Francë: Macron dhe Le Pen në balotazh
10 Prill 2022Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, shumicën e votave i fituan dy favoritët, presidenti aktual Emmanuel Macron dhe populistja e djathtë Marine Le Pen. Sipas parashikimeve, Macron mori 27.6 për qind të votave, Le Pen mori 23 për qind. Por meqenëse asnjëri prej tyre nuk arriti shumicën absolute të votave, mes tyre do të zhvillohet një raund balotazhi.
Fushata zgjedhore ishte e pazakontë, sepse ajo fillimisht u la në hije nga pandemia e koronës dhe më pas nga lufta në Ukrainë. Lufta në Ukrainë i solli vlera të larta në sondazhe Emmanuel Macronitdhe u duk se rizgjedhja e tij si president, ishte e sigurtë. Por populistja e djathtë, Marine Le Pen, arriti ta shkurtojë së fundmi mjaft distancën.
Balotazh me të njëjtët kandidatë si më 2017
Presidenti francez zgjidhet për pesë vjet. Ai ka ndikim të ndjeshëm në politikën e vendit dhe një rol më të rëndësishëm se kryeministri, i cili emërohet prej tij. Balotazhi do të zhvillohet më 24 prill. Fitues i balotazhit shpallet personi që merr më shumë vota. Macron dhe Le Pen garuan kundër njëri-tjetrit edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017. Por këtë vit rezultati pritet të jetë më i ngushtë sesa atëherë.
Në kohën kur Macron telefononte me Putinin dhe u profilizua në skenën botërore, Marine Le Pen vazhdonte turet e saj elektorale nëpër Francë për të biseduar me qytetarët. Ndërkohë vetëm 51% e francezëve e shohin Le Pen si kërcënim, tregues ky i suksesit të fushatës së saj për ndryshimin e imazhit.
Nëse në vitin 2017 Le Pen thoshte, se "vijat kryesore politike janë ato me presidentin Trump dhe Putin", në këtë fushatë ajo foli për fuqinë blerëse dhe nuk u lodh së shtrënguari duart me qytetarë në tregje dhe duke u siguruar francezëve se do të kufizojë rritjen e çmimeve të energjisë.