksi Dow Jones nisi me një minus prej më shumë se100 pikësh në bursën e Wall Street. Disa vëzhgues shohin megjithatë në kurset në rënie një tendencë rimëkëmbjeje të sistemit financiar, një rikthim në lidhje më realiste të botës së financave me botën e ekonomisë reale.