1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francë: Fronti i majtë pak shanse për postin e kryeministrit

7 Korrik 2024

“Fronti i Ri Popullor” mund të fitojë shumë mandate në raundin e balotazhit në Francë. Por kryeministri nuk do të jetë nga radhët e tij. Presidenti Macron i do të majtët shumë më pak se të djathtët.

https://p.dw.com/p/4hyBP
Paris 2024 | Demonstrante kundër nacionalistëve të djathtë
E majta në Francë përpiqet me të gjitha mënyrat që të pengojë fitoren nacionalistëve të djathtëFotografi: Fabrizio Bensch/REUTERS

I qartë dhe e drejtpërdrejtë: "Asnjë votë për Rassemblement National, asnjë deputet i Rassemblement National” - ky është mesazhi i thjeshtë i së majtës në Francë me të cilën ajo synon të pengojë fitoren nacionalistëve të djathtë. Udhëheqësi i partisë ekstremiste të majtë "Franca rebele", Jean-Luc Melenchon, e përsëriti vazhdimisht këtë emërues më të vogël të përbashkët të "Fronti i Ri Popullor" ("Nouveau Front populaire") gjatë fushatës së shkurtër përpara raundit të dytë. të zgjedhjeve parlamentare. Ekstremistët e majtë, socialistët, socialdemokratët dhe të Gjelbrit bashkuan shpejt forcat duke formuar një aleancë zgjedhore pas shpërbërjes së habitshme të Asamblesë Kombëtare katër javë më parë. Ata ranë dakord të dalin vetëm me një kandidat për zonë zgjedhore dhe në këtë mënyrë arritën të fitonin 28 për qind të votave - duke u renditur të dytët, pas nacionalistëve të djathtë të Marine Le Pen-it që fituan 29.3 për qind.

Pllakate elektorale me Kandidatin Bastian Duenas
Sipas sondazheve pritet që edhe në raundin e dytë Rassemblement National do të dalë nga zgjedhjet më e fortë se kurrëFotografi: Lisa Ellis /DW

Sipas të gjitha sondazheve pritet që edhe në raundin e dytë Rassemblement National të dalë nga zgjedhjet më e fortë se kurrë dhe  do të jetë ndoshta grupi më i madh në parlamentin francez. Fronti i Ri Popullor do të përbëjë grupin e dytë më të madh të parlamentit, kurse partia liberal-centriste "Ensemble" e Presidentit Macron do të ketë shumë pak deputetë

Rivalitet në kampin e majtë

71-vjeçari Jean-Luc Melenchon, i cili shpesh provokon me teza anti-izraelite dhe teori konspirative, dëshiron të bëhet kryeministër i ri. Por ai nuk gëzon simpati në kampin e Frontit të Ri Popullor për shkak të retorikës së tij radikale dhe shpesh agresive.

Kampi i Frontit të Ri Popullor
Kampi i Frontit të Ri Popullor Fotografi: Dimitar Dilkoff/AFP/Getty Images

Gjatë fushatës zgjedhore evropiane, Melenchon debatonte shpesh me eurodeputetin socialist Raphael Glucksmann (44) duke e ofenduar si "bashkëpunëtor” të shtetit të Izraelit. Glucksmanni e akuzon Melenchon për "brutalizimin" e politikës. Raphael Glucksmann dhe partia e tij "Sheshi Publik" i përkasin gjithashtu frontit popullor të formuar me nxitim kundër nacionalistëve të djathtë. Glucksmann tha se nuk ishte më fjala për parlamentin, por për një referendum mbi çështjen nëse Franca do të qeveriset për herë të parë në historinë e saj nga nacionalistët e djathtë.

Melenchon nuk ka shanse për kryeministër

Teorikisht është e mundur që përmes një koalicioni të të majtëve të Frontit të Ri Popullor dhe të centristëve liberalë të Presidentit Macron të parandalohet një qeveri e e nacionalistëve të djathtë të Rassemblement National. Por në praktikë kjo do të jetë e vështirë, sepse presidenti Emmanuel Macron e konsideron të majtën "katër herë më të keqe" se të djathtën.

Presidenti Emmanuel Macron dhe e shoqja Brigitte Macron
Presidenti Emmanuel Macron dhe e shoqja Brigitte MacronFotografi: Yara Nardi/AFP/Getty Images

"Ata nuk e duan laicizmin. Ata refuzojnë ligjet e imigracionit që na lejojnë ta menaxhojmë më mirë atë. Dhe duan gjëra groteske si ndryshimi i gjinisë të bëhen me dokumente vetëm duke shkuar në bashki," tha Macron në një intervistë për gazetën Le Parisien. Pas një takimi të kabinetit ditën e mërkurë (03.07.) Macroni përsëriti edhe një herë se e përjashton një aleancë mes partisë së tij dhe Frontit të Ri Popullor.

"Parlamenti në Francë fiton peshë”

Zgjedhjet mund të riformësojnë edhe ekuilibrat politikë të Fracës, thotë profesori i sociologjisë Eric Fassin nga Universiteti i Parisit. Deri tani, presidenti, si njeriu i fortë në krye të republikës së pestë, ka qenë relativisht i fuqishëm në raport me parlamentin. "Me bastin e tij politik, Macron ka krijuar një situatë që e minon pozicionin e tij. Kjo do të rezultojë në një post presidenti që nuk do të jetë më aq i rëndësishëm." Sipas Eric Fassin-it nëse përmes formimit të qeverisë parlamenti do të bëhet më i rëndësishëm, nuk do të ketë më nevojë për një njeri të fortë.

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE