1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Franca finalistja e dytë

Elert Ajazaj6 Korrik 2006

1:0 me penallti të Zidane-it ndaj Portugalisë

https://p.dw.com/p/AsJL
Topi në rrjetë, Franca nuk e lëshon më fitoren nga dora
Topi në rrjetë, Franca nuk e lëshon më fitoren nga doraFotografi: AP

Finalisti i dytë i botërorit u gjet mbrëmë. Tetë vjet pas suksesit të madh në atdhe francezët janë në finale, këtë here kundër Italisë. Në një gjysmëfinale jo në nivelin e asaj të pares francezët mundën Portugalinë 1:0 me gol të shënuar nga Zinedine Zidane nga pika e njëmbëdhjetëmetërshit në minutën e 33-të të pjesës së parë. Pritësi i shkëlqyer i penalltive në takimin kundër Anglisë, portieri portugez Ricardo, e nuhati krahun e gjuajtjes, por ajo ishte shënjestruar mjeshtësht nga Zidane. Akordimit të penalltisë i parapriu një aksion mjaft i mirë i sulmuesit Thierry Henry, të cilin qendërmbrojtësi portugez Ricardo Carvalho nuk mundi ta ndalte ndryshe veçse në mënyrë të parregullt.

"Pikësynimi i francezëve ka qenë që në fillim të kampionatit arritja e kësaj finaleje." - shprehet Lilian Thuram, veteran në mbrojtjen franceze. Rikthimi i tij, i Zidane-it dhe i Claude Makaleles rezultuan vendimtare për këtë paraqitje të jashtëzakonshme të francezëve në turne.

Portugalia e filloi më mire ndeshjen, por me pësimin e golit shfaqi dobësi në depërtimin drejt portës së Fabien Barthezit. Portugezët nuk ishin në gjendje të përfitonin edhe nga disa pasiguri të portierit francez. Figo e dërgoi topin mbi portë kur u gjet përballë Barthezit pas një goditje dënimi të Cristiano Ronaldos të kthyer në fushë nga francezi. Fitorja e Francës ishte tërësisht e merituar. Mbresëlënëse si edhe në ndeshjen kundër Brazilit ishte paraqitja e repartit të saj të mbrojtjes. Në pjesën e dytë Franca thuajse nuk investoi më në sulm dhe u përqendrua në administrimin e rezultatit.

Finalja e së dielës në Berlin do të jetë për Zinedine Zidane-in ndeshja e lamtumirës. Ai ka mundësinë ta kurorëzojë atë me një sukses madhështor, titullin e dytë kampion bote për Francën. Kundër kësaj janë italianët, sigurisht një tjetër kalibër në krahasim me Portugalinë. Fitimi i titullit të katërt do t'ua bënte italianëve më të lehtë edhe përballimin e skandalit futbollistik në kampionatin kombëtar.

Më tepër vlera statistikore ka ndeshja për vendin e tretë, e cila luhet të shtunën midis Gjermanisë dhe Portugalisë në Shtutgart. Dhimbja për humbjen në gjysmëfinale kundër Italisë është e madhe në Gjermani, por siç thekson presidenti i federatës gjermane të futbollit, Gerhard Meyer-Vorfelder:

"Nuk duhet të harrojmë që skuadra jonë arriti të ngjallë një valë të pashembullt entuziazmi në vend. Shumë berlinezë më kanë thënë se një entuziazëm i tillë ka sunduar vetëm në kohën e ribashkimit të Gjermanisë. Kjo duhet ta mbushë me krenari ekipin dhe të gjithë personat e përfshirë në punën e tij."

Tema më aktuale në këto çaste mbetet për sportdashësit gjermane vendimi i trajnerit të kombëtares Jürgen Klinsmann për të qëndruar apo jo në post. Ai ka kërkuar disa ditë kohë për marrjen e vendimit dhe pritet të shprehet këtë fundjavë.