1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Frëngjisht për të gjithë

Stephanie Höppner/ Auron Dodi3 Shkurt 2014

Një brez pritet të kalojë e pastaj, të paktën sipas qeverisë së Landit të Zarës (Saarland), para së gjithash të rinjtë do të jenë në gjendje të flasin rrjedhshëm frëngjisht. Deri më 2043 frëngjishtja gjuhë komunikimi.

https://p.dw.com/p/1B1eZ
Fotografi: Universität des Saarlandes/Iris Maurer

Një brez pritet të kalojë - dhe pas tij, të paktën sipas dëshirës së qeverisë së Landit të Zarës (Saarland), para së gjithash të rinjtë do të jenë në gjendje të flasin rrjedhshëm frëngjisht. Në landin gjerman në kufi me Francën, deri në vitin 2043 frëngjishtja do të bëhet gjuhë komunikimi.

"Ne dëshirojmë që fëmijët, që kanë lindur vitin e fundit, ose do të lindin këtë vit, të rriten që në fillim bilingualë", deklaron Christine Klos nga zyra e kryeministres Annegret Kramp-Karrenbauer (CDU) për DW. Për këtë qeveria e landit shpërndau pak ditë më parë disa propozime: kështu në gjysmën e të gjitha kopshteve krahas edukatorëve gjermanë do të punojnë edhe edukatorë francezë. Në shkollën fillore është parashikuar që në klasë të parë frëngjishtja, edhe në shkollat e tjera është parashikuar më shumë mësim frëngjisht. Në administratën e landit punonjësit duhet të presin kurse kualifikimi, kurse punonjësit e rinj mund të përfitojnë për punësim, nëse janë bilingualë.

Më shumë njerëz për punë nga Franca

Që tani, rreth 18 mijë vetë vijnë çdo ditë nga Lorena për të punuar në Landin e Zarës. Qeveria e landit dëshiron që në të ardhmen të vijnë më shumë. "Ne duam që ta shfrytëzojmë më mirë dhe më sistematilisht pikën e takimit të dy ekonomive popullore kaq të mëdha si Gjermania dhe Franca", deklaron Klos. Landi me sipërfaqen më të vogël në Gjermani shpreson që t'i vijnë edhe turistë dhe me shumë para për të blerë. Sipërmarrjet franceze në sajë të infrastrukturës në gjuhën frënge mund të zënë vend më lehtë.

Por ky propozim gjen pak entuziazëm tek opozita: Landi i Zarës ka shumë borxhe, në fakt ka në plan të reduktojë 2.400 vende pune në administratë. Ajo që i pret banorët e këtij landi, në pikëpamje të shpenzimeve, nuk dihet.

Papunësia i sjell francezët në Gjermani
Papunësia i sjell francezët në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

Presion nga prindërit

Frank Baasner, drejtor i Institutit Gjermano-Francez në Ludwigsburg sheh "shpenzime gjigande kualifikimi dhe administrative" për landin e vogël. Edhe nëse në Landin e Zarës, 58 përqind e nxënësve mësojnë frëngjisht - e me këtë janë shumë më tepër se mesatarja në federatë, që është 19 përqind - për ta futur frëngjishten gjuhë të dytë komunikimi kjo nuk mjafton. "Puna po ecën në drejtimin, që punonjësit aktualë të administratës duhet të mësojnë frëngjisht - këtë nuk është në gjendje ta bëjë gjithkush, këtë unë e di me saktësi prej bashkëpunimit", thotë ai në bisedë me DW.

Landi i Zarës nuk është landi i parë federal me këtë ide. Edhe Baden-Vyrttembergu në kufi deshi ta vendoste para disa vitesh frëngjishten si gjuhën e parë të huaj dhe ndeshi në rezistencë të paepur të prindërve, të cilët preferonin anglisht për fëmijët e tyre. Pas një procesi gjyqësor të humbur, ideja u zhduk në sirtar.

Baasner pret edhe këtu presion të fortë nga prindërit, edhe nëse landin e vogël gjerman historikisht e lidhin shumë gjëra me Francën: pas Luftës së Dytë Botërore ai fillimisht ishte protektorat francez. Vetëm në vitin 1957, pas një referendumi ai u bë land zyrtar gjerman. Megjithatë, edhe këtu është anglishtja lingua franca, mendon Baasner.