1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Fuçi baruti" ose aty ku ra muri i Berlinit

Anila Shuka29 Tetor 2008

Një pjesë nga Ballkani hapi sezonin teatror "spielzeit' europa" që filloi javën e kaluar (23.10) në Berlin nën moton FUNDI – NJË FILLIM. Sezoni i kushtohet humnerës së qenies njerëzore e mallit për fillim të ri.

https://p.dw.com/p/Ff4O
Pamje nga "Fuçi Baruti", më 23.10.08Fotografi: Anila Shuka

Një ish-polic krekoset me potencën seksuale, disa pasagjerë që përdhunojnë një grua në tren, dy refugjatë anijesh që vënë në rrezik jetën për të shkuar në Amerikë dhe pastaj bëhen racistë kundër të zinjve dhe një gangster sentimentalë që po t'u gërvishtësh makinën të vrasin. A nuk të kujton e tëra Ballkanin? Mjafton të ndezësh shkrepësen në ajër dhe gjithçka shpërthen vetvetiu.

Dimiter Gotscheff Theaterregisseur aus Bulgarien
Regjisori, Dimiter GotscheffFotografi: Albrecht Grüß

“Fuçi baruti” quhet pjesa teatrale që bullgari Dimitër Goçef ka vënë në skenë këtë vit në Berlin. Episodet e dramaturgut maqedonas Dejan Dukovskit përcjellin egërsinë që i kishte përfshirë njerëzit mbas prishjes së Jugosllavisë në fillim të viteve 90-të. "Ndjehej humbja e vlerave dhe dukej sikur nga çasti në çast do të vinte diçka e keqe”, përshkruan autori gjendjen e atëhershme në vendlindje.

Szenen aus "Pulverfass" von Dejan Dukovski, Regie: Dimiter Gotscheff, Eröffnung der Theatersaision "spielzeit'europa" am 23.10.08 in Berlin
Në burg mbretëron ligji i xhunglësFotografi: Anila Shuka

Ogurin e zi qysh në fillim të shfaqjes e ndjellin mollët që bombardojnë skenën dhe përfundojnë në një kanal me ujë. “Jugosllavia ishte një vend shumë i mirë, por më vonë u shndërrua në ferr”. Kur dëgjon këtë fjali të 39-vjeçarit Dukovski bëhet e qartë simbolika e përdorur nga regjia: mollët për humbjen e pafajësisë së parajsës dhe kanali, ku herë pas here bie nga një i vdekur, për llumin e skëterrës.

Szenen aus "Pulverfass" von Dejan Dukovski
Salomon Finzi duke ndezur bombënFotografi: Anila Shuka

Është hera e dytë që dyshja Goçef-Dukovski bashkëpunojnë për të njëjtin material. Për herë të parë kjo pjesë iu prezantua publikut gjermanishtfolës në vitin 1996 në Gracë të Austrisë. Në vitin 1994 Dukovski e pat quajtur pjesën e tij "Ballkani nuk ka vdekur". Pikërisht ky është mesazhi që dëshiron t'u japë berlinezëve regjisori Dimitër Goçef tani, dhjetë vjet mbas përfundimit të luftërave: “Trishtimi në sytë e njerëzve nuk është zhdukur”, thotë ai "Ballkani ende jeton" dhe citon një fjali që ia pat thënë ditë më parë një poet në Sarajevë: “Muri që u rrëzua në Berlinin tuaj ra sipër nesh.”