1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fshatrat shqiptare të Leposavicit - të shkëputura nga rrjeti rrugor

5 Gusht 2011

Prej bllokimit të rrugëve nga serbët në veri të Kosovës ka ditë që tre fshatra të banuara me shqiptarë, në komunën e Leposaviqit të banuar me shumicë serbe, kanë mbetur të bllokuara.

https://p.dw.com/p/12BlK
Bllokimi i rrugëve vështirëson jetesën
Bllokimi i rrugëve vështirëson jetesënFotografi: picture alliance /dpa

Fshatrat Cerajë, Bistricë e Koshtovë janë vendbanimet më veriore të Kosovës të banuara me shqiptarë dhe gjenden në një zonë malore afër kufirit me Serbinë. Kjo pjesë e Kosovës edhe tre vjet pas shpalljes së pavarësisë vazhdon të mbetet jashtë kontrollit të Prishtinës. Serbët, që përbëjnë shumicën në këtë pjesë vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Beogradin dhe mos ta njohin pushtetin e Prishtinës. Kjo ka bërë që për banorët shqiptarë të tre fshatrave të ketë kufizime të lirisë së lëvizjes. Gjendja është vështirësuar edhe më shumë pas ndërhyrjes javën e kaluar të policisë së Kosovës në veri për kthimin e kontrollit në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Haki Imeri është shef i zyrës për komunitete në komunën e Leposaviqit:

"Tri fshatrat e komunës së Leposaviqit, Koshtovë, Bistricë dhe Cerajë janë të bllokuara, sepse magjistralja është bllokuar ditë më parë ndërsa para dy ditësh jemi të bllokuar edhe në rrugët rurale, të cilat çojnë në drejtim të këtyre fshatrave. Huliganë serbë i kanë bllokuar këto tre rrugë lokale, momentalisht jemi duke shfrytëzuar një rrugë alternative nga Stantërgu. Situata e sigurisë megjithatë është në nivel, nuk kemi ndonjë problem në vetë fshatrat".

Furnizmi me ushqime dhe medikamente vazhdon

Haki Imeri sqaron se megjithë bllokimin e rrugëve kryesore nuk ka munguar furnizimi i banorëve me ushqime dhe medikamnte:

"Banorët e këtyre tre fshatrava janë ndihmuar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës. Mund të them se për dy muajt e ardhshëm është tejkaluar kriza e bllokimit të rrugëve, ndërsa në të ardhmen duhet të shohim".

Sipas Haki Imerit para luftës në tri fshatrat shqiptare kanë jetuar rreth 160 familje, ndërsa tani ka mbetur vetëm rreth 50 prej tyre. Shumë prej shtëpive janë djegur gjatë luftës dhe banorët janë shpërngulur kryesisht në Mitrovicë, për shkak të mungesës së investimeve në këtë zonë malore. Ndërsa për 50 familjet sa janë kthyer të jetojnë në këto tre fshatra është shtuar përkujdesi edhe nga KFOR-i dhe institucionet kosovare:

" Momentalisht jemi në kontakte të përhershme edhe me strukturat e KFOR-i dhe me zyrtarë të qeverisë së Kosovës dhe të presidencës në Prishtinë. Ata janë duke treguar një kujdes të posaçëm për këto tri fshatra, për shkak se ato janë tre fshatrat më veriore në komunën e Leposaviqit, që janë të banuara me shqiptarë d.m.th. kemi një përkrahje edhe pse nuk vërehet ndonjë prani e policisë së Kosovës dhe KFOR-i, mirëpo gjithmonë sipas KFOR-it ato tre fshatra janë në vëzhgim të përhershëm nga strukturat e sigurisë të KFOR-it".

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi