1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Francë: Reforma e pensioneve me dekret

2 Mars 2020

Asambleja Kombëtare e Francës debatoi për dy javë pa arritur të vendosë. Tani reforma që ka ngjallur debate do të zbatohet pa votim parlamentar. Një klauzolë kushtetuese e bën të mundur këtë.

https://p.dw.com/p/3YhlQ
Frankreich Proteste gegen Rentenreform
Fotografi: AFP/C. Platiau

Franca do ta zbatojë reformën që ka ngjallur debate të pensioneve me dekret, duke e anashkaluar parlamentin. Kryeministri Edouard Philippe (foto e artikullit) i tha Asamblesë Kombëtare se qeveria dëshironte t'i jepte fund këtij "episodi të mosdiskutimit". Që nga 17 shkurti, deputetët patën debatuar për planet e Presidentit Emmanuel Macron për njësimin e sistemit të pensioneve. Me gjithsej 41.000 amendamente, opozita u përpoq ta vonojë votimin vendimtar.

Deputetë nga kampi qeveritar e akuzuan një debat me polemika kampin e krahut të majtë se "dëshiron të paralizojë" Asamblenë Kombëtare. Por parlamentarët e krahut të majtë paralajmëruan se qeveria dëshiron ta zbatojë me dekret reformën e pensioneve duke anashkaluar përfaqësimin e popullit. Pikërisht kjo do të ndodhë tani. Klauzola kushtetuese e përdorur rrallë 49-3 e lejon qeverinë të anashkalojë parlamentin.

Grevat më të gjata në historinë e Francës

Sindikatat po e kundërshtojnë me ashpërsi reformën. Për një çerek viti, ato organizuan greva dhe demonstrata mbarëkombëtare, në disa prej të cilave pati përleshje të dhunshme me policinë. Trafiku lokal dhe ai i distancave të gjata u paralizua për gati shtatë javë si protestë. Hekurudhat franceze SNCF hynë thellë në borxhe për shkak të grevave para ndërrimit të vitit.

Në sistemin e vjetëruar të pensioneve në Francë ekzistojnë më shumë se 40 fonde të ndryshme pensionesh. Mosha e pensionit dhe përfitimet e pensionit në to ndryshojnë. Për shembull, punonjësit e hekurudhave mund të dalin në pension shumë më herët se punonjësit e tjerë. Presidenti Macron e konsideron sistemin të padrejtë dhe shumë të shtrenjtë. Ai dëshiron të kalojë në sistemin ku mblidhen pikë për pensionin, të cilat duhet të vlejnë në mënyrë të barabartë për të gjithë francezët.

Po të mos paraqesë opozita votë mosbesimi kundër dekretit, reforma pranohet automatikisht. Në maj 2006, Presidenti i atëhershëm socialist François Hollande e përdori për herë të fundit këtë klauzolë kushtetuese për të imponuar reformën e diskutueshme të tregut të punës.

rb/ack (afp, dpa)

Frankreich Paris Proteste gegen Rentenreform
Fotografi: Reuters/C. Hartmann
Frankreich Paris Proteste gegen Rentenreform
Fotografi: Reuters/C. Hartmann